1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281011 Schuldenkrise EZB

1 Nëntor 2011

Ruajtja e stabilitetit të çmimit të euros është detyra kryesore e BQE. Por në kohën e krizës së borxhit autoritetet monetare ballafaqohen me sfida të reja.

https://p.dw.com/p/132Yr
Skulpturë e euros para BQE në Frankfurt mbi Main
Skulpturë e euros para BQE në Frankfurt mbi MainFotografi: AP

Banka Qendrore Evropiane ka një mandat, që qëndron mbi të gjithë të tjerët: Ajo duhet të ruajë stabilitetin e çmimit të euros. Këtë ajo e ka bërë shumë mirë, madje edhe në kohën e krizës financiare dhe të borxheve. Por kriza e borxhit e ka vënë bankën para sfidave të reja. Që kur vendosi për të blerë bonot greke në maj 2010, ajo kritikohet ashpër. Sepse në këtë mënyrë BQE ka tejkaluar mandatin e saj, thonë kritikët. Gertrud Traud e sheh çështjen ndryshe. Ekonomistja kryesore në bankën e landit Hessen-Thüringen, Helaba, pati thënë që atëherë: "Mua më duket gjithmonë interesant, se si për BQE, dogmatikët thërrasin dhe ngrenë zërin, ndërkohë që në krizën financiare, banka e Anglisë dhe banka amerikane, FED, kanë bërë të njëjtën gjë dhe të gjithë i kanë brohoritur. Në rastin e BQE ka gjithmonë standarde të dyfishta matjeje dhe pastaj besohet se mund të bëhet vetëm nëpërmjet instrumenteve fiskalë. Kjo më çudit pak dhe për këtë arsye unë kam tjetër mendim.”

Blerja e bonove e diskutueshme

BQE e ndërpreu përkohësisht blerjen e bonove nga Greqia, Portugalia dhe Irlanda dhe e rinisi atë përsëri në gusht. Këtë herë ajo mbështeti edhe bonot e Spanjës dhe të Italisë. Shefi i BQE Jean-Claude Trichet e shpjegon kështu: "Programi i huasë është hartuar në atë mënyrë, që bën që masat e politikës monetare të funksionojnë duke ndihmuar që të luftohet mosfunksionimi i disa segmenteve të tregut të bonove në zonën e euros."

Sipas Trichet blerja e bonove mbështet masat e politikës monetare, që tashmë i ka ndërmarrë Banka Qendrore Evropiane. Ndërkohë Banka Qendrore Europiane ka letra shtetërore me vlerë në një volum prej 160 miliardë eurosh në depozita. Këtë veprim të shefit të bankës qëndrore Trichet e kritikon Jërg Kramer, kryeekonomist i Commerzbank: "Me këtë vendim ai i ka qëndruar pranë politikës. Unë mendoj se ky vendim ka qenë në fund të fundit i gabuar. Edhe pse është bërë sigurisht i nisur nga një motiv pozitiv. Por unë mendoj se pa vendimin e Bankës Qendrore Evropiane për të blerë bono qeveritare, politika do të kishte reaguar tashmë që kur."

Likuiditet i pakufizuar

Banka qëndrore nuk përpiqet vetëm në këtë mënyrë të stabilizojë tregun financiar. Që nga kriza financiare ajo u vë në dispozicion bankave edhe likuiditet të pakufizuar, nga i cili e privon rregullisht tregun, kur ai nuk është i nevojshëm. Në këtë mënyrë ajo pengon inflacionin. Ky likuiditet suplemantar i nevojitet urgjentisht bankave. Sepse me ashpërsimin e krizës humbet besimi i bankave te njëra-tjera, të cilat për këtë arsye nuk i huajnë më para njëra-tjetrës. Ata kanë frikë, se konkurrentet e tyre mbajnë shumë bono të vendeve në krizë në depozitat e tyre, e prandaj mund të ishin të rrezikuara. Në tetor BQE zgjeroi ofertat e kreditit ndaj bankave. Deri tek norma e kryesore e interesit bankat mund të sigurojnë likuiditet të pakufizuar te BQE. Disa thanë se këtu po qëllohen trumcakët me topa, disa të tjerëve kjo iu duk jo sa duhet e mjaftueshme. Përsa i përket normës së interesit BQE vazhdon të jetë e kujdesshme. Normën kryesore të interesit BQE nuk e ka ulur në muajt e fundit, përkundrazi: Për shkak të shkak të zhvillimit pozitiv të koniunkturës në fillim të vitit, ajo e ka ngritur atë deri në korrik me dy etapa nga 1,0 në 1,5% tani.

Autor: Brigitte Scholtes/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama