1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këlni së shpejti me xhami dhe dy minare nga 55 metra të larta

Arian Fariborz3 Shtator 2008

Për muaj me radhë në Këln u debatua lidhur me ndërtimin e një xhamie të re. Së fundi këshilli bashkiak i qytetit dha më në fund dritën e gjelbër për këtë projekt ndërtimi.

https://p.dw.com/p/FAaz
Projekti i xhamisë qendrore në Këln
Projekti i xhamisë qendrore në KëlnFotografi: picture-alliance/dpa

Ishte një rrugë plot pengesa, por që në fund ia vlejti për Unionin Turko-Islamik (DITIB): Në konsultimet përfundimtare mbi ndërtimin e një xhamie qendrore në Këln ata ia dolën në bashki me votat e përkrahësve të projektit nga radhët e partisë socialdemokrate, asaj ekologjiste, liberalëve dhe partisë së majtë ndaj votave kundër të kristiandemokratëve dhe populistëve të djathtë "Pro Këln".

Pak javë më parë në përfaqësinë e minibashkisë në lagjen Erenfeld në Këln ishte miratuar projekti i ndërtimit. Në Unionin Turko-Islam anëtarët janë tani të lehtësuar, që mund të zbatojnë planet e ndërtimit të xhamisë. Pas gati dy vjet e gjysmë debatesh në lagjen Erenfeld do të ndërtohet një qendër kulturore islame, në epiqendër të së cilës do të jetë një xhami e madhe me një kupolë 34,5 metra të lartë dhe dy minare nga 55 metra të larta. Megjithatë arkitektëve dhe ndërtuesve iu desh të heqin dorë prej planeve fillestare për shkak të rezistencës së madhe të banorëve, politikanëve dhe iniciativave të djathta, që paralajmëronin nga rreziku i islamizimit.

Zëdhënësja e unionit DITIB Ayshe Aydin: "Ne natyrisht jemi pro këtij vendimi dhe u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na mbështetën si dhe atyre që e kanë kuptuar, se sa i rëndësishëm është ky projekt, jo vetëm për myslimanët, pro edhe për të gjithë banorët e Këlnit. Kjo do të jetë një shtëpi për myslimanët dhe për të gjithë qytetarët e Këlnit. Eshtë një shtëpi që duhet të mundësojë kontaktin dhe komunikimin. Ndaj ne falenderojmë qytetin, që na i ka dhënë mundësinë për realizimin e projektit. Integrimi ka shumë aspekte, por ne kemi krijuar këtu mundësinë për t´u afruar me njëri-tjetrin, për t´u dhënë përgjigje pyetjeve, por edhe për të shtruar pyetje. Kjo është një godinë, që nuk do të jetë më në ndonjë vend të padukshëm, por ajo do të perceptohet më mirë dhe në të mund të hyjë kushdo e ta ndjejë veten të mirëpritur."

Demonstratë e populistëve të djathtë "Pro Këln"
Demonstratë e populistëve të djathtë "Pro Këln"Fotografi: picture alliance/dpa

Zallamahia politike për ndërtimin e xhamisë në Këln nuk ka marrë ende fund

Sidoqoftë zallamahia politike për ndërtimin e xhamisë në Këln ende nuk ka marrë fund. Nën moton "Jo xhamisë së madhe të Këlnit - Jo islamizimit" lëvizja e djathtë "Pro Këln" planifikon më 19 shtator një "kongres kundër islamizmit" në Këln. Ekstremistë të djathtë të njohur nga e gjithë Evropa kanë deklaruar pjesëmarrjen, ndër ta edhe Jean-Marie Le Pen i "Front National" të Francës dhe Filip Devinter i lëvizjes separatiste flamande "Vlaams Belang".

Ayshe Aydin është e shqetësuar lidhur me fushatën anti-islamike të planifikuar në Këln: "Kjo veprimtari, siç mund të emërtohet me tone zbutëse, drejtohet jo vetëm kundër nesh dhe kundër islamit, por edhe kundër shoqërisë civile dhe rendit, që kemi ne këtu. Ajo drejtohet kundër bashkëjetesës paqësore, kundër qëllimeve që ne ndjekim së bashku. Ndaj ne përshëndesim kundër-veprimtaritë, të cilave ne do t´i bashkangjitemi për të tërhequr vëmendjen, se çfarë vlerash mbështesim ne."

A është debati i nxehtë mbi këtë temë një rast i veçantë në Gjermani?

Në të kaluarën në disa qytete të tjera gjermane si në Berlin e Mynih ka pasur protetsta kundër ndërtimit të xhamive, por rezistenca nuk ka qenë kaq e ashpër sa në Këln. Në shumë qytete të tjera xhamitë madje konsiderohen si një pasuri ndërkulturore dhe si një shans, për ta bërë më transparente fenë islame. Një shembull është qyteti i Dyizburgut: në lagjen e emigrantëve Marxloh në vitin 2006 u ndërtua një xhami e madhe me konsensusin e gjerë të kishës, partive, qytetarëve dhe bashkësive lokale islame. Kjo është xhamia më e madhe në Gjermani. Në një sipërfaqe prej 1.000 metrash katrorë është ndërtuar një qendër kontakti me një bibliotekë mbi fenë islame, një kafene si dhe një sërë sallash për seminare. Për këtë nuk ka pasur aspak rezistencë. Një shembull tjetër është "Xhamia e qelqtë" në Pencberg të Bavarisë, ku komuniteti ia ka dalë, që përmes kontakteve ndërfetare të shmangë paragjykimet ndaj fesë islame dhe t´i integrojë më mirë myslimanët.

Referenti i kulturës në qytetin Pencberg, Thomas Sendl: "Nga ana e qytetit kjo ofertë e komunitetit islam vlerësohet si mjaft pozitive. Dialogu me kishën katolike dhe evangjeliste ka bërë, që bashkësia islame dhe oferta e saj të pranohen dhe ndërkohë kjo bashkësi është e involvuar në mënyrë solide në nivelin shoqëror."