1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra vetë demonstrojnë në Berlin kundër antisemitizmit

11 Dhjetor 2023

Protesta drejtohej kundër rritjes prej 300% të krimeve kundër hebrenjve që nga shpërthimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në tetor. Një protestë e ngjashme në kryeqytetin belg tërhoqi gjithashtu mijëra njerëz.

https://p.dw.com/p/4a0kO
Demonstra në Berlin me sloganin: Kurrë më është tani
Demonstra në Berlin me sloganin: Kurrë më është taniFotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Disa mijëra njerëz protestuan të dielën në kryeqytetin gjerman, Berlin, kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe racizmit.

Marshimi i protestës u ndërmor përballë rritjes së incidenteve antisemite që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe nisja e ofensivës izraelite në Gaza.

Një protestë e ngjashme u mbajt në kryeqytetin belg, Bruksel, në mbështetje të komunitetit hebre të vendit.

"Kurrë më" është tani

Në Berlin, protestuesit duruan shiun e madh kur marshuan nga Tiergarten drejt portës së Brandenburgut nën sloganin "Kurrë më është tani", një referencë për Holokaustin dhe krimet e kryera nga qeveria naziste.

Policia e vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në 3200 vetë, kurse organizatorët thanë se prisnin 10.000 vetë që të merrnin pjesë në marshim.

Protesta e Berlinit
Fotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Josef Schuster, President i Këshillit Qendror të Hebrenjve, tha në këtë ngjarje se ai ndonjëherë nuk e njeh Gjermaninë, sepse "diçka ka dalë jashtë kontrollit", duke iu referuar rritjes së incidenteve antisemite në vitet e fundit, veçanërisht që nga fillimi i konflikti i fundit mes Izraelit dhe Hamasit.

"Ka ende një mundësi për të riparuar këtë situatë, por për ta bërë këtë duhet të pranojmë edhe atë që ka ecur keq në vitet e fundit, atë që nuk mundëm ose nuk donim të shihnim”, shtoi ai.

Në protestë morën pjesë edhe ministri i Punës, Hubertus Heil, dhe Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas.

 Slogani: Kurrë më është tani te Porta e Brandenburgut
Slogani: Kurrë më është taniFotografi: Sergej Glanze/Funke Foto Services/IMAGO

Gjermania ka ndaluar disa demonstrata propalestineze javët e fundit, pasi disa protestues brohoritën slogane antisemite në manifestimet e mëparshme.

Gjermania ka regjistruar gjithashtu qindra vepra penale kundër popullit dhe institucioneve hebreje, duke përfshirë sinagogat dhe shkollat.

Megjithatë, një demonstratë propalestineze u mbajt në qendër të Berlinit të dielën, e cila mblodhi 2.500 njerëz në kulmin e saj, sipas policisë.

Demonstrata e Brukselit tërheq 4000 njerëz

Pjesëmarrësit në demonstratën e Brukselit valëvitën flamuj belgë dhe mbanin pankarta që shkruanin "Nuk duhet të jesh hebre për të marshuar kundër antisemitizmit", "Antisemitizmi vret" dhe slogane të tjera.

Joel Rubinfeld, president i Lidhjes Belge kundër Antisemitizmit, tha se Belgjika ka përjetuar "një rritje të madhe" të urrejtjes anti-hebreje në dy muajt e fundit.

"Ne jetojmë në një periudhë shumë të ndërlikuar," tha ai, duke shtuar se demonstrata i dërgon "një mesazh komunitetit hebre në Belgjikë për t'i thënë atij se nuk është vetëm."

Protestat e së dielës ishin të fundit në një seri manifestimesh në kryeqytetet evropiane në mbështetje të komuniteteve hebreje, duke përfshirë ato në Londër dhe Paris.

 

aud/mm(AP, dpa, Reuters)