Merkel: Duhet të nxjerrim mësime nga Afganistani
16 Gusht 2021Ardhja e befasishme e talibanëve në pushtet e ka gjetur të papërgatitur qeverinë gjermane. Në një konferencë për median, të hënën në mbrëmje në Berlin, kancelarja gjermane e pranoi se e kishte nënvleftësuar situatën. Talibanët pushtuan Afganistanin me "shpejtësi marramendëse". Ky është një "zhvillim jashtëzakonisht i hidhur sidomos për njerëzit që janë në Afganistan", tha kancelarja dhe shtoi: "Një zhvillim i hidhur edhe për Gjermaninë". Asnjëherë nuk duhen harruar 59 ushtarët e Bundeswehr-it që humbën jetën në këtë operacion", kujtoi ajo.
Ndihmë për vendet fqinje
“Gjermania po bën gjithçka që mundet për të nxjerrë jashtë gjermanët dhe stafin afgan, por edhe njerëz që kanë punuar me Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillimin dhe organizatat joqeveritare“, shtoi më tej kancelarja.
Nga 2.500 punonjësit vendorë, së bashku me familjet, 1900 janë në Gjermani ose në vende të tjera të sigurta, tha kancelarja. Të gjithë të tjerëve - punonjësit e organizatave joqeveritare dhe aktivistët për të drejtat e grave, për shembull - të cilët nuk kanë punuar drejtpërdrejt për qeverinë gjermane duhet t'u gjendet "një vend i sigurt pranë Afganistanit ku mund të strehohen," -tha kancelarja.
Për të shmangur përsëritjen e situatës së vitit 2015, kur Gjermania u përball me një fluks të madh refugjatësh në kufirin me Austrinë, qeveria gjermane dhe vende të tjera të BE-së duan të ndihmojnë vendet fqinje që do të përballen me flukse refugjatësh nga Afganistani. Kancelarja tha se “nuk duam të përsërisim gabimet e së kaluarës, prandaj duam t’i japim më shumë mjete UNHCR-së, agjencisë së OKB-së për ndihmë ndaj refugjatëve."
Nënvleftësuam gjendjen
Tashmë prej disa javësh organizatat humanitare në Gjermani po bëjnë thirrje për evakuimin e bashkëpunëtorëve vendorë, që janë të kërcënuar nga talibanët. Qeveria gjermane u është përgjigjur një numri të madh pyetjesh të shtruara nga gazetarët në konferencat e rregullta për shtyp, duke thënë se i ka marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë të rrezikuarve. Vetëm sot ajo e pranoi se nuk e kishte vlerësuar siç duhet situatën:
“Ne të gjithë - dhe unë marr përgjegjësinë - e gjykuam gabim situatën. Që nga tërheqja e trupave të huaja, bashkësia ndërkombëtare pa se si talibanët, me shpejtësi marramendëse e morën nën kontroll krahinë pas krahine, qytet pas qyteti, të gjithë vendin“, tha kancelarja. Edhe ministri i Jashtëm Heiko Maas kishte pranuar më parë, se marrja e papritur e pushtetit nga talibanët në Hindukush kishte qenë më e shpejtë se ç’ishte parashikuar. "Nuk ka asgjë për të sqaruar: Të gjithë ne - qeveria federale, shërbimet sekrete, bashkësia ndërkombëtare - ne e nënvleftësuam situatën."
Mision jo aq i suksesshëm
Kancelarja u shpreh kritike edhe ndaj operacionit ushtarak ndërkombëtar në Afganistan, ISAF. Pothuajse 20 vitet e shërbimit nuk ishin "aq të suksesshëm sa kishim dashur". “Ky është një mësim jashtëzakonisht i hidhur", shtoi ajo. Aleatët duhet të pranojnë se këto nuk ishin përpjekje të suksesshme, dhe se duhet të nxjerrim mësim prej misioneve të tilla. Merkel shtoi se në të ardhmen, në operacione të tilla, përcaktimi i qëllimeve duhet të bëhet më i ngushtë.
Merkel tha gjithashtu se qeveria gjermane, me gjithë ardhjen në pushtet të talibanëve, do të vazhdojë ndihmën e saj për zhvillimin me anë të Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ-it. “Kjo është dëshira e vendasve dhe e bashkëpunëtorëve tanë atje”, tha kancelarja.
Priten flukse refugjatësh
Ndërkohë gjendja kaotike në aeroportin e Kabulit e ka vonuar evakuimin e stafit gjerman dhe ndihmësve të tyre afganë. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, dy avionë të ushtrisë gjermane të tipit A 400 M fillimisht kishin ndaluar në Baku, Azerbajxhan, sepse nuk kishin gjetur mundësi për të zbarkuar në Kabul për shkak të skenave kaotike. Njëri prej avionëve më pas u nis, por nuk kishte gjetur vend për t’u ulur në aeroportin e Kabulit, bëjnë të ditur burime gjermane.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, tha të hënën paradite në konferencën e rregullt të shtypit, në Berlin se Gjermania llogarit me flukse refugjatësh në Evropë. Por pa dhënë shifra konkrete se sa të larta janë ato. Ajo e la të pakomentuar pyetjen e DW për gatishmërinë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për të strehuar përkohësisht refugjatë nga Afganistani. Të martën dhe të mërkurën do të mblidhen ministrat e të Jashtëm, përkatësisht të brendshëm, të BE-së në dy takime të veçanta për të biseduar më hollësisht se si do ta përballojnë gjendjen e krijuar në Afganistan dhe në vendet fqinje.