Madridi vendos - Katalonjës i hiqen kompetencat
21 Tetor 2017Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy u konsultua të shtunën (21.10) me senatin e tij pas një takimi të krizës të kabinetit qeveritar spanjoll, që i heq kompetencat qeverisë rajonale të Carles Puigdemont.
Brenda gjashtë muajve do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në Katalonjë, bëri të ditur Rajoy. Sipas portalit informativ, eldiario.es, kryeministri spanjoll dhe socialistët opozitarë që në këtë çështje janë të bashkuar, kanë arritur ujdinë që zgjedhjet të zhvillohen në janar.
Rajoy dhe ministrat e tij u konsultuan të shtunën për referendumin e kontestuar për pavarësi në Katalonjë dhe marrjen e masave detyruese për qeverinë rajonale në BArcelonë. Ata vendosën zbatimin e nenit 155 të kushtetutës spanjollë që parashikon masa të tilla detyruese.