Në Vjenë sot raundi i tretë i bisedimeve për statusin e Kosovës
22 Tetor 2007Me ftesë të ministrit të punëve të jashtme të Francës, Bernard Kushner, ekipi kosovar i unitetit, zhvilloi dje një drekë pune në Paris. Në këtë takim Kouchner dhe anëtarët e Ekipit kanë biseduar për rrjedhën e negociatave shtesë që po udhëhiqen nga treshja ndërkombëtare.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me shefin e diplomacisë franceze, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi se:
"Ne nuk duam të jemi peng i një shtyrjeje tjetër". Ndërkaq shefi i diplomacisë franceze u bëri thirrje shqiptarëve të veprojnë në "frymën e kompromisit" në bisedimet në Vjenë, dhe shtoi se disa vende do të kundërshtojnë qëllimet për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.
Raundi i tretë i bisedimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e treshes të Grupit të Kontaktit, filloi sot në orën 9:30, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, në Hofburg.