Nachtwei: Serbët duhet ta tolerojnë EULEX-in
8 Prill 2008DW: Zoti Nachtwei, ju sapo u kthyet nga Kosova, cilat janë përshtypjet tuaja?
Nachtwei: Përshtypjet janë të përziera. Nga njëra anë, pala shqiptare mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll me shumë mençuri. Ata arritën ta shmangin çdo lloj ndjenjë triumfuese në valën e gëzimit për këtë ngjarje, por nga ana tjetër, demonstratat e dhunshme në veri dolën që ishin më shqetësuese se ç'na kishin informuar mediet.
DW: Ashtu siç doli në pah edhe nga këto ngjarje, kufiri mes veriut dhe pjesës tjetër sa vjen e bëhet më i madh. A mendoni se kjo ndarje faktike dikur do të ketë nevojë për legalizim?
Nachtwei: Është e vërtetë që ekziston një kufi real mes veriut dhe pjesës më të madhe të Kosovës. Nga ana e serbëve po krijohen dhe nxiten strukturat paralele si në veri ashtu edhe nëpër enklava. E kemi të vështirë të kuptojmë, se a është dikush që vërtetë ka interes ta ndajë Kosovën, apo që vetëm dëshiron të sabotojë procesin e pavarësimit. Për serbët që jetojnë jashtë enklavave, ajo ndarje nuk do të sillte asgjë.
DW: Çfarë do t'i këshillonit kreut kosovar në këtë periudhë?
Nachtwei: Është e rëndësishme, që të vazhdojnë në kursin e deritanishëm. Kjo do të thotë, që të mos bëhen pre e provokimeve. Një datë e rëndësishme është 15 qershori, kur do të hyjë në në fuqi kushtetuta. Por pala kosovare është shumë e vetëdijshme për atë, se nga mënyra se si do të sillet ajo varet edhe reputacioni ndërkombëtar dhe procesi i njohjes gjatë muajve të ardhshëm.
DW: Një datë tjetër është fundi i qershorit, ku është parashikuar që UNMIK-u të largohet nga Kosova? Mendoni se kjo datë do të mund të respektohet?
Nachtwei: Unë guxoj vetëm të them që duhet të ndodhë deri brenda kësaj date. Sa e mundshme është kjo, kjo varet nga ngjarjet aktuale. Dorëzimi i detyrës tek EULEX-i sigurisht që vështirësohet nga problemet e shumta teknike, por problemi më i madh është ai i hyrjes së Eulexit në veri të Kosovës. Është e paimagjinueshme që Eulex-i të detyrohet të punojë në veri nën mbrojtjen e KFOR-it. Kjo do të ishte tejet absurde.
DW: Cila është zgjidhja që propozoni ju?
Nachtwei: Do të ishte me rëndësi vendimtare sikur qeveria serbe ose Rusia ta pranojnë që është e rëndësishme, që Eulex-i duhet të ketë mundësi të punojë. EULEX-i është një parakusht i nevojshëm për një zhvillim normal në Kosovë.
DW: Për Serbinë dhe Rusinë kjo mund të ishte baraz me tolerimin e pavarësisë së Kosovës.
Nachtwei: Këto dy vende nuk ka nevojë ta përshëndesin EULEX-in, por të paktën t'u japin sinjal njerzve në rajon, që ta pranojnë ose ta tolerojnë atë. Kjo do të ishte mjaft.
DW: Cila është përshtypja juaj, edhe për sa kohë do të qëndrojnë ushtarët gjermanë në Kosovë?
Nachtwei: Le të nisemi nga rasti më i mirë: Në se EULEX-i do të jetë në gjendje të punojë në veri ashtu siç duhet, atëherë edhe KFOR-i do të duhet të reduktohet me kalimin e kohës.