"Ne e nuhatëm revolucionin"- Shkrimtarë arabë për të rinjtë në Gjermani
26 Tetor 2011Të rinj, të shkolluar, pa perspektivë. Këta ishin njerëzit që iniciuan kryengritjen popullore në botën arabe. Mijëra të rinj demonstruan kundër sundimit brutal të regjimit të tyre në Sheshin Tahrir në Kairo dhe në rrugët e Tunisit. Ishte rinia ajo që e zgjoi të gjithë popullin nga gjumi i dimrit, për të bërë të mundur pranverën arabe. Në mënyrë paqësore ata kërkuan shtet juridik, liri dhe demokraci. Me bloge dhe me anë të Facebookut dhe Twitterit vala e protestave arriti pjesë të gjëra të botës arabe. Por shpesh, roli i letërsisë dhe i artit u la pas dore në Pranverën Arabe, ankohet autorja e re Mina Ouladlhaj. Vërtet që me letërsi nuk mund të arrish masat, por me të mund të vësh diçka në lëvizje:
"Në librin tim bëhet fjalë për mirëkuptim reciprok. Bëhet fjalë për dinjitetin e njeriut dhe për të dhënë kontribut. Kjo është arsyeja pse ky libër u fut edhe në shkollat e Belgjikës, sepse ai përcon këtë mesazh. Ekziston jo vetëm pamja bardh e zi, por edhe dicka ndërmjet. Libri nxit një debat të ri dhe ndihmon që të ndryshojnë mendimet."
Pikërisht këtë e arriti pranvera arabe: të nxisë nisjen e debateve të reja dhe të ndryshojë mendimet. Për herë të parë në histori, evropianë të rinj frymëzohen tani nga arabët. Këtë, Tarik Bary, shkrimtar dhe profesor i letërsisë në universitetin e Kairos e sheh si zhvillim pozitiv. Kjo forcon besimin e humbur në vetvete të arabëve dhe kontribuon në rrëzimin e paragjykimeve. Që te evropianët kjo valë protestash nuk kalon pa lënë gjurmë, për këtë ai nuk çuditet. Sepse që ai ishte që në fillim në Sheshin Tahrir dhe i kujtohet atmosfera:
"Unë banoj në afërsi të Sheshit Tahrir dhe gjithmonë i merrnim vesh të gjitha ato që ndodhnin. Dhe i nuhasnim. Kur atëherë policia bëri që të shpërthejnë ato bombat, era e tyre u përhap kudo në ajër. Të gjithë e nuhatëm erën e tyre. Të bombave të gazit."
Megjithë seriozitetin e gjendjes, humori atëherë demonstruesve nuk u mungoi, tregon Tarik Bary. Revolucioni i bashkoi egjiptianët dhe e ktheu të qeshurën në fytyrat e tyre. Bary beson se ai do të ketë nevojë për pak kohë, që gjendja të stabilizohet. Por te njerëzit u kthye dinjiteti dhe liria e tyre. Edhe te ai vetë, sepse si shkrimtar Tarik Bary-t iu desh të luftonte shpesh me kufizimet e regjimit.
"Unë kam shkruar shumë, pa i botuar ato që shkruaja, sepse në radhë të parë nuk guxoja. Së dyti: kur shkruaj diçka, atëherë ajo duhet të jetë e ndershme dhe të botohet ashtu si dua ta them unë. Unë isha i detyruar të ndryshoja shumë gjëra dhe të lija shumë gjëra mënjanë dhe kjo më ka dekurajuar."
Para së gjithash ato që shkruhen për të rinjtë duhet të jenë të lira nga kufizimet, shton Tarik Bary:
"Po të duam të shkruajmë sot për rininë, duhet të trajtojmë problemin e saj të vërtetë të përditshëm. Dhe po të duam ta trajtojmë siç duhet këtë problem, atëherë ne si shkrimtarë duhet të heqim dorë nga të gjitha tabutë dhe t'i thyejmë ato. Sepse problemet e të rinjve në këtë moshë kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fenë, me konfrontimet dhe tabutë tek ne në shoqëri."
Megjithë vështirësitë dhe pengesat, Tarik Bary beson në forcën e revolucionit.
"Revolucioni në fund do të fitojë. Sepse njerëzit e krijuan lirinë me duart e tyre. Askush nuk e bëri këtë për ta."
Autor: Amine Bendrif/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama