Negociatat: Shqiptarët dhe serbët- për herë të tretë në Vjenë
3 Prill 2006Bisedimet e Vjenës janë futur në një fazë kritike, sepse në këtë moment priten qëndrime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Ndërkohë që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në këtë moment gjenden shumë larg mundësisë së ndonjë marrëveshje konkrete për reformën e pushtetit lokal.
Pala kosovare ka bërë disa vërejtje në dokumentin e propozuar. Në radhë të parë sa i përket kompetencave të komunave, organizimit të policisë,
drejtësisë, arsimit, ështjeve sociale, financimit, arsimit, lidhjes së komunave me shumicë serbe me Serbinë e tjerë. Mirëpo, udhëheqësi i delegacionit, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, thotë se dokumenti
i ofruar nga Albert Rohan është i pranueshëm si bazë për bisedime të mëtejme. Ndër të tjera, ministri i pushtetit lokal thotë se pala serbe ka
hedhur poshtë propozimet e zotit Rohan:
Megjithatë bisedimet kanë vazhduar me trajtimin e temave si arsimi, shëndetësia, çështjet sociale dhe kultura. Haziri thotë se deri tani nuk ka rrezik që ndonjëri prej delegacioneve ti braktisë bisedimet.
Zëdhënësja e delegacionit serb, Miroslava Beham konfirmon se delegacioni serb nuk është pajtuar me propozimet e ndërmjetësit Albert Rohan dhe ato të
palës kosovare. Delegacioni serb ka shprehur vërejetje ndaj disa propozimeve të ofruara në dokumentin e zotit Rohan.
Vërejtjet më të mëdha kanë të bëjnë me kompetencat që duhet të kenë komunat. Kjo është pika e parë, ku nuk ka ndonjë marrveshje. Më pas është biseduar edhe për financimin e komunave, lidhjet mes komunave me shumicë
serbe dhe lidhjet e tyre me Beogradin, thotë Beham duke shtuar se as në këto çështje nuk është arritur ndonjë marrveshje.
Nga qarqet e informuara mirë mësojmë se delegacionet kanë pasur qëndrime të ndryshme edhe sa i pëket karakterit të komunave. Pala kosovare pohon se komunat duhet të ndërtohen mbi baza territoriale, ndërsa ajo serbe mbi baza etnike. Aktualisht nuk duket në horizont ndonjë zgjidhje konkrete, e cila do të mundësonte ecjen përpara në definimin e decentralizimit.
Takimi i radhës është planifikuar për fund të prillit, kur pritet të definohet numri i komunave të reja dhe territori i tyre. Mirëpo, bashkëbiseduesit thonë se do të ketë nevojë për konsultime të tjera, lidhur me temat e tanishme, që eventualisht mund të bëhen me të ashtuquajturën shatl diplomaci, pra përmes vizitave të autoriteteve ndërkombëtare në Prishtinë dhe Beograd.