Millatoviq: Ne do të ndjekim rrugën evropiane
7 Prill 2023Deutsche Welle: Ju keni studiuar jashtë vendit, por jeni kthyer në vendlindje dhe jeni futur në poilitikë. Pse?
Jakov Millatoviq: Unë kam studiuar në Austri e Itali, e më pas kam mbaruar masterin në Oxford. Ish-kryeministri Krivokapiq më ka ftuar të bëhem pjesë e ekipit të tij në vitin 2020. Ai më ofroi postin e këshilltarit për çështje ekonomike dhe u ktheva. Më pas gjërat morën rrugën e vetë.
DW: Në opinion gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet presidenciale është krijuar përshtypja, se po bëhet një garë politike mes kandidatit proevropian Milo Gjukanoviç dhe jush, si kandidat proserb dhe prorus?
Millatoviq: Në fakt këtu kemi të bëjmë me një kandidat patriot malazez, një kandidat demokratik proevropian, i cili ka edhe një sfond akademik ndërkombëtar, siç jam unë në njërën anë, si dhe me një thuajse-diktator, simbol të krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç është Gjukanoviçi. Ai është një simbol i rrënimit të ekonomisë, rrënimit të kompanive, turizmit, hoteleve etj., etj. Kjo ishte në fakt gara dhe jo ajo që pohonte pala tjetër. Unë jam shumë i lumtur që këtë lojë ka fituar "good guy"!
DW: Gjukanoviçi ka humbur zgjedhjet, ju keni fituar, por çfarë ka ndryshuar tani në Mal të Zi?
Millatoviq:Ky është vërtet një hap i madh përpara për ne, është një fitore e madhe e vlerave. Mendoj se Gjukanoviqi është një simbol i kohërave kur kanë mbisunduar jovlerat, kur ka qenë disi normale të vjedhësh, të blihen diploma akademike, kur struktura të ndryshme kanë pasur privilegje. Ishte një kohë kur gazetarët e pavarur janë vrarë ose persekutuar. Edhe Kisha ka qenë e persekutuar në fund. Ajo që unë përfaqësoj është një sitem i vlerave normale, ku nënkuptohet që për sukses duhet të keni edhe një lloj edukimi dhe shkollimi.
DW: Ju keni premtuar luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si do ta bëni këtë?
Millatoviq: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është ndër detyrat më të rëndësishme, sepse këto kanë përfshirë edhe drejtësinë, gjykatat, si dhe policinë dhe struktura të tjera. Milo Gjukanoviç tani ka shkuar, i gjithë sistemi i tij ka kaluar dhe tani na mbetet të luftojmë këto dukuri negative nga brenda dhe t'i kryejmë punët në një formë shumë më të mirë. Parlamenti i parë demokratik i krijuar në vitin 2020 ka bërë disa përparime në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por në opinion akoma mendohet se lufta nuk po bëhet në mënyrën e duhur dhe se kjo luftë duhet të jetë shumë më e fuqishme. Unë besoj se me ndryshimet që duhet bërë në prokurori, në gjykata dhe polici, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe partnerëve evropianë, ne mund të arrijmë më shumë dhe më shpejtë një progres.
DW: Çfarë do të ndodhë tani me zotin Gjukanoviq?
Millatoviq: Puna ime ishte ta mund atë politikisht në zgjedhje. Ndërsa çështje e prokurorisë është të shikojë nëse ka diçka që duhet të ndiqet penalisht. Unë jam i bindur se ka gjëra të tilla, por nuk është puna ime, është punë e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë.
DW: Mendoni se ai do të mbetet në Mal të Zi apo do të ikë nga vendi?
Millatoviq: Me rëndësi është që nëMal të Zi të krijohet një mirëbesim i plotë ndaj organeve të drejtësisë. Kjo është çështje me të cilën duhet të merren policia, prokuroria dhe gjykatat. Kur dihet se ai ka qenë simbol i krimit të organizuar dhe korrupsionit në 30-40 vitet e fundit, mendoj se ky mund të jetë edhe një prej opsioneve.
DW: Ju keni deklaruar se do të keni raporte më të ngushta me Serbinë dhe zotin Vuçiq. Ndërkohë që atje kemi një korrupsion të përhapur, shkelje të të drejtave të mediave, nuk kemi sistem të pavarur të drejtësisë. Ju thoni se do të luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin, e njëkohësisht doni të keni raporte më të ngushta me zotin Vuçiq. Si do ta realizoni këtë?
Millatoviq: Zoti Vuçiq është president legjitim i zgjedhur në Serbi. Ai e përfaqëson Serbinë, ndërsa ajo që kam thënë unë është që do të dëshiroja të kem raporte më të ngushta me Serbinë si shtet, e zoti Vuçiq e përfaqëson këtë vend. Si ekonomist unë mbështes të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, ndërsa Serbia është vendi më i madh dhe më i fuqishëm ekonomik në këtë rajon. Ndaj unë jam i interesuar të kemi raporte të mira, siç kanë Gjermania me Francën, Greqia me Qipron dhe vende të tjera.
DW: Në festimin e fitores suaj ka pasur edhe njerëz të afërt me Rusinë. A do të thotë kjo se është rrezikuar rruga evrpiane ne Malit të Zi?
Millatoviq:: Absolutisht jo.
DW: Si do ta realizoni procesin e integrimin evropian, pasi që këtë keni shpallur si një nga prioritetet tuaja?
Millatoviq: Ndjekja e procesit të integrimit evropian është bërë deri tani vetëm sa për sy e faqe, pa esencë dhe pa reformat e duhura. Ne do ta ndryshojmë këtë. Unë shpresoj se do të jemi pjesë e BE dhe se do të vendosim në praktikë vlerat evropiane.
DW: Si e vlerësoni agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ky është një agresion apo jo?
Millatoviq: Po, është sulm ndaj një vendi sovran. Mali i Zi është pjesë e integrimeve evropiane dhe shpresoj se lufta në Ukrainë do të përfundojë sa më parë. E dyta, kjo ka pasoja të rënda për të gjithë Evropën, sepe ekonomia po vuan, çmimet po rriten. Kjo ndikon negativisht edhe në turizëm, e Mali i Zi varet nga turizmi. Shpresojmë vendosjen e normalitetit dhe përfundimin sa më të shpejtë të luftës.