1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzeu i Titanikut - Gjurmët e anijes luksoze

16 Prill 2012

Më 14 Prill 1912 Titaniku u përplas me një ajsberg rrugës për Nju-Jork dhe u fundos në veri të Atlantikut. Qysh atëherë historia e fatkeqësisë tregohet vazhdimisht nga e para.

https://p.dw.com/p/14eKy
Fotografi: Musikautomaten-Museum Bruchsal

100 vjet më parë, më 10 prill 1912, Titaniku legjendar u nis nga Southamptoni i Anglisë për në udhëtimin e tij të parë. Siç dihet, ky përfundoi me një katastrofë, pasi vetëm katër ditë më vonë anija luksoze u përplas në Atlantik me një ajsberg dhe u fundos. Gjiganti oqeanik ishte ndërtuar në Belfast të Irlandës së Veriut, ku më 31 Maj 1911 e kishin rrëshqitur në det. Për 100 vjetorin e katastrofës më të madhe detare të të gjitha kohërave Belfasti po përpiqet ta shfrytëzojë mitin e Titanikut në stil të gjerë.

15.000 vetë punonin para më shumë se 100 vjetësh për kantierin detar Harland & Wolff të Belfastit (një pjesë e mirë e tyre punonte në ndërtimin e Titanikut, anijes asokohe më të madhe e më luksoze në botë). Kush shëtit sot nëpër doket e Belfastit, beson për një moment të shkurtër, se është duke parë Titanikun në dokun e tij (aq mirë e imiton arkitektura e muzeut të ri "Titanic Belfast" dhënien e formës trupit gjigant të anijes).

Zhytësit ngrenë në sipërfaqen e ujit një pjesë të trupit të anijes
Zhytësit ngrenë në sipërfaqen e ujit një pjesë të trupit të anijesFotografi: RMS Titanic Inc./dapd

Belfasti kërkon ta kthejë anijen në magnet turistësh

Meqenëse Belfasti dëshiron të reklamojë për veten pjesën e luanit në mitin e Titanikut, muzeu multimediatik i kushtohet para së gjithash parahistorisë së katastrofës: Kohë së ndërtimit rekord prej vetëm katër vjetësh. Vizitori zhytet në Belfastin e kapërcyellin e shekullit XX , kur qyteti ishte në kulmin e lulëzimit të vet. Kantieret detare, fabrikat e duhanit dhe të linosë garantonin mirëqenie të konsiderueshme.

"Muzeu ia ka dalë mbanë vërtet të rikonstruktojë jetën e përditshme të atëhershme në Belfast", thotë një vizitore muzeu nga SHBA-ja. "Pyes veten se si janë ndjerë punëtorët në doke kur morën vesh se Titaniku ishte mbytur që në udhëtimin e tij të parë."

Mirëpo krenaria e asaj kohe i ka mbijetuar katastrofës dhe historisë lokale të mëvonshme plot kthesa. Eimear Lewis është përgjegjës për sales & marketing në muze dhe e quan muzeun një festë gazmore. "Është fjala për të festuar atë që ka arritur Belfasti 100 vjet më parë."

Nga filmi: In Nacht und Eis 1912
Nga filmi: In Nacht und Eis 1912Fotografi: Continental Film Studios

Qysh nga hapja e muzeut regjistrohet dyndje vizitorësh

Për dekada me radhë, gjatë të cilave kryeqyteti jo vetëm që u torturua prej konfliktit të Irlandë së Veriut, po konsiderohej edhe si vend, të cilin ia vlente më mirë ta shmangje, Belfasti po përpiqet të fitojë një imazh të ri. Për shembull një e rënë përqark e Titanikut të shpie përmes zonës së portit, ku mund të vizitohet doku origjinal, në të cilin u ndërtua Titaniku. "Muzeu nuk merret vetëm me industrinë e ndërtimit të anijeve, po edhe me degët e tjera të ekonomisë", thotë Eimear Lewis.

Vizitorë të veçuar të muzeut kujtojnë madje edhe vitet e lulëzimit. Një vizitore e muzeut nga Belfasti thotë se dikur ka punuar për fabrikën më të madhe të duhanit , "Gallagher's". Muzeu multimediatik, i cili ka përpirë mbi 76 milionë stërlina, tregon natyrisht edhe historinë e fundosjes së gjigantit oqeanik, siç thuhej, të pambytshëm. Titanikun mund ta vizitosh virtualisht. Mund të përjetosh se si ai u përpi nga Atlantiku. Dhe mund të shkosh për një zhytje në thellësi, me studiuesit, të cilët e zbuluan mbetjen e anijes në fundin e detit.

Qysh prej hapjes në fund të marsit 2012 muzeu përjeton një dyndje vizitorësh, e cila i kalon të gjithë pritshmërinë. Por nëse interesi do të vazhdojë edhe pas vitit jubilar, kjo mbetet për t'u parë.

Autor: Sebastian Hesse / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi