1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndahet nga jeta "Krupp-i i fundit"

Erich Reimann/Eliana Xhani1 Gusht 2013

Berthold Beitz u nda nga jeta në moshën 99 vjeç. Për dekada me radhë ai drejtoi fatet e gjigantit të çelikut. Respekt ndërkombëtar ai fitoi edhe me qendresës kundër gjenocidit të nazistëve.

https://p.dw.com/p/19I8d
Berthold Beitz
Berthold BeitzFotografi: picture-alliance/Sven Simon

"Trashëgimia e Krupp-ëve", "Diplomat pa mandat" dhe "I drejti i popujve": Berthold Beitz, i cili u nda nga jeta të martën (30.7.2013) në moshën 99 vjeçare, lë pas një listë të gjatë titujsh nderi zyrtarë dhe jozyrtarë. Si rrallë ndonjë menaxher tjetër gjerman, ai ka përjetuar uljet dhe ngritjet e historisë gjermane nga afër: nga terrori nazist tek mrekullia ekonomike e deri tek globalizimi. Edhe në muajt e fundit të jetës ai luante një rol kyç në orientimin e ri të koncernit ThyssenKrupp.

Në sajë të sukseseve të tij në rindërtimin e koncernit Krupp pas Luftës së Dytë Botërore, Beitz, i cili në shtator do të kishte mbushur 100 vjeç, vlerësohet si një nga menaxherët më të rëndësishëm të kohës së pasluftës. Por arritjet e Beitz shkonin më tej se sukseset në biznes. Ish kancelari gjerman Helmut Schmidt e vlerësonte si një "diplomat pa mandat", i cili ka pasur një rol pararojë në pajtimin e Gjermanisë me Poloninë dhe Rusinë. Në monumentin përkujtimor hebre Yad Vaschem ai është nderuar si "I drejti i popujve", pasi në Luftën e Dytë Botërore me angazhimin e tij u shpëtuan nga vdekja qindra hebrenj në Poloni.

Verleihung des Lew-Kopelew-Preises
Berthold Beitz, fitues i çmimit Lew-Kopelew për paqe dhe të drejtat e njeriut, prill 2012Fotografi: picture-alliance/dpa

"Veprova i shtyrë nga ndjenjat!"

Sprovën e tij të parë të vështirë Beitz e përjetoi që në moshën 28-vjeçare. Si drejtor ekonomik i shoqërisë "Karpaten-Öl AG", menaxheri i ri ishte përgjegjës për fushat e naftës në Poloninë e pushtuar dhe u përball nga afër me krimet e tmerrshme të pushtuesve gjermanë. Por Beitz nuk ndenji duarkryq para vrasjeve. Ai shpëtoi qindra hebrenj nga deportimi në kampet e përqendrimit, duke i deklaruar si të domosdoshëm për prodhimin e naftës së rëndësishme për luftën. Disa fëmijë hebrenj madje i fshehu në shtëpinë e tij. Vetëm me ndihmën e fatit arriti edhe vetë t'i shpëtojë kampit të përqendrimit.

"Ato që kam përjetuar në Poloni gjatë luftës, kanë lënë tek unë gjurmë. Aktet çnjerëzore të nazistëve kundër burrave, grave dhe fëmijëve, frika dhe tmerri në sytë e të përndjekurve, të lënë mbresa shumë më të thella nga sa mendon", tregonte Beitz më vonë. "Edhe tani në moshë të thyer në ëndërr më mundon ende mendimi se mund të kisha shpëtuar edhe më shumë njerëz nga përndjekja." Beitz do të tregonte se asokohe kishte vepruar në mënyrë spontane, i shtyrë nga ndjenjat. "Nëse do të isha menduar gjatë, ndoshta nuk do të kisha guxuar."

Tregje të reja në shënjestër

Por guximi dhe pasuria e ideve ishin tipare të karakterit të Beitz. Kjo u dëshmua edhe kur menaxheri në 1953 pranoi ofertën e Alfried Krupp von Bohlen und Halbach, dhe megjithëse ishte i huaj në atë degë, mori detyrën e vështirë të të ngarkuarit të përgjithshëm për rimëkëmbjen e koncernit Krupp, në gjendje të rrënuar pas lufte. Sipërmarrja e përbuzur si farkëtaria e armëve të Gjermanisë naziste, nën drejtimin e Beitz rilindi si Feniksi nga hiri.

Sepse Beitz nuk ngurroi të ecte në rrugë të reja për ta vendosur Krupp-in në kurs suksesi. Në mes të Luftës së Ftohtë ai u kujdes për kontakte me Poloninë, Bashkimin Sovjetik, Bullgarinë dhe Hungarinë duke krijuar kështu qasje në tregje deri atëherë të mbyllura jo vetëm për Krupp-in por për gjithë industrinë gjermane.

Berthold Beitz gestorben
Berthold Beitz dhe Arndt von Bohlen und HalbachFotografi: picture-alliance/dpa

"Do të vazhdoj sa të kem mundësi!"

Beitz vendosi piketat për themelimin e fondacionit Krupp, që edhe sot është aksioneri më i madh i ThyssenKrupp. Pas vdekjes së Alfried Krupp në 1967 Beitz u bë kryetar. Për dekada me radhë ai mbajti dorën e tij mbrojtëse mbi sipërmarrjen me traditë nga Esseni, duke respektuar të kaluarën por edhe i gatshëm për "shkatërrim krijues", atëherë kur i dukej e nevojshme.

Kështu ai shoqëroi në sfond si patriarku i Krupp-it riorganizimin e industrisë gjermane të çelikut: blerjen e Hoesch nga Krupp dhe fuzionimin e dy gjigantëve të mbetur të çelikut në koncernin e ri ThyssenKrupp.

Pensioni nuk ishte temë për të: "Do të vazhdoj sa të kem mundësi dhe mendime të kthjellëta!"

Beitz konsiderohej si mbështetës i madh i zonës së Rurit. Vetëm për muzeun Folkwang në Essen fondacioni Krupp dhuroi 55 milionë euro. Në dekadat e kaluara ky fondacion ka mbështetur me rreth 625 milionë euro projekte të ndryshme brenda dhe jashtë Gjermanisë. Qyteti i Essenit e ka nderuar menaxherin duke i dhënë emrin e tij një rruge të njohur: bulevardi Berthold-Beitz. Kancelarja Merkel u shpreh se me largimin e Beitz nga jeta, Gjermania "humbet një nga personalitetet më të respektuara dhe të suksesshme sipërmarrëse, që ka lënë gjurmë në një fushë të rëndësishme".

Bilder Biographie Berthold Beitz Krupp-Stiftung
Berthold Beitz me gruan Else dhe vajzën Barbara, 1942Fotografi: Krupp-Stiftung