Lugina e Preshevës : Shqiptarët angazhohen për përmirësimin e pozitës
9 Maj 2008Subjektet politike shqiptare në konventat e tyre përfundimtare janë angazhuar për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve si dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëkohësisht edhe bartës i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare Riza Halimi, duke iu drejtuar elektoratit në një tubim të mbajtur në Bujanovc, i cilësoi këto zgjedhje si një moment kthese drejt integrimit të shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore.
Për liderin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, ishte lufta e shqiptarëve të këtij rajoni që avancoi pozitën e tyre, ndërsa sipas tij pas zgjedhjeve të së dielës do të nisen edhe shumë projekte tjera kapitale.
Ndryshe fushata parazgjedhore në Luginën e Preshevës ka kaluar kryesisht e qetë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla, të cilat kanë dodhur në Preshevë, midis simpatizantëve të partive përbrenda spektrit politik shqiptar.
Pasi që më 11 maj zhvillohen bashkarisht zgjedhjet lokale me ato parlamentare, kësaj here në listat zgjedhore garojnë një numër i madh i kandidatëve shqiptarë, të radhitur në 10 parti politike për zgjedhjet lokale dhe në një Koalicion për ato parlamentare.
Zgjedhjet e së dielës do të monitorihen nga një numër i madh vëzhguesih nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike CESID dhe nga përfaqësitë e huaja diplomatike të vendosura në Beograd, me theks të veçantë nga OSBE.