1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Netanyahu cakton datën e operacionit ushtarak në Rafah

9 Prill 2024

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha, se është caktuar një datë për ofensivën ushtarake izraelite në qytetin jugor të Rafahut. Aleatët ndërkombëtarë i kundërshtojnë fort planet e Izraelit për pushtimin e Rafahut.

https://p.dw.com/p/4eYtX
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu Fotografi: Maya Alleruzzo/AP/dpa/picture alliance

"Sot mora një raport të detajuar mbi bisedimet në Kajro, ne po punojmë vazhdimisht për të arritur qëllimet tona, para së gjithash lirimin e të gjitha pengjeve dhe arritjen e njëfitoreje të plotë mbi Hamasin," tha Netanyahu në një video-mesazh të postuar në platformën e mediave sociale X, dikur Twitter.

Netanyahu përsëriti se fitorja ndaj militantëve të Hamasit "kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Kjo do të ndodhë - dhe kemi caktuar një datë," tha Netanjahu, por pa përmendur ndonjë afat kohor.

Ushtria izraelite po vazhdon misionin për shkatërrimin e Hamasit

Edhe zëdhënësi i ushtrisë izraelite, nënkolonel Peter Lerner, tha për DW, se ushtria izraelite po vazhdon misionin e saj për shpërbërjen dhe shkatërrimin e Hamasit si autoritet qeverisës në Rripin e Gazës.

Benjamin Netanjahu duke biseduar me ushtarë izraelitë
Benjamin Netanjahu duke biseduar me ushtarë izraelitëFotografi: Avi Ohayon/Israel Gpo/ZUMA/picture alliance /

"Ne e dimë se në Rripin e Gazës ka ende të paktën gjashtë batalione operative të Hamasit," tha ai, duke shtuar se katër prej tyre operojnë në zonën e Rafahut dhe dy më tepër në Gazën qendrore. "Nëse duam të jemi të suksesshëm në shpërbërjen e Hamasit, ne duhet të shkojmë në Rafah”, tha zëdhënësi.

Operacion i një lloji tjetër

Sipas Lernerit në Rafah do të nevojitet një lloj operacioni tjetër që përfshin si sulmet ajrore precize ashtu edhe operacione tokësore bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete dhe fleksibilitetin operacional.

Operacion i ushtrisë izraelite në Khan Yunis
Operacion i ushtrisë izraelite me synimin për shkatërrimin e HamasitFotografi: Gil Cohen Magen/Xinhua News Agency/picture alliance

Ai tha se ushtria izraelite po i afrohet çdo ditë e më shumë synimit për shpërbërjen e Hamasit. "Ky është qëllimi numër një, së bashku me qëllimin numër dy për të rikthyer pengjet në shtëpi," tha zëdhënësi.

Zëdhënës i ushtrisë izraelite shtoi gjithashtu se zgjidhje të shpejtë nuk ka dhe se "ne do të marrim kohën që na nevojitet derisa të arrijmë qëllimet tona".

Kundërshtime të forta nga aleatët ndërkombëtarë

Planet e Izraelit për pushtimin e Rafahut u pritën me kundërshtime të forta nga aleatët ndërkombëtarë për shkak të krizës humanitare në Rripin e Gazës.

Më shumë se 1 milion palestinezë janë strehuar aktualisht në Rafah për shkak të luftimeve që zhvillohen në zona të tjera në Rripin e Gazës.