Mini-Samit i BE-së: Një treshe kundër Merkel-it
22 Qershor 2012Shpenzimet e obligacioneve shtetërore nuk mund të përballohen edhe shumë gjatë nga Spanja, e pranoi Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Spanjolle (AEB), Pedro Pablo Villasante në prag të takimit të nivelit të lartë të katër vendeve më të rëndësishme në zonën e euros në Romë. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy nuk ka nevojë vetëm për afro 100 miliardë euro për të mbështetur bankat që në Spanjë, por ai kërkon urgjentisht gjetjen e blerësve për obligacionet e qeverisë spanjolle.
Për to Spanja duhet të paguajë norma rekorde të interesit në tregun e lirë. Po kështu është rritur edhe kostoja për obligacionet e qeverisë italiane. Prandaj kryeministri Mario Monti, si nikoqir i takimit të nivelit të lartë ka propozuar që partnerët evropianë të blejnë bono të qeverisë italiane. Monti dëshiron tani të arrijë të bindë Bankën Qendrore Evropiane që si në vitin e kaluar të blejë masivisht borxhet e qeverisë italiane dhe spanjolle.
Italia - nikoqire në telashe
Por Banka Qendrore Evropiane heziton për shkak të rreziqeve të mëdha për bilancin e vet. Prandaj kryetari i Bordit Drejtues, Benoit Coeure propozon që financimi i bonove qeveritare të merret përsipër nga fondi për shpëtimin e vendeve të euros. Fondi EFSF i ka mjetet e nevojshme për të bërë një gjë të tillë, thotë Coeure. Por blerjen e letrave me vlerë të borxhit nga ana e EFSF, tani dëshiron ta shmangë Monti edhe pse fillimisht kjo ishte propozuar nga vetë ai. Gazeta italiane "Corriere della Sera", shkruan se Monti i trembet një aksioni shpëtimi nëpërmjet fondit të emergjencës.
Një aksion i tillë mund t'i kushtojë atij humbjen e postit. Kjo për faktin se kritikat ndaj qeverisë së tij janë gjithnjë e më të zëshme në Itali. Partitë, të cilat deri tani e kanë mbështetur atë aktualisht refuzojnë për të miratuar një reformë të rëndësishme për tregun e punës. Sipas raporteve të mediave italiane Monti mund të detyrohet të japë dorëheqjen nëse Italia do të ketë vërtetë nevojë për ndihmën e fondit të shpëtimit. Pastaj Italia në vjeshtë do të kishte zgjedhje të reja. "Vendet që bëjnë përpjekje nuk duhet të dënohen me nivele jonormale të larta të borxhit", thotë Monti, i cili e sheh si detyrim që Evropa të japë ndihmën e saj.
Merkel refuzon miratimin e rreziqeve të reja
Gjermania nuk mbështet propozimin e kryeministrit italian, Mario Monti. Merkel hedh poshtë, siç ka ndodhur herën e fundit në samitin e G20-së, bashkimin e çfarëdo lloji të borxhit ose detyrimi për borxhet e vjetra. Merkel tha javën e kaluar, gjatë një fjalimi në një mbledhje të partisë së saj konservatore, se përgjegjësia e përbashkët mund të ekzistojë vetëm në qoftë se do të ketë edhe kontroll të përbashkët.
Autor: Bernd Riegert/Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi