Navaz Sharifi kthehet në Pakistan
25 Nëntor 2007Në shtator, Sharifin e dëbuan menjëherë nga Pakistani. Këtë herë ai do të lejohet të qendrojë, bëri të ditur qeveria. Mbreti saudit Abdullah kishte bërë personalisht presion dhe gjatë një vizite të Pervez Musharafit javën e kaluar në Arabinë Saudite përgatiti konkretisht rrugën për Navaz Sharifin. Por mbërritja e 57-vjeçarit u shoqërua me kritika të partisë së Sharifit, se mijëra përkrahës të partisë janë arrestuar, për t'i penguar ata të marrin pjesë në përshëndetjen solemne.
Opozita akuzon Musharafin se nuk lejon zgjedhje të lira
Kështu, zëdhënësi i partisë, Ahsan Ikbal, deklaroi: "Kjo është një dëshmi tjetër, që gjeneral Musharafi nuk do të lejojë zgjedhje të lira dhe korrekte. Me shpalljen e datës së zgjedhjeve, të gjitha partive duhet t'u qe lejuar që të ndjekin aktivitetet e tyre. Kur nuk na lejojnë të përshëndesim as udhëheqësit e partisë sonë, si mund të bëjmë atëherë fushatë elektorale?"
Qeveria hedh poshtë akuzat
Policia dhe qeveria e përgënjeshtruan këtë, folën për një numër të vogël të arrestuarish, për të mbrojtur aeroportin. Në fund, disa mijëra përkrahës të Sharifit arritën të shkojnë në territorin e aeroportit të Lahores. Me postera, flamuj dhe thirrje të gëzuara ata i uruan mirëseardhjen Navaz Sharifit- megjithë masat e gjera të sigurisë, me 5 mijë policë në qytet. Në tetor, në një atentat të rëndë pas kthimit të Benazir Butos në Karaci pas emigracionit, në Pakistan u vranë 140 vetë. Paralajmërime pati edhe për kthimin e Navaz Sharifit. Shefi i policisë, Malik Ikbal: "Policia e Lahores ka marrë masa shumë të sofistikuara pë mbërritjen e ish-kryeministrit të Pakistanit. Ne kemi siguruar pjesën e mbërritjes dhe të gjithë rrugën e kthimit dhe i dhamë atij forca speciale për ta mbrojtur. Kemi lejuar një numër të mjaftueshëm mbështetësish të tij në aeroport dhe përgjatë itinerarit të rrugës."
Nuk dihet kush mund t`i fitojë zgjedhjet
Ashtu si udhëheqësja e opozitës, Benazir Buto, edhe Navaz Sharifi do të paraqesë kandidaturën e tij për zgjedhjet e tetë janarit. Por ende është e paqartë se kush do të dalë në fund në këto zgjedhje. Sepse një aleancë partish kërkon t'i bojkotojë zgjedhjet, po qe se presidenti Musharaf nuk e heq deri në mes të javës gjendjen e jashtëzakonshme. Për këtë, kjo aleancë po përpiqet të bindë edhe Benazir Buton, e cila është e pavendosur.
Partia e Sharifit është në krye të lëvizjes së bojkotit, sipas zëdhënësit të partisë, Ikbal: "Të gjithë partnerët e aleancës do t'i përmbahen këtij vendimi. Ata kanë tani katër ditë, për të pyetur organet e partisë. Dhe të gjithë kanë alternativën: ose të bëhen pjesë e lëvizjes gjithëpartiake për demokracinë, ose të ndahen prej saj."
Opozita pret tani hapat e mëtejshëm të Musharafit
Ai ka thënë se në ditët e ardhshme do ta dorëzojë postin e shefit të ushtrisë dhe do të bëjë betimin si president civil. Një datë për fundin e gjendjes së jashtëzakonshme nuk është bërë e ditur, tri javë pas vendosjes së saj.
Vëzhgues politikë në Pakistan e konsiderojnë megjithatë të mundur një ndarje të pushtetit midis Musharafit si president dhe një kryeministri të opozitës. Leja për kthimin e Musharafit konsiderohet si përpjekje e tij për t'i paraqitur zgjedhjet si korrekte dhe për të përcarë opozitën.