Mes Perëndimit dhe Lindjes
18 Maj 2014Të hënën e ardhshme (19.05.2014) Presidenti i Iranit Hassan Rohani shkon në një vizitë të rëndësishme në Shangai. Në Conference on Interaction and Confidence Building Measures in Asia (CICA), ai dhe 24 politikanë të tjerë të nivelit më të lartë nga Azia dhe Afrika do të diskutojnë dy ditë me radhë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë. Të ftuar nga Londra, Berlini dhe Uashingtoni janë atje të pranuar vetëm si vëzhgues. Tani Perëndimi ulet në tavolinën e parëndësishme. Për Rohanin bëhet fjalë për një nga takimet e rralla shumëpalëshe, në të cilin Irani, fuqia kryesore mes Kinës dhe Gjirit, mund të paraqesë pikëpamjet e veta. Vërtet situtata mes vendit të tij dhe kombeve perëndimore është qetësuar që prej marrëveshjes së re të Gjenevës për programin bërthamor të Iranit. Megjithatë politikanët perëndimorë vazhdojnë ta trajtojnë Iranin si një fëmijë të pasjellshëm. Ky nuk është një pozicion i mirë nisjeje për kompromise afatgjata. Pra kompromise për të cilët janë të bindura të dyja palët.
Në Azi punët janë ndryshe: veçanërisht me Kinën Irani ka tradicionalisht një raport të mirë. Sanksionet nuk janë për Pekinin një mjet i përshtatshëm pushteti. Motoja e tij është më tepër: ndryshim përmes afrimit: sa më të mëdha të jenë dallimet aq më shumë duhet të flitet me njëri-tjetrin. Në prill ishte në Pekin ministri i Mbrojtjes Hossein Dehqan. Në fillim të majit ministri i Financave dhe Ekonomisë Ali Tayyeb-Nia.
Bashkëpunimi i ngushtë ekonomik me Iranin nuk shërben vetëm për të siguruar me çdo kusht furnizimin e Kinës me naftë dhe gaz. Pekini i sheh ato edhe si mjetin më të mirë kundër mentalitetit të ngushtë fetar dhe ideologjik. Pekini, ndryshe nga mullahët në Iran është thellësisht i bindur se feja nuk duhet të ndërhyjë në asnjë mënyrë në politikë. Megjithatë Pekini nuk e trajton Teheranin si inferior. Irani është "partner strategjik".
Tradita e gjatë e partneritetit kinezo-iranian, e bën më të lehtë bashkëpunimin. Që para 2000 vjetësh të dy vendet kryenin tregti përmes Rrugës së Mëndafshit, këmbenin mallra dhe dije. Atëherë Perëndoria Perse dhe Kineze ishin dinastitë e rajoneve të tyre. Respekti karakterizonte marrëdhëniet megjithë dallimet në pikëpamje. Edhe sot nuk është ndryshe.
Përballë politikës së izolimi të Perëndimit, Kina është më e rëndësishme se kurrë. Si partneri më i rëndësishëm tregtar, kinezët në këmbim të naftës, ndërtojnë infrastrukturën iraniane, livrojnë trena të rinj në këmbim të gazit natyror. Së fundi u iniciuan 15 projekte të reja në sektorin iranian të energjisë, për një volum prej 3 miliardë dollarësh. Dhe në këtë sfond mund të kërkohet mirëkuptim edhe në çështje të politikës globale.
Por Kina e vetme nuk mund ta shpëtojë ekonominë e Iranit. Vendi që dikur kishte një ekonomi të lulëzuar, gjendet në prag të kolapsit. Uashingtoni e ka paralizuar thuajse plotësisht tregtinë e jashtme iraniane. Çdo komb që nuk kufizon tregtinë e tij me Iranin, kërcënohet me sanksione nga amerikanët. Edhe sipërmarrjet të cilat nuk luajnë sipas rregullave të lojës të SHBA, duhet të llogarisin me disavantazhe në tregun amerikan, ka bërë të qartë Uashingtoni. Siç u bë e ditur së fundi, FBI, ka vendosur një çmim prej 5 milionë dollarë për një biznesmen kinez, i cili akuzohet për tregti armësh. Për Pekinin kjo është një ndërhyrje e paturpshme në marrëdhëniet dypalëshe.
Por as Pekini nuk bashkëpunon pa kushte me Iranin. Për t'i bërë politikanët iranianë të arsyeshëm, koncerni kinez i naftës CNPC shtyu shpimet në një nga rezervat më të mëdha të botës me naftë, fushat Asadegan në perëndim të Iranit. Por kjo është sidoqoftë trysni në kuadër të një miqësie dhe jo armiqësi.
Pak përpara vizitës së presidentit Rohani në Kinë, javën e kaluar ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve, theksuan synimin për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak. Irani është një shembull që tregon se politika e Perëndimit nuk është më e mira e mundshme. Ndërkohë edhe Rusia gjithashtu. Disavantazhi më i madh i presionit politik është se ai detyron, por nuk bind dhe funksionion vetëm kur të gjithë marrin pjesë. Kina për shembull nuk dëshiron dhe nuk e ka më të nevojshme ta bëjë, pasi ka alternativa më kuptimplota ndaj politikës perëndimore. Këtë e pranon tashmë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon. Ai do të marrë pjesë në takimin e CICA në Shangai të martën e ardhshme
Korrespondeti i DW Frank Sieren jeton prej 20 vjetësh në Pekin.