1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për shqiptarët në jug të Serbisë

Bekim Shehu6 Qershor 2013

Në tekstin e rezolutës së miratuar në kuvendin e Kosovës, kërkohet shtimi i kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

https://p.dw.com/p/18lKa
Fotografi: dapd

Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten(06.06), një rezolutë e cila mbështet të drejtat elementare të shqiptarëve në jug të Serbisë, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rezoluta e iniciuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, mori 74 vota pro dhe katër vota kundër.

Në rezolutë "kërkohet shtimi i kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe qasja e njëjtë ndaj të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në atë zonë."

Në këtë rezolutë kërkohet edhe "lirimi i të burgosurve politik që mbahen nëpër burgjet e Serbisë, që Kosova të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që do të përkujdeseshin për këtë qëllim".

Një javë më parë në parlamentin e Kosovës u zhvilluan debate të thella lidhur me këtë rezolutë. Qeveria kishte kërkuar që mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të bëhet detyrim kushtetues i Kosovës. Për këtë kërkohej ndryshimi i kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, kjo u kundërshtua nga partitë politike opozitare, të cilat shfaqnin dyshimet se ndryshimi i kushtetutës për shqiptarët e Luginës së Preshevës, hap mundësinë e ndryshimit të kushtetutës edhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Udhëheqësit kryesorë politik kosovar, thonë se zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit Kosovë-Serbi, nuk do të ketë implikime kushtetuese, mirëpo, ata pranojnë se do të preken disa ligje të Kosovës. Se cilat ligje do të preken ende nuk dihet, sepse ka dy ditë që për këtë çështje grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë bisedimet në Bruksel për të rënë dakord mbi zbatimin e marrëveshjes.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha për mediat në Prishtinë se "ende nuk dihet numri i saktë se sa ligje do të ndryshohen"

"Kosova ka ligje fleksibël dhe të mjaftueshme edhe për zbatimin e marrëveshjes", u shpreh zëvendës-kryeministri Hajredin Kuçi.