Ndalohet një traget irlandez me ndihma nga marina izraelite
5 Qershor 2010Marina izraelite ka ndaluar pas disa paralajmërimesh tragetin irlandez me ndihma humanitare që donte të futej në Rripin e rrethuar të Gazës, bëjnë të ditur agjensitë e lajmeve. Siç njoftoi një zëdhënëse e ushtrisë izraelite, gjatë ndalimit të anijes nuk pati asnjë ushtrim dhune e shkëmbim zjarri si dhe asnjë të plagosur.
Trageti me ndihma nga Irlanda futet në portin Ashdodit
Trageti me flamurin irlandez do të futet në portin e Ashdodit, ku do të inspektohen të 1200 tonë ndihmat për palestinezët. Ushtria izraelite kishte ndjekur për tetë orë me radhë tragetin irlandez para se ta ndalonte. Në mesin e rreth 20 aktivistëve propalestniezë në bordin e anijes ndodhej edhe nobelistja Mairead Maguire nga Irlanda e Veriut. Në një intervistë me programin anglez të televizionit arab Al Xhazira Maguire më parë tha:
b "Jemi ndjekur nga dy anije izraelite. Ata kanë bllokuar radarët tanë, kështu që nuk mund t'u them se cilat janë manovrat e tyre. Njerëzit janë të qetë, kështu që në qoftë se ata do të vijnë në bord, nuk do të ketë rezistencë."
SHBA kërkon zbutjen e bllokadës nga Izraeli
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë kanë kërkuar nga udhëheqja izraelite që të zbusë bllokadën ndaj Rripit të Gazës. Së bashku me autoritetet autonome palestineze do të kërkohen mundësi të reja për dërgimin e ndihmave humanitare në rajonet e kontrolluara nga Hamasi radikal-islamik.
Autor: Lindita Arapi/dpa
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi