1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimdhënie me pengesa: Lënda e fesë islame në shkollat gjermane

31 Gusht 2011

Disa lande gjermane ofrojnë si lëndë mësimi në disa shkolla fenë islame. Por mësimi nuk është shumë i përhapur dhe i rregullt. Ku qëndrojnë vështirësitë dhe kur do të shtrihet ai në të gjitha shkollat gjermane?

https://p.dw.com/p/12Q0U
Libri shkollor: Libri im i islamit"
Libri shkollor: "Libri im i islamit"

Deveja e lidhur në një cep shkretëtire në një hu qëndron më këmbë duke pëllitur në diell. Një burrë me turbanin në kokë, i veshur me kaftan nxiton ta qetësojë. Më pas burri kërkon në verandën e çajit të zotin e devesë, me qëllim që ai ta marrë kafshën dhe fusë në hije për t'i dhënë ujë.

Në një libër shkollor tregohet kështu historia e profetit Mohamed dhe e devesë së tharë nga etja në formë vizatimore. „Libri im i islamit“. Kështu quhet libri shkollor dhe është njëri nga të paktët, që ofrohen për mësimin e fesë islame. Aktualisht redaktorët e librave po këshillohen nëse në Baden-Vyrtemberg mund të përdoret ky libër në shkollat gjermane. Ky land është njëri nga të gjashtë landet, që ofron prej disa vitesh lëndën e fesë islame, aktualisht vetëm në disa shkolla. Në vitin 1999 ishte landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë ai që hapi i pari siparin. Arsimi dhe mësimi shkollor janë në Gjermani kompetencë e landeve.

Islamkunde an NRW-Schulen
Mësuesja Lamya Kaddor në një orë mësimiFotografi: picture-alliance/ dpa

Pse mësimi i fesë islame ofrohet vetëm në disa shkolla?

Sipas statistikave në Gjermani mendohet të jenë rreth 900.000 nxënës dhe nxënëse të besimit mysliman. Por në projektin pilot nuk mund të marrin pjesë as 5% e tyre në orën e mësimit të fesë, thonë ekspertët. Kjo gjendje në një kohë, kur ata kanë të drejtë të marrin mësim në fenë e tyre në shkollë. Një pretendim i tillë është madje i sanksionuar me kushtetutë në Gjermani. Por ku qëndron problemi që në Gjermani mësimi i fesë islame ofrohet vetëm në disa shkolla?

Mungon një partner fetar zyrtar nga ana e myslimanëve, thotë studiuesi i fesë islame, Michael Kiefer: "Arsyeja kryesore është tepër e thjeshtë: Kushtet ligjore për dhënien e mësimit të fesë islame janë të rrepta, përsa i përket partnerit nga pala tjetër. Nga ana tjetër duhet të kalojë edhe një periudhë e caktuar kohe për një bashkësi fetare, që të njihet si e tillë.” Nga ana tjetër një bashkësi duhet të jetë e përbërë nga anëtarë, domethënë nga njerëz të caktuar.”

Michael Kiefer studiues i fesë islame
Michael Kiefer studiues i fesë islameFotografi: privat

Zgjidhje afatshkurtra për mësimdhënie

Sipas Kieferit myslimanët si rregull nuk futen në një grupim të caktuar fetar. "Pra thënë thjesht: Një mysliman nuk është anëtar i xhamisë, por vetëm shkon në të shumtën e rasteve atje." Në të vërtetë ekzistojnë organizatat e myslimanëve në Gjermani, si Këshilli Qendror i Myslimanëve, apo Këshilli Islam. Por këto organizata nuk përbëjnë shumicën e myslimanëve në Gjermani, ato janë të organizuara secila më vete. Deri më tani landet gjermane kanë gjetur zgjidhje të përkohshme, me përfshirjen e organizatave të landit, apo prindërit e fëmijëve si partner për lëndën mësimore. Por këto ujdi nuk janë zgjidhje afatgjata.

Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë shpresa qëndron tek e ashtuquajtura zgjidhje e këshillit. Për këtë Ministria e Arsimit e landit ka rënë dakord me Këshillin koordinator të myslimanëve – organizata përmbledhëse e shoqatave myslimane. Në këtë këshill bëjnë pjesë  si përfaqësues të shoqatave, ashtu edhe përfaqësues nga myslimanët e paorganizuar. Në rast se në Shtator ndryshon ligji arsimor, ashtu si është parashikuar, atëherë mund të emërohen anëtarët e këshillit dhe të zgjidhen mësuesit.

Nxënëse turke në shkollën e Koblencit në orën e fesë islame
Nxënëse turke në shkollën e Koblencit në orën e fesë islameFotografi: AP

Duhen mësues për lëndën e fesë islame

Por studiuesi Kiefer sheh sërish disa probleme të pazgjidhura. "Një temë tepër e ndjeshme është leja e mësuesisë. Në këtë pikë është e paqartë se çfarë kushtesh duhet të plotësojë stafi pedagogjik. Kush quhet një mysliman besimtar dhe i mirë? Në këtë pikë ndahen udhët.”

Tek zgjidhja mbi bazë landi shpreson edhe landi i Saksonisë së Poshtme. Por aktualisht ky land do t'i përmbahet zgjidhjes së përkohshme me prindërit, deri sa të organizohet pala myslimane, thotë Barbara Lichtenthäler, eksperte për mësimin e fesë islame në Ministrinë e Arsimit të Baden-Vyrtembergut.

Nga ana tjetër për shkak se mësimi i fesë islame nuk është lëndë, që ofrohet rregullisht në shkolla, mësuesit janë të pakët. 200 mësues të fesë islame ka në të gjithë Gjermaninë, mendon studiuesi Kiefer. Këta janë mësues, që kanë ndjekur edhe një kurs për lëndën e islamit, dhe e ofrojnë këtë lëndë në shkollën, ku janë të punësuar. Ka edhe nga ata, që kanë përfunduar shkencat e fesë islame, por nuk kanë mbaruar pedagogjinë.

Nxënës në një shkollë të Bonit
Nxënës në një shkollë të BonitFotografi: picture-alliance/ dpa

Avantazhet e mësimit të fesë islame

Por kur në shkolla të ketë filluar mësimi i fesë islame dhe të ketë përfunduar kualifikimi i duhur në universitetet, që janë përzgjedhur të ofrojnë këtë lëndë, sigurisht që do të ketë edhe mjaft mësues, mendon Michael Kiefer. Megjithëse fillimi duket i vështirë. Disa lande gjermane do të vazhdojnë të ofrojnë rregullisht mësimin e fesë islame. Sepse ka disa arsye, që e favorizojnë këtë qëndrim: “Një arsye tjetër, që përmendet gjithmonë, është që mësimi i fesë islame në shkollat gjermane do të japë një kontribut të rëndësishëm që feja islame të integrohet në shoqërinë e këtushme.”

Me këtë hap humbet vlerën edhe etiketa e vendosur prej vitesh si „fe e huaj“. "Një aspekt tjetër është që dëshirohen efekte pozitive integrative në këtë drejtim. Islami, mësimi i fesë islame në shkolla, ndikon që njerëzit, që e kanë epiqendrën e jetës së tyre në Gjermani, të ndjehen këtu më shumë si në shtëpinë e tyre.” Edhe ekspertja Barbara Lichtenthäler është e informuar për efektet pozitive të lëndës së islamit në shkolla. “Para së gjithash jemi ofruar shumë me nënat, kemi pasur dialog, gjë që nuk ndodhi as me ofrimin e mësimit të gjuhës dhe as me ofertat e tjera. Kjo na ka bërë të jemi optimistë.”

Autor: Klaudia Prevezanos/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica