Kosovë: Kërkesa e Serbisë për ushtrinë e papranueshme
15 Dhjetor 2022Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se veriu i Kosovës, vazhdon të jetë sfidë për shkak të "pretendimeve territoriale të Serbisë". Sipas saj, Serbia kërcënon edhe me kthimin e ushtrisë e policisë në Kosovë dhe po mbështet grupet kriminale në veri përmes financimit dhe përkrahjes. Këto deklarata Presidentja Osmani i bëri gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku tha se "Kosova është e vendosur si asnjëherë më parë që të krijojë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më parë se Serbia do t'i shkruajë letër komandantit të forcave të KFOR-it, duke ju referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën në kohën kur u miratua në qershor të vitit 1999, parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav. Kthimi i tyre parashihej për të kryer disa funksione si "ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimin e fushave të minuara, mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe, dhe mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare. Rezoluta 1244 përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës mbi bazën e së cilës funksionojnë edhe sot në Kosovë.
Kërcënim me agresion
Ndërkaq nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli më 17 shkurt të vitit 2008 pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia. Dhe autoritetet e Prishtinës, kërkesën e Beogradit për kthimin e një mijë trupave ushtarake në Kosovë e cilësuan si një kërcënim me agresion. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para parlamentit të Kosovës, duke ju referuar veriut të Kosovës tha se "bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve për të jetuar të lirë në atdheun tonë”.
"Bandave nuk iu pëlqen zbatimi i ligjit në vend, por nuk ju pëlqen as lufta e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ata do të përballen me drejtësi për frikësimin që po u bëjnë qytetarëve. Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di fare mirë që prania e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, tha Osmani.
SHBA: Kundërshtim kategorik
Kthimi i mundshëm i një mijë trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë është kundërshtuar në mënyrë kategorike edhe nga SHBA-ja. Këtë e tha gjatë vizitës në Beograd, i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar, pas një takimi që zhvilloi me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
"Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë. Kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis, sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”, tha Escobar gjatë një interviste për televizionin serb N1 dhe mediumin publik RTS.
Deklaratë për konsum të brendshëm
Po si e shohin njohësit e çështjeve të sigurisë, kërkesën e Beogradit për kthimin e një mijë trupave serbe në Kosovë, bazuar siç thonë "në Rezolutën 1244 të KS-it”?
Lulzim Peci, Drejtor ekzekutiv i Institutit Hulumtues Kosovar për Zhvillimin e Politikave ‘KIPRED', i tha DW-së se kërkesa e Beogradit është jashtë kontekstit kohor. "Thirrja në Rezolutën 1244 (1999) është jashtë kontekstit të saj kohor, pasi tanimë është definuar statusi i Kosovës dhe pavarësia e saj nuk është kontestuar nga asnjë dokument legal i Kombeve të Bashkuara, dhe legaliteti i shpalljes së pavarësisë është validuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, thotë Peci. Sipas tij, kjo kërkesë e Serbisë, "duhet të aprovohet paraprakisht nga Këshilli i NATO-s para se Komandanti i KFOR-it të marrë çfarëdolloj vendimi, pasi ajo prek interesat e vendeve anëtare dhe atyre partnere që i kanë trupat në Kosovë. Këtu mjafton vetëm një vend i NATO-s të vërë veton dhe një veprim i tillë do të pamundësohet”, thotë Lulzim Peci, duke shtuar se Serbia e di mirë që kërkesa e saj do të refuzohet, por këtë e bën për konsum të brendshëm.
KFOR dhe EULEX shtojnë praninë në veriun e Kosovës
Sidoqoftë, pas zhvillimeve të fundit dhe situatës së tensionuar në veriun e Kosovës dhe barrikadimit të rrugëve nga serbët lokalë, KFOR-i ka shtuar praninë në këtë pjesë. Praninë e ka shtuar edhe misioni i BE-së EULEX. Zyrtarë të KFOR-it, thonë se forcat paqeruajtëse po mbikëqyrin situatën në veri, dhe thanë se "mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është që palët të zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
"Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë mandatin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në një njoftim të fundit të NATO-s. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se palët duhet të ofrojnë ndihmë për uljen e tensioneve dhe të përmbahen nga retorika që kontribuon për përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensioneve.