Lamtumira: Merkel nuk kandidon më si kryetare e CDU-së
29 Tetor 2018Pas dështimit të CDU-së në zgjedhjet e Hessenit, ku partia konservatore megjithëse doli forca kryesore pësoi humbje të ndjeshme dyshifrore, kancelarja Merkel nuk do të kandidojë më si kryetare e partisë kristiandemokrate, CDU në kongresinë e partisë në dhjetor në Hamburg. Këtë e bëjnë të ditur agjencitë gjermane të lajmeve duke iu referuar qarqeve brenda partisë.
Këtë vendim Merkel ua ka bërë të ditur politikanëve kryesorë të CDU-së gjatë një mbledhjeje të presidiumit. Megjithatë ajo do të qëndrojë në postin e kancelares gjermane. Kancelarja Merkel nuk do të kandidojë më as si deputete për Bundestagun pas mandatit aktual që mbaron në vitin 2021, dhe as nuk do të marrë poste në Bruksel.
Merkel kryesoi prej 18 vitesh partinë konservatore, CDU, dhe prej 13 vitesh është kancelare e Gjermanisë.
la/(afp, dpa)