Marshimet e nazistëve në Dresden
11 Shkurt 2012Ishte pak pas orës 22:00, kur më 13 Shkurt të vitit 1945, disa qindra kryesisht bombardues britanikë u shfaqën në qiellin pa re të Dresdenit. Dhe atyre nuk iu deshëm më shumë se 15 minuta kohë për të kthyer në hi dhe gërmadha rreth tre të katërtat e qytetit. Disa orë më vonë u krye një sulm i dytë, i cili shkaktoi një stuhi zjarri. Mbi 20 mijë njerëz ranë viktimë e flakëve të zjarrit.
Historianët zihen ende rreth asaj, nëse ka pasur kuptim që të shkatërrohej ushtarakisht Dresdeni, i cili për shkak të arkitekturës së tij baroke njihet ndryshe edhe si Firenca e Elbës. Sidoqoftë shkatërrimi i qytetit ishte një goditje e rëndë për Gjemaninë naziste. Afro tre muaj më vonë i ashttuquajturi "Rajhu i Tretë" kapitulloi pa kushte.
Bien këmbanat e të gjitha kishave
Në shenjë përkujtimi të bombardimit të qytetit që nga viti 1946 në çdo 13 Shkurt bien këmbanat e kishave të Dresdenit. Por që nga viti 1998 një hije ngjyrë kafe ka rënë mbi këtë ditë përkujtimore. Ekstremistë të krahut të djathtë organizojnë që atëherë tubime, në tö cilat ata mohojnë fajin gjerman të luftës dhe Holokaustin. Diçka, që kishte filluar me më pak se njëqind pjesëmarrës, me kalimin e kohës është kthyer në tubime masive. Deri në 6.500 neonazistë morën pjesë viteve të fundit në të ashtuquajturin "Marshi Funebër" nëpër qendër të qytetit.
Nga ana tjetër gjithnjë e më shumë njerëz nga Dresdeni dhe jashtë tij kundörshtojnë veprimet e neonazistëve. Rreth 15 mijë vetë morën pjesë në vitin 2011 në një zinxhir njerëzor. Aleanca "Dresdeni pa nazistë" organizoi një bllokadë të suksesshme kundër paradës bojëkafe. Kjo çoi në përleshje të dhunshme me policinë, e cila ndërhyri kundër demonstratëve anti-nazistë. Nga këndvështrimi i qeverisë së landit bllokimi i rrugëve të demonstratave të paralajmëruara, që kanë lejen e policisë paraqesin shkelje ligjore.
Politikanët dhe autoritetet në Saksoni që atëherë përballen me akuzën se po kriminalizojnë kundërshtarët e neo-nazistëve. Për një "shtrembërim të ligjit" dhe "stigmatizim", flet sekretari i përgjithshëm i Këshillit Qendror të hebrenjve në Gjermani, Stephan Kramer. Ai mbështet qartë protestat me bllokimin e rrugës. Edhe kryetari i Këshillit Qendror të myslimanëve, Aiman Mazyek, sipas aleancës "Dresdeni pa nazistë" mbështet këtë formë të protestës.
Thirrje e përbashkët e kishave gjermane
Për protesta kundër ekstremizmit të djathtë kanë bërë thirrje edhe ipeshkvët katolikë dhe evangjelistë. Në një deklaratë e përbashkët ata bëjnë thirrje që sidomos tani pas zbulimit të vrasjeve të celulës terroriste "Ilegaliteti nacionalsocialist" nga Zwickau: "Eshtë veçanërisht me rëndësi që sa më shumë njerëz edhe jashtë kufijve të qytetit të dërgojnë një sinjal të dukshëm kundër terrorit të krahut të djathtë dhe përcaktimeve antinjerëzore," thuhet në thirrje. Megjithatë jo të gjithë përfaqësuesit e dy kishave më të mëdha krishtere në Gjermani janë në favor të bllokimit të rrugëve nga protestuesit.
Politikani i të Gjelbërve Kiliç, me profesion jurist, e sheh të drejtë nga ana ligjore këtë formë të protestës:
"Një demonstrim paqësor në fund mund të shkaktojë një bllokim. Në qoftë se disa mijëra njerëz dalin për të marshuar kundër neonazistëve, atëherë nuk mbetet vend për nazistët që të marshojnë ata. Prandaj unë vetëm mund të këshilloj njerëzit që të demonstrojnë në mënyrë paqësore. Ata duhet të jenë aq shumë, sa mos të mbetet vend për nazistët."
Autorë: Marcel Fürtsenau / Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica