1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbyllet sipari i Javëve Gjermane 2011

14 Nëntor 2011

Aktivitetet ishin si një pikë takimi për artdashësit që kërkojnë të njohin krijimtarinë e autorëve gjermanë, përkthimin e tyre në gjuhën shqipe qoftë nga fondi klasik ashtu dhe nga ai bashkëkohor.

https://p.dw.com/p/13ADC
Mbyllen Javët Gjermane
Mbyllen Javët GjermaneFotografi: DW / Cama

Njëri nga organizatorët kryesorë të Javëve Gjermane 2011, Harald Schindler, atashe për kulturën në ambasadën gjermane në Shqipëri thotë për DW se këtë vit u bënë përpjekje për një format të ri të kalendarit të aktiviteve. “Krahas aktiviteteve kulturore, si koncerte, ekspozita, shfaqje filmi, pjesë teatrale, prezantime librash etj., ne mbajtëm një fokus kryesor që kishte lidhje me ndryshimet klimatike, me eficencën e energjisë së rinovueshme dhe me angazhime të edukimit mjedisor tek fëmijët e të rinjtë. Ky përqëndrim ishte një investim për të tërhequr sa më shumë vëmendjen tek këto probleme që sot kanë natyrë globale, por janë të dukshme dhe për realitetin shqiptar. Ngacmimi për hapjen e diskutimeve të tilla, zgjerimin e fushatave sensiblizuese është një tregues pozitiv, për të qënë jo thjesht soditës të realitetit, por dhe aktiv në hedhjen e ideve e strategjive, për të kontribuar në ndryshimin dhe përmirësimin e situatës në favor mirëqënies së vetë qytetarëve dhe komunitetit të tërësi”.

Harald Schindler, atashe për kulturën në ambasadën gjermane në Shqipëri
Harald Schindler, atashe për kulturën në ambasadën gjermane në ShqipëriFotografi: DW

Ndryshimet klimatike, aktuale për realitetin shqiptar

Aktualitetin për tematikën e ndryshimeve klimaterike dhe energjive të rinovueshme e përmendi në hapje të Tetorit Gjerman dhe Carola Müller-Holtkemper, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri.

“Sipas disa studimeve të Bankës Botërore të vitit 2009 dhe 2010 Shqipëria është një prej vendeve më të pambrojtura në rajon: efektet e ndryshimeve klimaterike kanë nisur të vihen re që tani, pasi në pesëmbëdhjet vitet e fundit temeperaturat mesatare janë rritur, sasia e reshjeve ka rënë, ndërsa numri i ngjarjeve ekstreme të motit është rritur. Ndërsa kapaciteti administrativ i Shqipërisë për t'u bërë ballë këtyre sfidave, nëse u referohemi studimeve të Bankës Botërore, është i vogël”.

Carola Müller-Holtkemper, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri
Carola Müller-Holtkemper, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në ShqipëriFotografi: DW

Në Javët Gjermane pati aktivitete të tilla, si ekspozitë teknologjike për përvojën e energjive të rinovueshme në Gjermani, tryeza e rrumbullakët mbi shfrytëzimin e qëndrueshëm të energjisë në Shqipëri, prezantimi i rezultateve mbi nivelin e mbrojtjes së mjedisit në Tiranë, ekspozitë posterash me temën “Uji është e ardhme”, ditët e mjedisit Korcë –Ohër – Prespë, promovimi i librit “Ruajtja e sistemeve ujore të Shqipërisë së veriut”, fushatë sensibilizuese mes nxënësve të shkollave në Tiranë e Durrës për kontributin e gjithësecilit në çështjet e klimës etj.

Filmat gjermanë për integrimin e të huajve
Një pikë kulmore e Javëve Gjermane 2011 ishte dhe shfaqja e tre filmave të rinj gjermanë që ishin pjesmarrës dhe në Festivalin e Berlinit të këtij viti. Artdashësit shqiptarë kishin rast të shikonin filmin “E huaja” të regjisorit Feo Aladag, i nominuar për Oscar; filmin dokumentar argëtues “Neukolln Unlimmited” me regji të Agostino Amondi Dietmar Ratsch; dhe filmi i tretë ishte “Almanya , Willkommen in Deutschland”, një realizim humoristik nga regjisorja gjermane me origjinë nga Turqia, Yasemin Samdereli. E përbashkëta e tre prodhimeve kinematografike gjermane kishte integrimin e të huajve, kërkimin e identitetit – një karakteristikë e më shumë se 6.7 milion të huajvë që jetojnë në Gjermani dhe rreth 15.5 milion banorëve me prejardhje të huaj, kryesisht nga Turqia.
Njëra nga organizatoret e shfaqjes së filmave, Brigitta Grau-Günther, drejtore e Deutschzentrum Tirana thotë për DW se ishte një sukses i jashtëzakonshëm.
“Salla e shfaqjeve në kinema Millenium ishte plot. Nuk mundëm t`i sistemojmë brenda të gjithë ata që kishin interes për filmat. Ajo që më bëri përshtypje ishte diskutimi që ngjallën prodhimet kinematografike mes shikuesve. Integrimi i të huajve është një fabul që tërheq, pasi në cdo vend gjen emigrantë, me fate të ndryshme njerëzore, po kështu dhe shumë shqiptarë kanë emigruar në vende të tjera, si në Greqi, Itali, Gjermani apo shtete të tjera të botës”.
Për Andetën, studente të degës së punëve sociale, “Almanya, Willkommen in Deutschland” ishte një film jetësor nga emigracioni i turqve në Gjermani. “Skenat kishin detaje të këndshme që shkaktonin humor, por dhe ngrinin problemin e raporteve mes gjermanvë e turqve.”
Kurse për Endritin, student nga Akademia e Arteve të Bukura, që ka ndjekur të tre filmat, “E huaja”, sipas tij, është filmi gjerman më i mirë që ai ka parë deri më sot. “Realiteti i ashpër në familjet e emigrantëve na sjell në mendje panoramën sociale ballkanike. Dy orë film kalonin në një ritëm dhe kolorit të admirueshëm.”
Harald Schindler, atashe për kulturën në ambasadën gjermane në Shqipëri, thotë se Javët Gjermane 2011 nuk do të ishin konkretizuar pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve nga fusha e biznesit dhe institucionet artistike e kultuore. Kalendari përfshinte aktivitete që u zhvilluan në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit nga data 30 shtator deri më 12 nëntor.

Brigitta Grau-Günther, drejtore e Deutschzentrum Tirana
Brigitta Grau-Günther, drejtore e Deutschzentrum TiranaFotografi: DW/Ani Ruci

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama