1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro Vertrag

9 Dhjetor 2011

Vendimi bazë për krijimin e një unioni fiskal në Evropë tashmë është marrë. Tani ekspertët duhet të përpunojnë detajet brenda vetëm tre muajsh. Çfarë parashikon marrëveshja e re?

https://p.dw.com/p/13Paa
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel në Bruksel 09.12.2011
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel në Bruksel 09.12.2011Fotografi: dapd

Në fillim të ditës së dytë të samitit të BE-së Në Bruksel, (9.12.), kancelarja Merkel bëri të qartë se ajo pret një qetësim të tregjeve financiare dhe më shumë besim tek Eurozona. "Çdokush në botë mund të shohë se kemi mësuar vërtet nga gabimet e së kaluarës", tha Merkel në Bruksel. Fakti që Britania e Madhe pengoi një marrëveshje mes 27 vendeve anëtare të BE-së, nuk është aq dramatik, tha kancelarja. E rëndësishme është të mos ketë kompromise të rreme, por rregulla të forta dhe disiplinë tha Merkel.

Marrëveshja e re për Eurozonën plus gjashtë vende të tjera të BE-së, të cilat nuk e kanë ende euron si mjet pagese, do të formulohet deri në fillim të muajit mars. Marrëveshja do të jetë baza e një unioni fiskal, pra një bashkëpunimi të ngushtë në politikën buxhetore të 23 vendeve. Por cilat janë instrumentet e veçantë të një menaxhimi më të mirë buxheti?

Aspekte të rëndësishme të unionit fiskal

Frena e borxheve: të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes bien dakord për instalimin e një frene për borxhet. Në kushtetutë apo në ligje të një rangu të ngjashëm të lartë, duhet përcaktuar që deficiti strukturor të arrijë maksimumi 0,5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Kufiri i deficitit në Unionin Monetar është sot 3% e PBB. Në Gjermani kufiri për hyrjen në borxh është nga viti 2016, 0,35%. Një mundësi shmangie ekziston: kufiri i sipërm mund të kapërcehet në "rrethana të jashtëzakonshme", si recesione të rënda apo katastrofa natyrore. Zbatimi i frenës së borxheve në të drejtën kombëtare, do të mbikqyret nga Gjykata Evropiane.

Kontrolle të buxheteve: Anëtarët e paktit të ri për euron duhet t'ia paraqesin buxhetet e tyre kombëtare Komisionit të BE-së, përpara se të miratohen përfundimisht nga parlamentet përkatëse. Komisioni i BE-së në rast shkeljesh të kufijve të lejuar të borxhit, mund të vendosë rregulla, të cilat duhen pranuar nga parlamentet kombëtare. Kështu Komisioni i BE-së merr shumë më tepër përgjegjësi nga sa ka sot.

Masa automatike: Nëse Komisioni i BE-së konstaton shkelje të rregullave të unionit fiskal apo deficite shumë të larta, ai hap një procedurë, e cila rrjedh sipas hapash të paracaktuar, pra në mënyrë thuajse automatike. Deri tani procedurat për deficitin duhej të miratoheshin nga ministrat e Financave. Në të ardhmen një procedurë deficiti mund të pengohet vetëm nëse dy të tretat e ministrave të financave vendosin shfuqizimin e mekanizmit automatik. Ky rregull ishte miratuar për unionin monetar, deri tani në fuqi. Se çfarë sanksionesh janë parashikuar, pra sanksione monetare, heqje e të drejtës së votës etj, nuk është vendosur ende.

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të unionit të ri fiskal do të takohen çdo muaj, për t'u konsultuar për politikën e përbashkët buxhetore. Kjo do të ishte edhe "qeveria ekonomike" për të cilën është folur aq shpesh.

Refuzim i eurobondeve

Me harmonizimin e politikës fiskale nuk është vendosur edhe një ndarje e përbashkët përgjegjësie për borxhet. Gjermania dhe vende të tjera të Eurozonës, të cilat kanë aftësi të mirë paguese, i refuzojnë eurobondet, pra obligacionet e përbashkëta shtetërore. Ky mund të ishte një hap në fund të zhvillimit të një unioni fiskal, pati thënë në qershor 2011 kancelarja Merkel.

Marrëveshja e së drejtës ndërkombëtare mes 23 shteteve, për krijimin e një unioni fiskal, lidhet jashtë marrëveshjeve të deritanishme të Lisbonës, mbi bazën e të cilave funksion BE. Rregullat e deritanishme për procedurën e deficitit në Eurozonë, do të jenë edhe më tej në fuqi. Kjo mund të sjellë konflikte ligjore. Ky konstruksion nuk është "zgjidhja më e pastër", u tha nga qarqet e delegacionit gjerman. Por për shkak të refuzimit të kryeministrit britanik David Cameron mbeti e vetmja alternativë.

Edhe Hungaria refuzon në mënyrë strikte të marrë pjesë në unionin fiskal. Suedia dhe Çekia do të konsultohen fillimisht me parlamentet kombëtare. Marrëveshja duhet të ratifikohet dhe të hyjë në fuqi deri në fund të vitit 2012. Unioni fiskal synon të rifitojë besimin e tregjeve financiare në obligacionet shtetërore të Eurozonës. Për periudhën afatshkurtër, kryetarët e shteteve dhe qeverive ranë dakord për këto "masa zjarrëfikësi":

Shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker
Shefi i eurogrupit Jean-Claude JunckerFotografi: dapd

Fond emergjence pranë FMN-së: Brenda 10 ditëve të ardhshme shtetet e Eurozonës do të vendosin për transferimin e 200 miliardë eurove tek FMN në Uashington: Këto para do t'u jepen si kredi shteteve të Eurozonës në situatë të vështirë, si Italia, por shoqëruar nga kushte shumë të rrepta. Se nga cilat burime do të vijë ky fond emergjence është ende e paqartë. Në diskutim është mundësia e marrjes së fondeve nga bankat qendrore, të cilat mund t'i merrnin paratë hua nga Banka Qendrore Evropiane. Por kjo u refuzua të enjten (08.12.2011) nga presidenti i ECB-së, Mario Draghi.

Mekanizmi europian i stabilitetit: Fondi afatgjatë i shpëtimit (ESM) do të jetë disponibël një vit përpara planit, dhe do të fillojë punën në verë 2012. ESM do të pajiset më parë me kapital bazë nga buxhetet kombëtare. Ai do të ketë një volum prej deri 500 miliardë eurosh. Ngritja e tij do të zgjasë disa vite. ESM nuk do të ketë njëherë për njëherë liçencë bankare, pra nuk mund të huazojë vetë para nga ECB. Vendimi i ESM se cili vend mund të marrë kredi, nuk do të merret më njëzëri por me një shumicë prej 85% të aksioneve në kapitalin e fondit. Kështu është e përjashtuar një bllokadë nga shtetet e vogla. Ndërsa Gjermania ka praktikisht të drejtë vetoje.

Asnjë përgjegjësi për kreditorët: Në të ardhmen nuk do të ketë më pjesëmarrje të kreditorëve privatë në ristrukturimin e borxhit të shteteve. Ky është një sinjal i qartë për tregjet financiare, se blerja e obligacioneve shtetërore evropiane nuk mbart rreziqe shtesë.

Autor: Bernd Riegert / E. Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi