1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maltë: Hetuesit në shënjestër

26 Janar 2018

Kush ka dijeni për afera korrupsioni në radhët e anëtarëve të qeverisë në Maltë është në rrezik. Pas vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia tani jeton me frikë një ish-hetues.

https://p.dw.com/p/2rXNF
Symbolbild Panama Papers
Fotografi: Imago/M. Bäuml

Makinën ai e parkon gjithmonë aty ku ka kamera survejimi. Pas vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia me një auto-bombë, ish-hetuesi Jonathan Ferris ka frikë sa herë hipën në makinë.

Gazetarja kishte denoncuar në blogun e saj korrupsionin në qeveri. Sipas të dhënave të saj ministri Konrad Mizzi dhe shefi i kabinetit Keith Schembri kanë themeluar firma dhe kompani në parajsat e taksave. Këtë e dëshmojnë edhe Panamapapers. Në llogaritë e politikanëve janë bërë me sa duket pagesa të dyshimta, sipas shumë gjasash ryshfete. Akuza më shpërthyese e gazetares ishte se gruaja e kreut të qeverisë, Michelle Muscat, ka themeluar një kompani off shore me emrin "Egrant" dhe se ka marrë një milion euro në një llogari të fshehtë. Pesë muaj pas botimit të këtyre të dhënave gazetarja investigative gjeti vdekjen. Atë e vranë. Sfondi i krimit është ende i paqartë. Mos vallë sepse dinte shumë?

Tani frikë se mund të pësojë të njëjtin fat ka Jonathan Ferris. Në Maltë ai njihet si hetues i mprehtë. Deri para disa kohësh ai udhëhiqte Njësinë kundër Pastrimit të Parave dhe qe i ngarkuar me hetimet e akuzat ndaj zonjës së parë, Michelle Muscat. "Në Maltë ka arritur puna aty sa kemi dy lloj ligjesh: një për perënditë dhe tjetra për njerëzit e thjeshtë." - thotë Jonathan Ferris. Ai është i bindur se korrupsioni në Maltë është shumë më i thellë.

"Pasi u shpjegova shefave të mi se si do t'i zhvilloja me grupin tim hetimet për rastin Michelle Muscat, të nesërmen në mesditë më komunikuan pushimin nga puna". Argumenti i punëdhënësit ishte se unë kinse nuk plotësoj kërkesat, kurse unë mendoj se u bëra i rrezikshëm për ta, thotë Ferris.

Malta ermordete Journalistin Daphne Caruana Galizia
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Mirabelli

Lajme të rreme?

Vetë kryeministri Joseph Muscat i quan akuzat si lajme të rreme. Në vend që të sqarojë çështjen ai organizoi zgjedhje të reja dhe i fitoi ato, për shkak se ekonomia po lulëzon dhe kjo është e mjaftueshme për shumë maltezë. Dhe megjithëse dyshimet për korrupsion të rëndë vazhdojnë, dy miqtë e tij janë edhe gjysmë viti më pas ende në detyrë. Pyetjes se pse nuk i pezullon ata, ai i përgjigjet: "Ju lutem ju bëni detyrat tuaja, dhe mos u mbështetni në informacione të rreme nga njerëzit me synime të këqija! Unë kam thënë gjithmonë se nëse ka ndonjë dëshmi ose madje edhe treguesin më të vogël se akuzat kundër meje janë të vërteta, atëherë do të jap menjëherë dorëheqjen. Por nëse del se të gjitha këto dokumente dhe informacione janë të gabuara, atëherë do t'i këshilloja ata që më akuzojnë që të japnin dorëheqjen."

Asgjë nuk ndodh

Gazetarja Daphne Caruana Galizia nuk mund të japë më dorëheqjen, dhe as hetuesi Jonathan Ferris, sepse atë e kanë pushuar nga puna. Edhe policia e pranon vetë se nuk po heton.

Ndërkohë që njësia kundër pastrimit të parave i ka përmbledhur provat e rënda në raporte dhe ia ka përcjellë ato policisë për të siguruar provat, dhe ngrirë llogaritë bankare. "Asgjë nuk po ndodh. Vetë shefi i policisë ka thënë se nuk do të ketë hetime ndaj politikanëve. Por si mund të zbardhet një krim nëse nuk heton? Qëndrime të tilla nuk ka pasur kurrë më parë", thotë Ferris.

Të gjitha shpresat e tij tani varen tek BE-ja: ajo duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet e vendit të tij. Dhe kjo është arsyeja pse disa eurodeputetë erdhën posaçërisht nga Brukseli për t'u informuar për çështjen e pastrimit të parave dhe nëse qytetarët e Maltës janë të barabartë para ligjit. Si anëtare e BE-së, Malta duhet ta garantojë barazinë para ligjit. Por dyshimet janë të mëdha. "Unë jam i shqetësuar për gjendjen e sundimit të ligjit. Ne morëm informacine të rëndësishme nga Jonathan Ferris, që është i shqetësuar për sigurinë e tij dhe sidomos për fëmijët dhe të shoqen. Ne kërkuam që ai të vihet nën mbrojtje policore ditë e natë, atij i kanë dhënë tani mbrojtje policore. Me sa duket kush flet këtu haptazi për të tilla gjëra, është padyshim në rrezik." - thotë eurodeputeti Sven Giegold.

Padi ndaj shtetit

Ferris ka ngritur padi kundër shkarkimit të tij. Në këtë proces ai dëshiron që më në fund t'i tregojë të gjitha. Ai thotë se këtë ia ka borxh gazetares së vrarë dhe të gjithë maltezëve të ndershëm. Dhe për rastin se i ndodh diçka, i ka marrë masa paraprake. "Shënimet e mia dhe gjithçka që di i kam futur në gjashtë zarfa dhe ua kam shpërndarë njerëzve të ndryshëm. Nëse mua më ndodh diçka, gjithçka do të dalë në shesh. Dhe të gjithë do ta mësojnë të vërtetën. Kjo do të jetë hakmarrja ime."