1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

MV: Artan Grubi dhe Enver Bexheti në listën e zezë të SHBA

Fatos Musliu nga Shkupi
10 Dhjetor 2024

Ambasadorja amerikane: Një sinjal i qartë se politika dhe drejtësia janë të ndara, askush nuk është mbi ligjin.

https://p.dw.com/p/4ny9D
Kreu i BDI-së duke dalë nga një ndërtesë në Shkup: Artan Grubi, Arber Ademi, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti, gjatë një eventi në Shkup. (Foto e vitit 2020 nga arkivi)
Udhëheqësia politike e BDI-së: Artan Grubi, Arber Ademi, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti, gjatë një eventi në Shkup. (Foto e vitit 2020 nga arkivi)Fotografi: DW/P. Stojanovski

Ambasadorja e SHBA-sëMaqedoninë e Veriut, Angella Ageller, ka bërë të ditur se SHBA ka marrë një hap të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, duke e vendosur Artan Grubin, ish-zv/kryeministër, dhe Enver Bexhetin, gjykatës në Gjykatën e Apelit, në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.

“Futja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mundet dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të identifikojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që minon institucionet demokratike dhe dëmton besimin e publikut. Grubi dhe Bexheti janë përfshirë në korrupsion të madh duke minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret. Askush nuk është mbi ligjin, dhe llogaridhënia është thelbësore për përparim,” tha ambasadorja Ageller.

Ageller: Sinjal kundër korrupsionit 

Ambasadorja tha se futja e funksionarëve të lartë në “listën e zezë” e bën të qartë se SHBA mundet dhe do të përdorë të gjitha mjetet që i ka në dispozicion që të gjithë personat që kanë bërë veprime kriminale dhe kanë minuar stabilitetin dhe vlerat demokratike të Maqedonisë së Veriut të japin llogari. Në listën e zezë janë përfshirë edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë mandatit të kaluar 2020-2024.

Në një reagim, Artan Grubi tha se u njoftua në media për vendimin e DASH-it. “Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejtë dhe personalisht,” shprehet Grubi.

Gordana Siljanovska-Davkova flet në foltoren e OKB-së gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork (Foto ilustruese nga arkivi)
"Tani e ka radhën prokuroria", thotë Gordana Siljanovska-Davkova, presidente e Maqedonisë së Veriut, duke folur në foltoren e OKB-së gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme. (Foto ilustruese nga arkivi) Fotografi: Leonardo Munoz/AFP/Getty Images

Davkova: Prokurorët publikë duhet të veprojnë

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, thotë se nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe t’i lejojmë personat që përfshihen në listën e zezë të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të rregullta. 

“Prokurorët publikë duhet të veprojnë për këtë rast,” është e vendosur presidentja Davkova.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë ata që kanë abuzuar me postet e tyre do të japin llogari. Ndërhyrja në gjyqësor nuk do të tolerohet.

“Në të kaluarën kemi folur shumë herë për të gjitha këto anomali, të cilat tashmë zyrtarisht janë vënë në dukje nga partnerët tanë strategjikë. Mund të them se në periudhën në vijim do të dalin edhe shumë konfirmime për gjithçka që kemi pasur dyshime,” është shprehur kryeministri Mickoski.

Mexhiti: Ali Ahmeti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, vlerëson se paralajmërimet e tij për ndërveprimet e Grubit me Sasho Mijallkovin dhe Gruevskin morën trajtë. Ai fton institucionet të procesuojnë rastin.

“Po të kishte pasur fuqi Ali Ahmeti që t’ia ndalte hovin Artan Grubit, t’ia këpuste rrugën korrupsionit, t’ia ndalte Artanit rrugën e bashkëpunimit me Sasho Mijallkovin dhe Nikolla Gruevskin, ndoshta BDI as nuk do të shkonte në opozitë. Lidhjet e Artan Grubit dhe, me sa duket, edhe lidhjet e Ali Ahmetit me Sasho Mijallkovin u konfirmuan nga partnerët tanë strategjikë nga DASH. U bë e qartë publikisht se Artan Grubi ka qenë i paguar nga Sasho Mijallkovi,” vlerëson Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë.

Ali Ahmeti duke folur në foltoren gjatë një tubimi të partisë BDI, në sfond shfaqet flamuri kuqezi. (Foto ilustruese nga arkivi)
Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare BDI në Maqedoninë e Veriut, gjatë një tubimi në Shkup. (Foto ilustruese nga arkivi)Fotografi: Petr Stojanovski/DW

LSDM: Krimi dhe korrupsioni duhet luftuar pa kompromise

LSDM opozitare mirëpret vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vendosjen e personave të rinj nga vendi në listën e zezë. Mbështetja e partnerëve strategjikë të Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Të gjitha dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorimin e fondeve publike duhet të hetohen dhe sanksionohen pa kompromis nga autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut. Inkurajojmë të gjithë sistemin e drejtësisë në vend që të punojë me përkushtim dhe pa hezitim në përballjen e të gjitha formave të krimit dhe korrupsionit, për të garantuar drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët,” thonë nga LSDM.

Lista e zezë amerikane nuk mbyllet me Grubin dhe gjykatësin Bexheti, tha ambasadorja Ageller. Ajo paralajmëroi se do të zgjerohet me emra të tjerë, pasi qeveria amerikane ka investuar gjysmë miliard dollarë për një gjyqësor më efikas.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut