1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

800 kilometra kujtim

Christian Trippe/Angjelina Verbica20 Prill 2014

Verdun, Ypres, Somme, stacione të frontit të Perëndimit. Që të jemi të sinqertë Belgjika e Franca s'kanë nevojë për vitin përkujtimor 2014. Pjesë të tëra të vendit mbajnë deri sot vulën e Luftës së Parë Botërore.

https://p.dw.com/p/1Bkl4
Erinnerung an den Ersten Weltkrieg in Verdun
Fotografi: picture-alliance/Rolf Haid

Çdo natë marshon një njësi e zjarrfikësve belgë në portën Menen në Ypres, për të luajtur me vegla frymore pjesën ushtarake angleze "Posta e fundit", në nderim të ushtarëve të humbur, në kujtim të betejave të Flandrës. Çdo mbrëmje prej vitit 1928 njerëzit aty mbajnë heshtje, trafiku rreth harkut të portës ndalon për disa minuta rreth orës 20:00.

Verduni në Francën lindore fushë e njërës prej betejave më të tmerrshme, është një muze në ajër të hapur i luftës dhe i tmerreve të saj. Vendi kryesor këtu, kubeja Douaumont, që mban eshtrat e rreth 130.000 të vdekurve. Në shtator 1984 fotografi prej këndej u përhapën në mbarë botën. Në atë kohë presidenti francez François Mitterrand dhe kancelari gjerman Helmut Kohl në një ceremoni përkujtimore u kapën spontanisht për dore me njëri-tjetrin para kubesë në Douaumont. Kjo ndodhi para 30 vjetësh.

Shenjë pajtimi, Mitterand dhe Kohl në 1984 para kubesë në Douaumont
Shenjë pajtimi, Mitterand dhe Kohl në 1984 para kubesë në DouaumontFotografi: ullstein bild/Sven Simon

Vetëm tani në festimet e njëqindvjetorit është përjetësuar për herë të parë me një pllakë guri në kube emri i një ushtari gjerman të rënë në Verdun. Deri tani ky nder u është bërë vetëm ushtarëve francezë. Franca në verën e vitit 2014 do të përjetojë një sërë të madhe gjestesh të vogla dhe ceremonish përkujtimore lokale, përveç ceremonisë përkujtimore zyrtare, për të cilin republika ka kohë që përgatitet.

Në Francë Lufta e Parë Botërore quhet "La Grande Guerre", lufta e madhe, ku mbiemri "i madh" ka një kuptim të kujtesës politike. Si reflektim patriotik i qendresës së përbashkët të suksesshme në luftën mbrojtëse, por dhe me humbje në njerëz. "Lufta e Parë Botërore na kujton, se sa i fortë mund të jetë një komb, në qoftë se qëndron bashkë", është lajtmotivi i presidentit François Hollande. Në përvjetorin e fillimit të luftës me 3 gusht Hollande do të takohet me presidentin gjerman, Joachim Gauck, në Hartmannsweilerkopf, një varg kodrash në Vogesen, ku u zhvilluan luftime të ashpra.

Gauck dhe Holland2013 në kujtim të viktimave të masakrës në Oradour-sur-Glane.
Gauck dhe Holland2013 në kujtim të viktimave të masakrës në Oradour-sur-Glane.Fotografi: REUTERS

Një jehonë relativisht të dobët gjen tani në Francë diskutimi për fajin e luftës. Historiani australian Christopher Clark mohon në studimin e tij "Somnambulat" tezën se gjermanët ishin përgjegjësit e vetëm për fillimin e luftës. Libri është në Gjermani besteller, në Francë jo. Opinioni atje nuk pyet, se çfarë përpjekjesh diplomatike u bënë në prag të luftës dhe as për fajësimet politike, sepse Franca duhej të mbrohej kundër ushtrisë sulmuese gjermane në tokën franceze.

As në Belgjikë nuk ka qenë ndryshe. Dhe megjithatë belgët nuk e përdorin mbiemrin "i madh", kur flasin për Luftën e Parë Botërore. Vështrimi në vitin 1914 është relativisht i kthjellët, tonet nacional-patriotike si në Francën fqinje mungojnë thuajse krejtësisht. Një arsye për këtë qëndron në faktin se valonët dhe flamët kujtojnë të ndarë luftën, në ceremoni përkujtimore të veçanta.

Porta Menen në Ypres, ku janë gdhendur emrat e 54.896 ushtarëve të humbur.
Porta Menen në Ypres, ku janë gdhendur emrat e 54.896 ushtarëve të humbur.Fotografi: DW/D. Duncan

Frankofonët dhe holandishtfolësit janë prej dekadash politikisht të ndarë dhe tani mes këtyre dy pjesëve të vendit edhe përsa i përket përkujtimit historik kalon "linjë fronti", konstaton gazeta ditore "Le Soir".

Shkaqet e mosmarrëveshjes në mes komuniteteve belge sipas vlerësimeve të historianëve shkojnë deri në Luftën e Parë Botërore. Autoritetet pushtuese gjermane pushtuese patën mbështetur përpjekjet e flamanëve për pavarësi dhe për një shkëputje kulturore nga pjesa frankofone e vendit.

Në tri ceremonitë përkujtimore në Belgjikë në Ypres, Liezh dhe Bruksel ministri i Jashtëm Didier Reynders dëshiron ta paraqesë vendin e tij si "vendin qendror të përkujtimit". Qendror edhe për arsyen se Brukseli sot si selia e institucioneve kryesore të BE-së tregon se deri ku shkon pajtimi në mes popujve të Evropës. Për fushëbetejat belge përreth Ypres Belgjika do të kërkojë statusin e "trashëgimisë së kulturës botërore" nga UNESCO. Një iniciativë, që duhet çuar përpara së bashku me Francën, ku Parisi do të kujdeset për përmendoret në Somme.

Sinonim i luftës në frontin e Perëndimit. Beteja në Verdun.
Sinonim i luftës në frontin e Perëndimit. Beteja në Verdun.Fotografi: Getty Images

Franca dhe Belgjika janë të një mendimi edhe në një tjetër pikë. Përkujtimi i luftës vrasëse në llogoret e Frontit të Perëndimit u tregon evropianëve obligimin politik për t'u angazhuar ndërkombëtarisht. Gjenerali francez Elrick Irastorza, shefi i komitetit francez për përgatitjen e festimeve përkujtimeve zyrtare, e quajti Luftën e Parë Botërore "një sinor të paluajtshëm kujtimi", që natyrisht tani rrezikon të dëmtohet nga koha.

Aq më e rëndësishme është tani që të shfrytëzohet "centenaire", "njëqindvjetori", për të sjellë ndër mend të gjitha dyshimet për operacionet ushtarake ndërkombëtare, sepse në Evropë dhanë jetën e tyre njerëz nga vendet e huaja, në mënyrë që ne sot të mund të jetojmë në një Evropë në paqe", tha gjenerali francez Elrick Irastorza."

Përkujtimi i Luftës i Botërore në Evropën Perëndimore bëhet nganjëherë edhe krejtësisht pa patos. Nga 1 qershori vrapues nga e gjithë Evropa do të bëjnë një garë me stafeta, e cila do të fillojë nga Nieuwpoort në bregdetin belg deri Strasburg të Francës. Gjithë kohës përgjatë ish vijës së frontit me ndalesa në përmendore dhe monumente.