Masa të forta sigurie para protestës në Tiranë
21 Shkurt 2019Opozita pritet të zhvillojë sot ( 21.02.2019), përballë Parlamentit, protestën e saj të dytë masive për të rrëzuar qeverinë Rama dhe shkuar në zgjedhje parlamentare të parakohshme. Që protesta e sotme zhvillohet në një situatë të radikalizuar të flet rrethimi i perimetrit të Parlamentit me tela me gjemba. Situata është ndezur të mërkurën në mbrëmje (20.02) kur deputetët e opozitës dhanë dorëheqje të parevokueshme nga mandatet e tyre parlamentare dhe u brohoritën nga një turmë militantësh para selisë së PD, që risolli atmosferën e mitingjeve të militantëve në vitete 90-të.
Që nga lideri historik i PD, Sali Berisha dhe deri tek deputetë e rinj, anonimë dhe pa histori me PD, nënshkruan dokumentin përkatës për dorëheqjen e tyre. Në letrën standarte, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, nga ҫdo deputet i PD, një vendim i tillë përligjet me realizimin citoj "të zgjidhjes politike të ofruar nga opozita e bashkuar për një qeveri tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokim të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare”. Lideri i PD, Basha theksoi mbrëmë se citoj,”përmes këtij vendimi synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat europiane. Ky vendim është vetëm fillimi i një beteje për Shqipërinë, për demokracinë”.
Rrezik për dhunë
Shqetësimi për degjenerimin e protestës në akte dhune është i madh. Ajo që ndodhi më16 shkurt, të shtunën e kaluar, në protestën para kryeministrisë, është një zile e fortë alarmi. Nuk ka asnjë garanci që mesazhet e BE, ambasadorëve të vendeve anëtare dhe SHBA do të dëgjohen në protestën e sotme. Ambasadori i Delegacionit të BE, Soreca, bëri thirrje mbrëmë që kësaj here „të mos ketë dhunë dhe që proceset demokratike të vijojnë”. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz në një deklaratë për mediat theksoi se „dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme dhe u bëri thirrje gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore." Ambasadorja gjermane foli edhe për përgjegjësinë që mbajnë organizatorët që situata të mos përshkallëzohet”. Edhe Prania e OSBE-së në Shqipëri këshillon që të „mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik, të mos përmbyset përparimi i Shqipërisë në dobi të një grushti dhunuesish”.
Masa të jashtëzakonshme kundër akteve potenciale të dhunës
Rrethimi i Parlametit me tela me gjëmba është kundërpërgjigja ndaj informacioneve të policisë se "protestuesit synojnë të hynë brenda godinës së Parlamentit dhe ta djegin parlamentin”. Në një deklaratë të Policisë së Shtetit, një ditë para protestës theksohet se "ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Në këto kushte Kryetari i Parlamenti, Gramoz Ruҫi ka anulluar zhvillimin e seancës plenare.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për DW se janë angazhuar një numër shumë i madh policësh për të ruajtur rendin publik gjatë protestës në mjediset jashtë godinës së Parlamentit, ndërsa brenda saj është Garda e Republikës. Policia e Shtetit paralajmëron, protestuesit se do të përgjigjet me forcën e ligjit "ndaj atyre që kryejnë akte të dhunshme dhe të paligjshme në protestën e sotme”. Policia sugjeron që gazetarët të pajisen me maska antigaz.