Kërkimi i vështirë i Presidenti të ri të Gjermanisë
25 Tetor 2016Në fakt ata donin të binin dakord për një kandidat të përbashkët - dhe ta bënin këtë deri në fund të tetorit. Por kërkimi i socialdemokratëve të SPD-së dhe i unionistëve për një pasardhës për Joachim Gauck-un, i cili nuk kandidon për një mandat të dytë si President i Gjermanisë, po zgjat: herë pas here në opinion dalin emra, që pastaj tërhiqen, sepse personat përkatës nuk janë në dispozicion. Së fundi kjo ndodhi me Presidentin e Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle, i cili refuzoi ta marrë këtë post. Tani në titujt e gazetave vëmendjen e tërheq një kandidat i ri i mundshëm i koalicionit të madh partiak në pushtet: ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier. Emri i tij ka kohë që diskutohet - zyrtarisht tani atë e futi në lojë kolegu i partisë së tij, shefi i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel, në një intervistë gazete. Ai që kërkohet është një kandidat, i cili "të jetë në gjendje ta përfaqësojë vendin tonë, por që edhe i njeh sfidat e kohës sonë dhe ka përgjigje për to", kështu u shpreh Gabriel në numrin e së hënës të Bild Zeitung. Të gjithë këta elementë, deklaroi Gabriel, vlejnë për Steinmeierin.
Pasardhësi i Gauckut do të zgjidhet në shkurt nga Asambleja Federale, një organ, i cili përbëhet prej më shumë se 1000 përfaqësuesve të federatës dhe të landeve. Në Asamble, e cila konstituohet në bazë të shumicave politike në Bundestag dhe në landet gjermane, partitë unioniste dhe socialdemokratët kanë shumicën. Megjithatë: po të bien dakord socialdemokratët, të majtët dhe të Gjelbrit për një kandidat të përbashkët, ato mund të arrijnë miratimin e tij edhe kundër dëshirës së CDU/CSU-së.
Të Majtët për Steinmeierin: "Vlerësimi: i pazgjedhshëm"
Por unionistët reaguan më refuzim: Steinmeieri do të bënte mirë të kryente si duhet punën e tij si ministër i Jashtëm, tha sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Andreas Scheuer. Edhe partia e Majtë e bëri të qartë se nuk do ta mbështeste zgjedhjen e Steinmeierit: ai do të ishte për "të Majtën një kandidat i vështirë", tha kryetari i Grupit Parlamentar, Dietmar Bartsch. Megjithatë ai ka vënë thekse pozitive në politikën e jashtme, tha më tej Bartsch. Dhe: për aq kohë sa do të jetë e paqartë se për cilët kandidatë do të votojë në fund Asambleja Federale, ai nuk mund ta parashikojë si do të sillen në votim kandidatët e Partive të Majta. Edhe më refuzues u shpreh Bernd Riexinger, shefi i Së Majtës: "Frank-Walter Steinmeier është njëri nga kandidatët e Agenda 2010, e cila e solli varfërinë në mesin e shoqërisë dhe që e thelloi ndarjen midis të varfërve dhe të pasurve. Vlerësimi: i pazgjedhshëm."
Po Steinmeieri vetë, çfarë thotë? Ai tha në "Raport nga Berlini", në një emision politik, që transmetohet të dielën në mbrëmje, vetëm këto fjalë: ai merret me gjëra të tjera. "Unë do të përqendrohem me të gjitha fuqitë tek krizat dhe konfliktet në këtë botë dhe në Bundestagun gjerman, i cili ndoshta mund të kontribuojë diçka për zgjidhjen."