Laschet do kryesinë e CDU-së dhe kandidaturën për kancelar
26 Nëntor 2020Kryeministri i Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet (CDU) pretendon edhe kandidaturën për kancelar të Gjermanisë, po të zgjidhet kryetar i CDU-së në janar. Lascheti e përjashton heqjen dorë nga kandidatura në favor të Ministrit Federal të Shëndetësisë Jens Spahn. Dega e CDU-së e Renanisë-Veriore-Vestfalisë kishte pasur arsye të forta kur e propozoi atë për postin e kryetarit federal të partisë , i tha Laschet televizionit WDR. "Kjo mbetet. Kështu e sheh edhe Jens Spahn".
Deklaratat e fundit në lidhje me kandidaturën për kancelar Laschet i bëri gjatë xhirimeve të filmit "Ballafaqimi. Markus Feldenkirchen takon Armin Laschet" që do të transmetohet këtë të enjte.
Kandidati për kryetar të ri të CDU, Armin Laschet reagoi me këtë ndaj popullaritetit në rritje të Ministrit Federal të Shëndetësisë në pandeminë e Coronas dhe pakënaqësisë në CDU me tre kandidatët e deritashëm për kryesinë e partisë.
Shqetësim për përçarje
Në fillim të vitit, Spahn, i cili vjen nga Münsterland, vendosi të kandidojë si zëvendës i Laschet-it. Në shumë sondazhe, Jens Spahn tani është përpara kryeministrit të Renanisë-Veriore-Vestfalisë. Ai është shumë popullor edhe brenda CDU-së.
Kur u pyet pse po kandidon jo vetëm për kryesinë e partisë, por edhe për të pasuar Angela Merkel-in, Lascheti tha se ishte i shqetësuar për një ndarje të thellë në vend pas pandemisë. "Ju tashmë mund të shihni agresionin në shoqëri. Do të jetë detyrë kryesore të mbajmë vendin tonë së bashku kur Angela Merkel të mos jetë më kancelare".
Kritika ndaj Merzit
Lascheti kritikoi edhe konkurrentin e tij për kryetar të partisë, Friedrich Merz. Ai ka shkarë përsëri në modelet e sjelljes para 20 vjetësh, kur u grind me Angela Merkelin. Që Merz tani po e vazhdon këtë luftë kundër tij, "kjo është thjesht çmenduri".
Lascheti tha se nuk është i shqetësuar për prapambetjen në sondazhe ndaj kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder. "Unë kam parë kaq shumë figura të ndritshme", tha Laschet, duke përmendur ish-kandidatin e SPD për kancelar, Martin Schulz dhe paraardhësen e tij në krye të landit, Hannelore Kraft, si shembuj të popullaritetit të lartë, por "pas tre muajsh nuk kishte mbetur asgjë".
aud (wdr)