1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përdorimi i armëve gjermane në Rusi

17 Gusht 2024

Ligjërisht, përdorimi i armëve gjermane në Rusi nuk është problem. Por politikisht, situata është ndryshe.

https://p.dw.com/p/4jY6I
Leopard
LeopardFotografi: picture alliance / SvenSimon

Për Ministrinë e Mbrojtjes, çështja është e thjeshtë: "Këto janë armë ukrainase", thotë zëdhënësi Wolfgang Büchner. Kjo do të thotë se, sipas interpretimit të tyre, qeveria gjermanenuk ka asnjë lidhje me armën pasi ajo është dorëzuar në Ukrainë. Vetë Ukraina tani është përgjegjëse për përdorimin e këtyre armëve.

Ofensiva në rajonin e Kurskut ishte "një operacion i përgatitur në fshehtësi të madhe dhe pa reagime”, që do të thotë se u krye pa koordinim me Berlinin, tha Büchner. E vetmja gjë e rëndësishme, theksoi ai më tej, është se Kievi i përmbahet ligjit ndërkombëtar. Ukraina ia ka garantuar këtë qeverisë në Berlin. "Nuk ka kufizime shtesë për përdorimin e armëve", Ukraina është "e lirë të zgjedhë opsionet e saj".

Gjermania nuk merr pjesë në operacion

Qeveria në Berlin ende nuk ka njoftuar, nëse armët gjermane janë përdorur në të vërtetë në ofensivën e Ukrainës në Rusi. Në terma ushtarakë, mund të përdoreshin tanke luftarake Leopard 1 dhe 2 ose dhe Marder, si dhe raketahedhës.

Leopard gjatë një stërvitje
Leopard gjatë një stërvitjeFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Mediat ruse kanë publikuar imazhe që pretendojnë se një automjet luftarak Marder nga Gjermania shihet në rajonin e Kurskut. Por edhe nëse fotografitë janë autentike, "Gjermania, nëse flasim ligjërisht, nuk është pjesëmarrëse në këtë operacion ushtarak nga forcat e armatosura ukrainase në territorin rus", tha për DW Rafael Loss nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin.

Për sa kohë që Ukraina respekton dispozitat ligjore humanitare, lejohet të kryejë operacione të tilla ushtarake. Për shembull, objektivat civilë nuk duhet të sulmohen dhe të burgosurit e luftës duhet të trajtohen me drejtësi. Ukraina po i përmbahet asaj për momentin - ndryshe nga Rusia.

Politika gjermane nuk sheh problem

Politikanë nga parti të ndryshme qeveritare dhe opozitare gjithashtu e kanë bërë të qartë se ligjërisht një përdorim i tillë nuk do të ishte problem. "Sigurisht që shteti që sulmohet ka të drejtë të mbrohet. Kjo përfshin të drejtën për të vepruar në territorin rus sipas ligjit ndërkombëtar, për sa kohë që ndiqen të gjitha rregullat”, tha Lars Klingbeil, bashkëkryetar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), e cila përfshin edhe kancelarin Olaf Scholz.

Taurus KEPD 350
Taurus KEPD 350Fotografi: Leonhard Simon/Getty Images

Ky qëndrim i bashkëkryetarit të SPD-së, që konsiderohet partia e paqes, është relativisht i ri. Politikanët e dy partnerëve të koalicionit, ekologjistët dhe FDP, janë deklaruar në favor të përdorimit të armëve gjermane në Rusi edhe para ofensivës në Kursk.

Roderich Kiesewetter, një ekspert i politikës së sigurisë në CDU, ka deklaruar për DW në fillim të vitit: "Sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarakë në territorin rus nuk janë vetëm ligjërisht të lejueshme, por edhe të justifikuar ushtarakisht-strategjikisht dhe absolutisht kuptimplotë.” Kjo, beson ai, nuk e bën Gjermaninë një pjesëmarrëse aktive në luftë.

E drejta ndërkombëtare

Politikanët më së shpeshti i referohen nenit 51 të Kartës së OKB-së. Ai flet për "të drejtën natyrore për vetëmbrojtje individuale ose kolektive" të çdo shteti. Situata ligjore në lidhje me përdorimin e armëve gjermane në Rusi u konfirmua nga Wolff Heintschel von Heinegg, një ekspert i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Viadrina në Frankfurt am Oder. Në një intervistë për DW, ai theksoi se në konfliktet e armatosura ndërkombëtare, "asnjë palë në konflikt nuk është e detyruar të kufizojë armiqësitë në territorin e saj".

Heshtja e kancelarit

Kancelari Olaf Scholz
Heshtja e kancelarit ScholzFotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Situata ligjore është një gjë, ndërsa aspekti politik është diçka krejtësisht tjetër. Kancelari Olaf Scholz ka hezituar prej kohësh të dorëzojë ndonjë armë të re në Ukrainë. Për shembull, tanket nuk u dorëzuan për një kohë të gjatë. Vetëm pas debateve intensive të brendshme politike dhe presionit ndërkombëtar u miratuan përfundimisht kërkesat për sisteme të tilla armësh. Arsyeja e hezitimit ishte shqetësimi për përshkallëzimin e luftës dhe veçanërisht rreziku i përfshirjes së Gjermanisë në luftë.

Deri më sot, Scholzi ka refuzuar të dorëzojë në Ukrainë raketat Taurus. Me ato raketa me rreze të gjatë, Ukraina mund të sulmojë edhe objektiva në Moskë. Për momentin, kancelari po hesht për përdorimin e mundshëm të armëve gjermane në sulmin ukrainas në Kursk.

Ndërsa partitë opozitare, AfD e krahut të djathtë dhe koalicioni i majtë i Sahra Wagenknecht kanë kundërshtuar dërgimin e armëve në Ukrainë dhe kërkojnë dialog me Rusinë. Më në fund, 36 për qind e gjermanëve të anketuar në korrik thanë se ishin kundër dërgesave të tjera të armëve në Ukrainë. E nëse vërtetohet informacioni se Ukraina po përdor armë gjermane në Rusi, disponimi i një pjese të popullsisë gjermane mund të ndryshojë edhe më shumë kundër ndihmës ushtarake për këtë vend.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare