Myslimanët janë pjesë e zgjidhjes!
26 Gusht 2006Shoqatat më të mëdha myslimane në Gjermani kanë dënuar ashpër atentatet e dështuara më bomba në dy trena rajonalë në Gjermani. Ato nuk pajtohen me fenë islame, thuhet në deklaratën e përbashkët të 16 shoqatave. Terrorizmi është një kërcënim për gjithë njerëzimin, vazhdon deklarata.
"Jo në emrin tonë!" - kështu fillon deklarata e përbashkët me të cilën përfaqësues të shoqatave myslimanë Gjermani kanë reaguar të premten ndaj atentateve të dështuara kundër trenave në fund të muajit korrik. Në të njëjtën kohë shoqatat u kanë bërë thirrje edhe autoriteteve dhe opinionit publik të veprojnë më shumë kundër dyshimit të përgjithshëm ndaj myslimanëve dhe të mos cënojnë liritë qytetare me masat e shtuara të sigurisë.
Asnjë herë më parë kaq shumë përfaqësues të pakicës myslimane në Gjermani nuk kanë qenë të gatshëm për një deklaratë të tillë të përbashkët.
Një arsye për këtë mund të jetë se atentatet terroriste në Gjermani do të cënonin natyrisht edhe myslimanët që jetojnë këtu. Një tjetër arsye është pa dyshim se klima e përgjithshme kundrejt myslimanëve në Gjermani është përkeqësuar kohët e fundit. I këtij mendimi është dhe Ali Kizilkaja, kryetar i Këshillit Islamik në Gjermani: "Për fat të keq atmosfera është ashpërsuar. Në ndiejmë jo vetëm një presion më të fortë psikologjik, por edhe mosbesim ndaj myslimanëve në debatin politik. Mungon objektiviteti dhe diskutohen masa aksioniste si p.sh. vrojtimi më i fortë i myslimanëve. Kjo është shqetësuese dhe myslimanët në Gjermani të cilët jetojnë prej gati një gjysmë shekulli paqësisht, nuk e meritojnë një trajtim të tillë. Ata nuk duhet të dëshmojnë që janë paqësorë, një gjë e tillë duhej të ishte vënë re."
Myslimanët në Gjermani, shoqëria dhe autoritetet duhet të bashkëpunojnë tani më ngushtë. I këtij mendimi ishte madje edhe një përdaqësues i "Milli Görüs", një organizatë që prej vitesh vëzhgohet nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Ajman Mazjek, sekretar i përgjithshëm i "Këshillit Qëndror të Myslimanëve në Gjermani", e konsideron të vetëkuptueshëm angazhimin e myslimanëve në Gjermani kundër terrorizimiz dhe bashkëpunimin e tyre me autoritetet: "Ne shpresojmë që kallzimi i tendencave ekstremiste të jetë normë, detyrim mysliman dhe qytetar. Këtë ne myslimanët duhet ta bëjmë me bindje dhe jo nga frika e autoriteteve. Këtë ne e bëjmë edhe për vetëmbrojtje. Si mund të arrijmë më shumë siguri? Kjo është pyetja që duhet të bëjmë në këtë rast. Më shumë siguri mund të arrijmë nëse bëjmë të qartë se myslimanët nuk janë problemi, përkundrazi janë pjesë e zgjidhjes."
Të gjithë përfaqësuesit e shoqatave ishin megjithatë të një mendjeje se myslimanët në Gjermani jetojnë paqësisht por duhet intensifikuar dialogu si dhe përpjekjet për integrim nga të dyja palët. Gjithashtu u tërhoq vëmendja se personat e dyshuar për atentatet kundër trenave nuk janë të rinj të rritur në Gjermani por studentë nga Libani dhe se është natyrisht e gabuar të bësh përgjegjës myslimanët në Gjermani apo xhami të ndryshme për faktin që të dyshuarit kanë qenë në to. Kjo është po aq e gabuar sa të bësh fajtorë për veprimet e studentëve universitetet në të cilat ata kanë qenë të rregjistruar.