Larixhani takohet me Baradejin në Vjenë
20 Shkurt 2007Ndërkohë Irani dëshiron të negociojë ende: kryenegociatori iranian Ali Larixhani takohet sot në Vjenë me Mohamed El Baradein, shefin e Autoritetit Ndërkombëtar për Energjinë Bërthmaore
Në prag të skadimit të ultimatumit të Kombeve të Bashkuara, siç duket Teherani po përpiqet që dëmet të jenë sa më të vogëla. Për këtë shkak, kryenegociatori i Republikës Islamike, Ali Larixhani ka udhëtuar për në kryeqytetin austriak. Atje ai pritet që sot të takohet me shefin e Autoritetit Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore, Ali Baradej i cili këtë javë do t'i prezantoj Këshillit të Sigurimit një vlerësim për programin bërthamor iranian.
Megjithatë, ndërkohë që Larixhani i cili pritet të takohet edhe me shefin e diplomacisë evropiane Havier Solana, sinjalizon gatishmërinë e vendit të tij për negociata, klasa politike në Teheran gjatë ditëve të kaluara ka përsëritur pa ndërprerë nevojën që ka vendi për një program bërthamor. Në këtë mënyrë udhëheqësi shpirtëror Ajatolloah Ali Hamenej, tërhoqi vërejtjen në fundjavë se rezervat iraniane të naftës dhe vajit nuk janë të pashtershme. Sipas tij centralet bërthamore janë e ardhmja dhe fati i vendit.
Andaj qëndrimi perëndimor se Irani nuk ka nevojë për eneregji bërthamore është i gabuar:"Ata duan që populli iranian të mos disponojë këtë teknologji. Kjo do të thotë të mbetet i varur dhe kjo do të thotë të mbetet mbrapa. Eshtë plotësisht e qartë që populli iranian nuk mund të pranoj një gjë të tillë", tha Hamenej.
Ngjashëm si Hamenej shprehet edhe presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhat: "E mbarë bota e di që Irani punon në bazë të të drejtave të tij të pashitshme dhe në kuadër të rregullave të Autoritetit Ndërkombëtar për Energji Bërthamore. Dhe ne kemi të drejtë që në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të posedojmë këtë cikël prodhimi", tha Ahmadinexhat.
Në fakt në Republikën islamike që prej miratimit të Rezolutës 1737, një ditë para krishtlindjeve, gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Teherani ashtu si më parë shpreh gatishmërinë për negociata por njëkohësisht tërheq vërejtjen se ato mund të zhvillohen me parakushte. Me fjalë të tjera: Irani nuk është i gatshëm të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, siç kërkohet në Rezolutën 1737 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por ky qëndrim më së largu deri të enjten Teheranit zyrtar mund t'i kushtoj me sanksione të Kombeve të Bashkuara. Të gjitha shenjat flasin për një gjë të tillë. Vetëm nëse kryendërmjetësuesi iranian arrin në Evropë diçka të papritur.