120509 Pakistan Flüchtlinge
13 Maj 2009Kampi është plot. Numri i refugjatëve rritet dita ditës. Duhet të hapen kampe të reja. Kampet janë radhë të tëra me çadra të vogla, të bardha të vendosura në fushë të hapur. Nuk ka as ujë dhe as numër të mjaftueshëm banjosh. Nuk ka as sferë private. Nga sipër dielli përvëlon. Temperaturat këto ditë arrijnë deri në 40 gradë, dhe pemët, që mund të bënin hije mungojnë. Në çadra akumulohet nxethtësia. Gjendja është veçanërisht e vështirë, për gratë sepse ato fshihen prej të huajve dhe jeta e tyre kalon kryesisht në çadër, ku ato e ndiejnë veten si në shtëpi.
Aqeela bën përjashtim. E veja 53-vjeçare flet hapur me gazetarët. Ajo ka ardhur me 11 fëmijë dhe nipër e mbesa nga lugina Svat, për të gjetur mbrojtje në kampin e refugjatëve të brendshëm në rajonin fqinjë Mardan. Kjo ndodhi të dielën kur ushtria hapi për pak orë postblloqet dhe mundësoi kalimin për popullsinë civile."Granatat binin nga qielli. Nga të gjitha anët qëllohej. Energjia u ndërpre, ne nuk kishim më ujë. Ne s' kishim rrugë tjetër, na u desh të merrnim arratinë. Lamë pas bagëtinë dhe pasurinë e vetme që kishim." Më pas ajo shpërthen në të qara, fsheh fytyrën pas shamisë së kokës dhe i lutet Zotit ta ndihmojë.
Sipas të dhënave të OKB-së, qysh prej fillimit të ofensivës javën e kaluar në kamp janë regjistruar mbi 360 000 refugjatë. Por në fakt numri i tyre është shumë më i lartë, sepse shumë njerëz nga zona e luftimeve, kanë gjetur strehë tek miqtë dhe të afërmit. Se kur do të kthehen në shtëpi, këtë s' mund ta thotë askush. Ushtria përdor tanket dhe armë të rënda, nga ajri përdoren helikopterrët dhe avionët luftarakë. Ndërkohë që në shtëpitë ë braktisura të refugjatëve kanë zënë pozicion talibanët dhe luftëtarët aleatë të tyre.
Për Nawab Alinë nga kryeqyteti i rrethit Mingora në luginën Svat, e gjitha kjo është si një ëndërr e keqe, prej nga njeriu nuk mund të çlirohet. Mingora i ngjan një qyteti fantazëm: "Vetëm Zoti e di dhimbjen tonë. Vetëm ai mund ta kuptojë këtë vuajtje. Ne kemi lënë gjithçka, shtëpi e katandi dhe dyqanet tona. Fëmijët tanë janë coptuar prej të shtënave. Kunata ime ka vdekur."
E megjithatë shumë njerëz në kamp kanë mirëkuptim për ofensivën e ushtrisë pakistaneze, pavarësisht se shumica e refugjatëve janë pashtu, ashtu siç janë edhe talibanët në Pakistan dhe në Afganistan. Por lufta mes vëllezërve në tokën tënde është e dhimbshme. Sa më shumë të zgjasë ofensiva, aq më shumë viktima civile do të ketë, aq më shumë shkatërrime dhe aq më shumë do të zgjasë vuajtja për refugjatët, e si rrjedhojë edhe më e pakët do të bëhet mbështetja e ushtrisë dhe e qeverisë për popullsinë civile.
Autor: Sandra Petersmann / Vilma Filaj Ballvora
Redaktoi: Aida Cama