1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Lufta Izrael-Hamas: Armëpushimi ende i mundur

19 Gusht 2024

Presidenti amerikan, Joe Biden e quan ende të mundur arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës si edhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.

https://p.dw.com/p/4jc3C
Takimi mes Blinken dhe presidentit izraelit, Herzog, Blinken dhe Herzog shtrëngojnë duart
Takimi mes Blinken dhe presidentit izraelit, HerzogFotografi: Kevin Mohatt/AFP/Getty Images

Ditët  e fundit ka pasur shtim të përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi në luftën e Gazës. Javën e kaluar bisedimet e ndërmjetësuara mes Izraelit dhe Hamasit u zhvilluan në Katar, ku SHBA i paraqiti Izraelit dhe organizatës militante islamiste të Hamasit një propozim të ri kompromisi. Në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit u tha në fund, se ky propozim i tejkalon "boshllëqet e mbetura". Bisedimet pritet të vazhdojnë këtë javë në Kajro.

Presidenti amerikan, Joe Biden e quan ende të mundur arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës si edhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi. "Ne nuk dorëzohemi", tha presidenti amerikan, duke e quajtur ujdinë të mundur. Kurse Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i quajti përpjekjet aktuale për arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Hamasit si shansin e fundit për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi. Në një takim me presidentin izraelit, Izchak Herzog në Tel Aviv ai tha se "ky është një moment vendimtar, ndoshta më i miri, ndoshta mundësia e fundit, për të sjellë pengjet në shtëpi, për të arritur një armëpushim dhe që na çon të gjithë drejt një rruge më të mirë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme." Ne duam të sigurohemi që të mos ketë përshkallëzim, që të mos ketë provokime, tha Blinken- Duhet të parandalohet "që konflikti të përhapet në rajone të tjera".

Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken mbërrin për bisedime në Izrael, Antony Blinken para futjes në automjetet qeveritaare
Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken mbërrin për bisedime në IzraelFotografi: Kevin Mohatt/AP Photo/picture alliance

Hamasi kritikon propozimin amerikan për armëpushim

Hamasi militant-islamist u shpreh me rezerva të forta kundër propozimit të ri amerikan për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve amerikane. Propozimet amerikane i përgjigjen shumë më tepër kërkesave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, bëri të ditur Hamasi të dielën në mbrëmje. Hamasi deklaroi, se koncepti i paraqitur i përgjigjet refuzimit të Netanjahut t'i japë fund përgjithmonë luftës dhe të tërheqë ushtrinë nga Rripi i Gazës.

Më 7 tetor Hamasi që njihet si organizatë terrroristë nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera sulmoi zonat izraelite, ku vrau rreth 1200 vetë dhe mori më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite. Pas kësaj Izraeli filloi një operacion të gjerë ushtarak në Rripin e Gazës, që ka shkaktuar mijëra viktima nga pala palestineze. Më shumë se 39.000 palestinezëë janë vrarë në luftime, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.

Protesta të izraelitëve në Jeruzalem "Ne nuk jemi qeveria jonë"
Protesta të izraelitëve në Jeruzalem "Ne nuk jemi qeveria jonë"Fotografi: Saeed Qaq/Anadolu/picture alliance

 

 

 

 

la/ag