1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maroku pranon me rezerva ndihmat

11 Shtator 2023

Pas tërmetit katastrofik në Marok, ky vend dëshiron fillimisht të pranojë ndihmë nga katër vende. Gjermania nuk është mes tyre. Maroku shpalli tre ditë zie kombëtare.

https://p.dw.com/p/4WBD6
Një grup grash të përqafuara qajnë pas tërmetit në Marok
Tronditje e rëndë pas tërmetit në MarokFotografi: FADEL SENNA/AFP

Ministria e Brendshme e Marokut bëri të ditur, se "kemi reaguar ndaj ofertës për mbështetje nga vendet mike, Spanja, Katari, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara" dhe falënderon të gjitha shtetet që kanë ofruar ndihma pas tërmetit të rëndë të shtunën në Marok. Autoritetet e Marokut shprehen, se "është bërë një vlerësim i kujdesshëm i nevojës në terren". "Nëse kjo nevojë do të ndryshojë", do të merren parasysh oferta të tjera.

Organizata Gjermane e Ndihmës Teknike, THW, i ktheu paraprakisht punonjësit e saj në shtëpi. Ata qëndronin të gatshëm në aeroportin e Köln/Bonnit për misionin në Marok.

Një grua duke qarë pas tërmetit në Marok
Fotografi: FADEL SENNA/AFP

Ndihmësit vazhdojnë të kërkojnë me intensitet për të lënduar nën rrënoja, nganjëherë thjesht edhe me dorë. Ekspertët bëjnë fjalë për një hapësirë 72 orë për të gjetur gjallë të mbuluarit nga rrënojat. Kaq gjatë mund të durojë dikush pa ujë, sipas një vlere orientuese.

Sipas të dhënave zyrtare kanë humbur jetën më shumë se 2.100 vetë pas tërmetit në Marok dhe të paktën janë regjistruar 2400 të lënduar. Pritet që numri i viktimave të rritet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se 300.000 vetë janë prekur nga pasojat e tërmetit në Marrakesh dhe zonat përreth.

Forcat e shpëtimit nxjerrin të plagosur nga rrënojat
Fotografi: FADEL SENNA/AFP

Mbreti Mohamed VI shpalli tre ditë zie kombëtare. Tërmeti 6,8 ballë goditi natën e së shtunës në malësitë e Atlasit, 70 km në jug të Marrakeshit. Që atëherë ka pasur shumë tërmete të vogla pasuese.

la/dpa,afp