1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat: Zhvillohet raundi i gjashtë i bisedimeve në Vjenë

Bahri Cani31 Maj 2006

Në Vjenë ka vazhduar raundi i gjashtë i bisedimeve të drejtëpërdrejta mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Pas decentralizimit të pushtetit dhe trashëgimisë kuluturore në rend dite janë çështjet ekonomike

https://p.dw.com/p/AqdW
Salla e Hofburgut ku zhvillohen negociatat
Salla e Hofburgut ku zhvillohen negociatatFotografi: AP

"Bisedimet për çështjet ekonomike do të jenë shumë komplekse". Kështu mendojnë përfaqësuesit e të dyja palëve në bisedimet e filluara sot në Vjenë. Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Skender Hyseni deklaroi se Prishtina zyrtare është plotësisht e përgatitur për këto bisedime. Këshilltari i presidentit të Kosovës tha se prioriteti i delegacionit të Kosovës do të jenë borxhet e jashtme. Hyseni theksoi se Kosova e pranon marrëveshjen e vitit 2001 për sukcesionin e pasurive dhe obligimeve të ish - Jugosllavisë.

Interesimet e palës serbe janë të tjera. Udhëheqësi i delegacionit serb, Nenad Popoviq u shpreh se delegacioni serb do të insistojë në trajtimin e çështjeve, siç tha ai më të rëndësishme: çështjet e pronave shtetërore, shoqërore dhe private. "Një ndër çështjet më të rëndësishme është edhe ajo e privatizimit të pronës.

Në këtë takim do të bisedohet edhe për koncesionet, termoelektranat dhe pasuritë e tjera", theksoi Nenad Popoviq. Pala serbe tha se është e gatshme të bisedojë edhe për bashkëpunimin e tanishëm ekonomik. Popoviq kritikoi kërkesën e disa qarqeve kosovare për bojkotimin e mallarave serbe, duke shtuar se një kërkesë e tillë është në kundërshtim edhe me parimet e Bashkimit Evropian. Ne jemi të interesuar që në Serbi të jenë të prezantuara mallrat e të gjitha shteteve në botë, theksoi Popoviq.

Ndërkohë që anëtari tjetër i delegacionit serb, Aleksandar Simiq në veçanti kundërshtoi procesin e deritanishëm të privatizimit të pronës në Kosovë. Ai kritikoi bashkësinë ndërkombëtare dhe ndërmjetësit Marti Ahtisari i Albert Rohan, "për mospërgatitjen e mirë të takimit". "Në Kosovë e Metohi është bërë një privatizim kriminal, sepse një gjë e tillë nuk parashikohet me Rezolutën 1244. Serbia dhe Mali i Zi deri tani kanë kërkuar disa herë ndalimin e privatizimit por pa sukses. Mirëpo njerëzit që e kanë bërë këtë privatizim, do të përgjigjen përsonalisht për këtë punë", pohon Simiq.

Të gjitha takimet e deritanishme në Vjenë i ka udhëhequr Albert Rohan, i cili për gazetat austriake kërkesat serbe i quajti si joreale. Ndërkohë që nga pala kosovare kërkoi më shumë gatishmëri për kompromise. Në takimin e gjashtë ai do të ketë ndihmën e përfaqësuesit të BE, Shtefan Lehne. Deri në korrik, ndërmjetësit do të përgatisin një raport për zhvillimin e bisedimeve të deritanishme, të cilin Marti Ahtisari do ta paraqes para Këshillit të Sigurimit të OKB. Ahtisari shpreson se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mund të fillojnë pas këtij takimi, pra në fund të korrikut.