1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ideja e një „modeli norvegjez“ për Ballkanin Perëndimor?

5 Nëntor 2019

Zgjerimi i BE ka vdekur me kohë, Macron vetëm e ka varrosur, thotë njëra palë. Politikë shkatërrimtare, thonë të tjerët. Tani po ravijëzohet ideja e një „modeli norvegjez“ për BP. Çfarë është kjo e a mund të ketë sukses?

https://p.dw.com/p/3STKo
Symbolbild | Norwegisches Model für Westbalkan
Pamje simbolikeFotografi: DW/N. Rujević

Gerald Knaus duhet ta dijë se ç' po ndodh. Ai është drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, një "think tank" me shumë ndikim në Bruksel. Knaus ka qenë ideatori kryesor i marrëveshjes mes BE dhe Turqisë për refugjatët, që uli ndjeshëm valën e refugjatëve në Ballkan. Në tekstin e publikuar javën që shkoi Knaus e quan veton, me të cilën Emanuel Makron bllokoi fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën – që në fakt ngriu gjithë procesin e zgjerimit të BE, dhënie fund të torturës (coup degrâce). Sikur afrimi i Ballkanit Perëndimor të kishte qenë një dem, shkruan Knaus, atëherë pikadorët e shumtë ndër vite e kanë vrarë kafshën pak nga pak. Makron u shfaq si matador për t‘i dhënë fund mundimit.

BE do të duhej t‘u ofronte të gjitha shteteve të BE mundësinë e aderimit në një treg të përbashkët, si Norvegjia apo Islanda“, shton analisti me ndikim.

Macron e ndërpreu lojën

Knaus nuk është i vetmi. Po shtohen zërat, që thonë se ka rënë ora zero e politikës evropiane në Ballkan, momenti që të varroset koncepti i vdekur prej kohësh i zgjerimit dhe të gjëndet diçka e re. Diçka më pak se zgjerimi, por joshëse sa duhet për t‘i mbajtur shtetet e vogla të Ballkanit në oborrin e BE.

Gazeta Večernje Novosti, duke iu referuar burimeve anonime, informoi se Parisi dhe Berlini janë duke përgatitur ofertën për në pranverë. Në maj liderët e shteteve të rajonit do të mblidhen në samitin e BE në Zagreb. A do të jetë modeli norvegjez mbi tryezë? „Vetoja e Makronit e ka torpeduar të gjithë procesin e zgjerimit. Mendoj se ky ishte qëllimi i tij“, thotë Andreas Ernst, gazetar me përvojë i Neue Züricher Zeitung, i cili për vite me rradhë ka qenë korrespondent i kësaj gazete në Beograd. „Por e mira e kësaj është, se është bërë evidente natyra e gënjeshtërt e marrëdhënieve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.“

Makron qe i gatshëm të ndërmarrë rolin e matadorit. Disa thonë, sepse i druhet forcimit të Marin Lepen në vendin e tij – 58 përqind e francezëve e kundërshtojnë zgjerimin e BE. Të tjerë mendojnë, se Makron po e merr Ballkanin Perëndimor peng, derisa të realizojë vizionin e tij për Evropën.

Mes rreshtave lexohet se presidenti francez dëshiron një BE të disa shpejtësive apo qarqeve koncentrike. Bërthama do të rëndonte rreth boshtit Paris-Berlin, jashtë do të ishin vendet e integruara ne treg, dhe krejt jashtë vendet e asociuara, mes tyre ndoshta Ballkani Perëndimor.

Makron nuk është vetëm. Ai mori mbështetje diskrete nga Hollanda dhe Danimarka. Kritikat nga Berlini për Makronin vijnë me një të shkelur syri – është dashur t‘i lejojmë Shkupit e Tiranës të hapin bisedimet, gjithsesi ata nuk do të hyjnë në BE për të paktën dhjetë vjet. Kjo loja gjermane, thotë Ernst, është edhe më perfide.

Rregullat, thotë gazetari zviceran, janë prej vitesh të tilla: BE bën sikur dëshiron të pranojë vendet ballkanike si anëtare, dhe udhëheqjet e këtyre vendeve sikur zbatojnë reformat. „Kjo do të kishte mundur të zgjaste edhe dhjetë vite të tjera ose përgjithmonë. I gjithë ky teatër dhe gjuha politike për 'perspektivën evropiane' dhe 'vlerat evropiane' kanë marrë tani goditje të rëndë dhe është mirë kështu“, shton ai për DW. „Tani duhet të vijë oferta e re dhe ajo duhet të jetë e mirë.

Justifikim për pushtetarët e Ballkanit?

Kur dy dekada të rrugëtimit evropian me sa duket po përfundojnë në qorrsokak, nuk është e lehtë ta kuptosh atë brenda natës. Të gjitha karrierat politike, skenat e organizatave joqeveritare dhe analistëve kanë qëndruar mbi idenë se rruga drejt Bashkimit Evropian është e vetmja e mundshme dhe nëse të gjithë bëjmë përpjekje, ajo përfundon me anëtarësimin e plotë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përdori një analogji futbolli: gjyqtari ndryshon rregullat gjatë lojës, terreni është i rrëshqitshëm e duhet ndryshuar taktika, por qëllimi strategjik mbetet i njëjti – hyrja në BE. Homologu i tij maqedonas Stevo Pendarovski kërkoi madje një samit rajonal, në të cilin „të gjitha alternativat ndaj integrimit evropian do të refuzoheshin“.

Ky është momenti i ngazëllimit të nacionalistëve dhe euroskeptikëve në të gjithë rajonin në stilin: A ju kemi thënë se BE nuk na do.

„Nuk ndjehem i tradhëtuar“, thotë për DW Vladimir Paviçeviq, njeriu i cili në dy shtete ka mbrojtur politikën e hyrjes në BE. Fillimisht ka qenë nënkryetar dhe deputet i partisë së Re në Serbi dhe tani në Podgoricë është lider i partisë së vogël Crnogorska. „Askush nga BE nuk ka thënë se nuk do të pranohemi, nëse i plotësojmë të gjitha kriteret. Iluzionin se BE sillet në mënyrë të pandershme, mundohen ta krijojnë strukturat qeverisëse, që të fshehin simulimet e reformave dhe të justifikojnë mungesën e suksesit në procesin e bisedimeve“ pohon Paviçeviq.

Deutschland, Westbalkan-Gipfel in Berlin
Samiti i Berlinit me kancelaren Merkel, kryeministren serbe, Brnabic, presidetin Vuçiq dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, 29. Prill 2019Fotografi: Getty Images/C. Koall

Me këtë pajtohet edhe Andreja Stojkovski, analist politik nga Shkupi. Ai nervozohet sidomos, kur politika e zgjerimit shpallet e „dështuar“. „Në Ballkanin Perëndimor ka shtete, që janë të vendosura për të bërë reforma, disa që kryejnë herë pas here reforma dhe ato, që herë pas here thonë se po bëjnë diçka“, shton Stojkovski për DW.

Paviçeviq dhe Stojkovski arrijnë në përfundimin se do të ishte fatale të hiqej dorë nga premtimi, që BE u ka dhënë vendeve ballkanike në Selanik në vitin 2003 – që BE nuk është i plotë pa Ballkanin. „Vetëm procesi i pranimit i sjell kësaj hapësire stabilitet dhe perspektivën e vendosjes së rregullit, ndërsa Evropës forcim të mëtejshëm. Gjithçka tjetër do të ishte një eksperiment i pamatur“, shton Paviçeviq.

Megjithatë duhet theksuar se Makron nuk e justifikoi veton me mungesën e reformave, por me problemet e brendshme të BE. Sipas kritereve tashmë të rrepta të Komisionit Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar të hapin bisedimet, ashtu siç e ka merituar prej kohësh Kosova liberalizimin e vizave. Në vend që të ecet në shtigjet e çelura nga Bullgaria, Rumania apo Kroacia – që patën kritere shumë më të zbutura – tani Ballkanit Perëndimor i ofrohet diçka, për të cilën mediat janë ende në kërkim të emrit më të mirë. Flitet për partneritet të privilegjuar, për zgjerimin "light", por më shpesh për modelin norvegjez.

"Nuk është një model humbës"

Çfarë është modeli norvegjez? Vendi nordik është krahas Islandës dhe Lichtenshteinit anëtar i Hapësirës Ekonomike Evropiane (EEA), një mekanizëm i krijuar në vitin 1992, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e BE-së. Një opcion është, që kur Britania e Madhe të largohet përfundimisht nga BE, të mbetet prapë pjesë e EEA. Tregu është i hapur, ekziston liria e lëvizjes, nuk ka dogana – përveçse për ushqimet dhe pijet, prodhime që subvencionohem shumë në BE, kështu që Norvegjia nuk do që t‘ua hapë krejtësisht dyert. „Pasaporta e Kosovës do të kishte në EEA të njejtën vlerë si ajo norvegjeze dhe shljivovica serbe do të kishte të njëjtin akses në tregun evropian si brandy zvicerian“, shkruan publicisti kosovar Veton Surroi për Koha Ditore. „Një investitor belg do të kishte të njëjtën siguri juridike në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si në Islandë.“

Deutschland, Westbalkan-Gipfel in Berlin
Samiti i Berlinit me kancelaren Merkel, kryeministren serbe, Brnabic, presidetin Vuçiq dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, 29. Prill 2019Fotografi: Getty Images/C. Koall

„Ky nuk është aspak një model humbës për Ballkanin“, thotë edhe gazetari Andreas Ernst. „Është më mirë që në një afat të shkurtër të bëhen hapa të vegjël integrimi, se sa të shpresosh për anëtarësim në BE dhjetë apo njëzet vjet”. Gerald Knaus në tekstin për Iniciativën Evropiane për Stabilitet propozoi që shtetet ballkanike të integrohen gradualisht në fondet evropiane. P.sh. nëse Serbia do ta rregullonte në mënyrë shembullore sektorin e peshkimit, atëherë në këtë fushë mund të trajtohej thuajse si pjesë e BE. Dhe anasjelltas – nëse gjendja përkeqësohet, mund të përjashtohet përsëri nga ky sektor. Këto janë joshje, që mund ta bënin Makronin dhe qeveritarët në Balkanin Perëndimor të dalin me një propozim të tillë. Vuçiqi dhe fqinjët, momentalisht të zënë me planet e Shengenit të Vogël, do të fitonin perspektivë për të futur shpejt vendet e tyre në tregun e një gjysëm miliard njerëzve. Nga ana tjetër presidenti francez do të kishte rast ta ngrinte nën zero historinë e zgjerimit klasik të BE, së paku deri në një rast më të përshtatshëm. Lajtmotivi i kritikave të shumta në drejtim të Makronit është se po ia lë në dorë rajonin Rusisë, Kinë, Turqisë. „Nga gjeopolitike është e pamundur ta kalosh pa e parë betejën në Ballkanin Perëndimor“, tha Anna Wieslander nga Këshilli Atlantik për New York Times. „Franca ose nuk e sheh, ose kjo është e pranueshme për të.”

“Gazetari zviceran Andreas Ernst është i bindur se modeli zviceran është i mjaftueshëm, që BE të mos ia lërë Ballkanin lojtarëve të tjerë. „Aksesi në EEA është esenciali – këtu është aksesi në fondet e infrastrukturës, është një instrument që i bën më pak tërheqëse për shembull projektet kineze të infrastrukturës apo marrëveshjen me Unionin Euroaziatik. Pra kjo i jep BE pushtet dhe ndikim“, thotë ai për DW.

Llogaritja ka shumë të panjohura. A është e gatshme Gjermania të pranojë? Si do t‘ua shesin këtë histori qytetarëve stabilokratët ballkanas? A është më mirë për Ballkanin Perëndimor të ketë trumcakun në dorë apo pëllumbin në degë?

Sidoqoftë statusi quoja është prishur, por vakuum në politikë nuk ka. Diçka e re po vjen. Një njohës i rajonit kujtoi këto ditë fjalët, që i atribuohen Churchillit: „Është gjynah ta çosh dëm një krizë të mirë.”