Lutfi Haziri: Nuk pritet marrëveshje për decentralizimin në Vjenë
17 Janar 2006Grupi Politik Strategjik ka mbaruar punën duke përpunuar kështu dokumentin përfundimtar të decentralizimit në Kosovë me të cilin pala kosovare pritet të paraqitet në takimin e Vjenës për të diskutuar decentralizimin me palën serbe të Beogradit.
Takimi i parë midis ndërmjetësueve ndërkombëtarë të OKB-së, të udhëhequr nga Marti Ahtisari dhe përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të mbahet me datën 25 Janar në Vjenë të Austrisë. Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jiang, pas takimit të djeshëm të Grupit të Kontaktit që u zhvillua po në Vjenë dhe ku mori pjesë edhe ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Edhe pse akoma Grupi Negociator i Kosovës nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e palës kosovare në takimin e Vjenës ku do të diskutohet decentralizimi, ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri, tha për programin tonë se nga takimi i Vjenës nuk pritet të dalë ndonjë marrëveshje me palën serbe.
Haziri: "Jo nuk kemi të bëjmë me negociata të drejpërdrejta në këtë drejtim. Zoti Ahtisari, në misionin e vet e ka identifikuar këtë temë, si njërën nga temat e rëndësishme për të krijuar mundësi reale për zgjidhjen e problemeve në Kosovë në kuadër të decentralizimit. Praktikisht plani serb është jashtë parimeve të Grupit të Kontaktit, i cili këkon ndarje të etniteve në Kosovë, kërkon ndarje fizike të grupeve etnike dhe shkakton probleme tek vetë sebët e Kosovës. Ndërsa, parimet e planit të Prishtinës, kanë të bëjnë me parimet e konventës evropiane për vetqeverisje lokale që janë të aplikueshme gjithandej dhe që kanë sjellë rezultate edhe në këtë region.
Shembull, marrëveshja e Ohrit në Maqedoni për pakicën shqiptare atje. Pra në takimin e Vjenës nuk kemi ballafaqim planesh por, angazhime dhe strategji delegacionesh që janë përgjegjëse për statusin e Kosovës në të ardhmën".
Sidoqoftë, kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, është shprehur se pala kosovare duhet të jetë e vetëdijshme për rëndësinë që kanë bisedimet e datës 25 Janar në mes palës shqiptare të Kosovës dhe asaj serbe nga Beogradi. Ai shprehet i bindur se pala kosovare është duke bërë përgatitje në këtë drejtim. Përfaqësues të Grupit Politik Strategjik, ndërkaq, kanë njoftuar, se gjatë kësaj jave dokumenti i përpunuar i decentralizimit do t'i dorëzohet Grupit Negociator të Kosovës, ndërsa, jo zyrtarisht thonë se, dokumenti do të marrë dritën e Gjelbër për t'u biseduar me palën serbe me 25 Janar në Vjenë të Austrisë.