1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

China Wirtschaft global

7 Gusht 2010

Ditën e hënë më 2 gusht, prodhuesi kinez i automobilëve Geely bleu firmën tradicionale suedeze, Volvo. Kinezët i paguan Fordit, pronarit të deritanishëm 1,5 miliardë dollarë.

https://p.dw.com/p/OeSK
Volvo në Kinë, mallkim apo bekim?
Volvo në Kinë, mallkim apo bekim?Fotografi: DW Montage

Nganjëherë ia vlen të shohësh zhvillimet në perspektivën historike. 200 vjet më parë, dinastia Qing ndodhej në lulëzimet e saj dhe ekonomia kineze përbënte 30 përqind të prodhimit botëror. Në vitin 1978, para fillimit të politikës reformuese dhe të hapjes, kjo shifër ishte 5 përqind.

Investimet e Kinës në botë
Investimet e Kinës në botë

Ndërkohë Kina duket se ndodhet drejt kthimit në pozicionin e vjetër, atë të superfuqisë ekonomike. Tre dekadat e fundit bota ka parë përpjekjet e mundimshme të Kinës për t'u ngjitur në nivelet ekonomike, duke arritur zhvillim vjetor deri në 10 përqind. Kina ka arritur të bëhet eksportues botëror. Në tregtinë e jashtme, Kina ka patur vitin e kaluar 200 miliardë dollarë më tepër në bilanc. Rezervat e devizave, sipas të dhënave të Bankës Qëndrore "Bank of China", kanë mbërritur në muajin korrik në 2,4 bilionë dollarë.

Megjithëse, pjesa më e madhe e devizave janë depozituar në letra shtetërore me vlerë, kryesisht në letra amerikane shtetërore me vlerë, Kina e përdor arkën e devizave për të forcuar pozicionimin e saj global. Gati 50 miliardë dollarë kanë investuar firmat kineze jashtë vendit.

Kriza ekonomike globale bëri ndër të tjera që blerjet të bëheshin shumë të lira. Kujdes të veçantë Kina i ka kushtuar sigurimit të lëndëve të para për nevojën e papërmbajtshme të zhvillimit ekonomik. Në krye të listës së blerjeve janë blerja e gjithçkaje që ka të bëjë me naftë dhe gazin, dhe më pas me minierat.

Kina tregohet kreative në planifikimin e investimeve të saj në vendet në zhvillim. Në Afrikë përdoren modele biznesi sipas motos ndërtim infrastrukture kundrejt lëndëve të para. Kina ndërton rrugë, porte, hekurudha dhe fiton me to hekur, bakër, naftë. Investimet e Kinës në Afrikën e pasur me lëndë të para u rritën në vitin 2008 me 75 përqind.

Kina i përdor njëkohësisht investimet për zhvillimin e ekonomisë së vet. Kinës nuk i mjafton më të jetë burim i krahut të punës, ku prodhuesit perëndimorë kanë firmat e prodhimit. Kinezët duan të pushtojnë tregjet me markat e veta.

Volvo në Kinë, mallkim apo bekim?
Volvo në Kinë, mallkim apo bekim?Fotografi: PV-Klubben

Kina është kryesues tregu në produktet me çmime të ulta. Por në prodhimet e kushtueshme, në prodhimet me kualitet të lartë me përqindje atraktive fitimi, dominojnë prodhimet perëndimore. Krijimi i një marke kërkon kohë. Prandaj, s'ka më mirë se kur blihet një markë! Kështu pas blerjes së Volvos në fillim të gushtit prodhuesi kinez i automobilëve Geely, futet në "klasat e larta". Blerja e firmave perëndimore ofron edhe shancin e marrjes së know-how teknologjik. Gjatë një blerjeje të tillë nuk blihen vetëm patentat, blihen edhe inxhinjerët me të cilët ruhet dhe çohet më përpara superioriteti.

Përfitime të tjera të investimeve të huaja janë përfshirja e tregjeve të huaja nëpërmjet rrjetit të shitjes dhe shërbimit. Për të qëndruar tek shembull i i Geely-s, me blerjen e Volvos blihet edhe rrjeti i shitësve të makinave dhe klientët e tyre.

Me strategjinë e investimeve Kina krijon mundësitë që të prodhojë produke për të gjitha tregjet e botës dhe për të gjitha segmentet e tregjeve.

Autor: Matthias von Hein/ Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani