"Nightjet": Në gjumë nga Berlini në Paris
12 Dhjetor 2023Orari i ri për Stacionin Qendror të Berlinit është ora 20:18 në platformën 8. Në të ardhmen, "Nightjet" do të udhëtojë nga kryeqyteti gjerman drejt Parisit çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte. Mbërritja është planifikuar - për sa kohë që nuk ka ndërtime në rrugë apo greva - 14 orë më vonë, në orën 10:25, në Gare de l'Est në kryeqytetin francez. Shërbimi do të zgjerohet edhe në ditët e tjera të javës në fund të vitit 2024.
Për Ministrin e Transportit, Volker Wissing dhe homologun e tij francez, Clément Beaune, rivitalizimi i shërbimit të trenit të natës midis dy kryeqyteteve, i ndërprerë nëntë vjet më parë, është një ngjarje e mirëpritur hekurudhore në kohë krize. Jo vetëm sepse "Nightjet” afron gjermanët dhe francezët, por edhe si shenjë e mbrojtjes së klimës. Hekurudha synon të konkurrojë me fluturimet ndërevropiane dhe kështu të kontribuojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Nga bileta e miqësisë tek udhëtimi me pizhama
Wissing, i cili flet shkëlqyeshëm frëngjisht, dhe Beaune, njeriu i besuar i Macron-it, kanë nisur tashmë një projekt tjetër franko-gjerman këtë vit. Me rastin e 60-vjetorit të Traktatit të Elysee-së, ata dhuruan dhjetëra mijëra bileta treni për të rinjtë e moshës 18 deri në 27 vjeç, "pasaportën e miqësisë gjermano-franceze".
Megjithatë, ringjallja e trenave të natës u përgatit nga qeveria e mëparshme e Berlinit - gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE në vitin 2020. Projekti "TransEuropExpress 2.0" synon të lidhë 13 metropole evropiane brenda natës: përveç Vjenës dhe Amsterdamit, Cyrihut dhe Barcelonës - edhe Berlinin me Parisin.
Mosmarrëveshja për stacionin e Strasburgut
Po të eci gjithçka sipas dëshirës së politikanëve, një lidhje e rregullt trenash ekspres së shpejti do të plotësojë trenat e natës midis Berlinit dhe Parisit. Trenat e parë ICE dhe TGV mund të lëvizin në itinerar në fund të vitit 2024. Megjithatë, ka ende çështje të pazgjidhura: ndërsa pala gjermane preferon rrugën përmes Saarbrücken-it për arsye shpejtësie, ministri francez i transportit dëshiron që ekspresi të kalojë me çdo kusht përmes Strasburgut.
Metropoli i Alsasës konsiderohet si "kryeqyteti i Evropës" në Francë dhe i reziston ashpër humbjes së rëndësisë në konkurrencë me Brukselin. Ministri i Transportit Beaune u tha mediave franceze në vjeshtë se linja duhet të kalojë nga Saarbrücken vetëm përkohësisht, por përmes Strasburgut më e vonta në 2025/26. Megjithatë, projekti nuk është miratuar përfundimisht.
Si treni ekspres ashtu edhe ai i natës kanë një komponent evropian. Kur Brukseli festoi "Vitin Evropian të Hekurudhave" dy vjet më parë, Komisioni Evropian vendosi objektivin për të dyfishuar transportin e udhëtarëve me shpejtësi të lartë në Bashkimin deri në vitin 2030.
Vështirësi ekonomike
Jo vetëm dy ministrat, por edhe zyrtarët e hekurudhave nga katër vende evropiane blenë bileta për udhëtimin inaugurues, treni nis shërbimin e rregullt të martën, me një udhëtim kthimi nga Parisi në Berlin.
Sipas Hekurudhave Gjermane, DB, kërkesa për bileta është e lartë. "Lidhjet e reja hekurudhore të natës janë të rezervuara shumë mirë gjatë pushimeve." Vetëm më vonë do të ketë përsëri "kapacitet të mjaftueshëm të lirë".
Megjithatë, shitjet e shumta të biletave nuk mund të fshehin rrethanën se rigjallërimi i trenave të natës bazohet në një logjikë më shumë politike sesa ekonomike. Trenat e natës konsiderohen jo me përfitim. Në vitin 2016, menaxhmenti i hekurudhave gjermane porositi konsulentët e menaxhimit të llogarisnin a do të ishte e mundur të shpëtohej të paktën një pjesë e flotës së trenave të natës. Por gjykimi i ashpër i ekspertëve financiarë ishte: nuk ka perspektiva për fitime. Kjo vlente edhe për linjën e natës "City Night Line Perseus" midis Berlinit dhe Parisit, e cila u ndërpre në vitin 2014.
Austria shpëton vagonat e gjumit
Fakti që vagonat e fjetjes vazhduan të qarkullojnë në Gjermani dhe vende të tjera evropiane pas vitit 2016, kjo u dedikohet Hekurudhave Federale Austriake (ÖBB). Në atë kohë, ÖBB bleu biznesin e trenit të natës me humbje nga DB, mori përsipër mbulimin e disa itinerarëve dhe vazhdoi t'i operonte ato. Dhe tani dhe iu bashkua projektit Berlin-Paris.
Ndryshe nga shteti gjerman, Franca do ta subvencionojë rinisjen e trenave të natës mes dy metropoleve me rreth dhjetë milionë euro në vit. Megjithatë, Ministria e Transportit e Parisit pret që itinerari të jetë fitimprurës brenda dy ose tre viteve. Projekti ka gjithashtu mbështetjen belge, pasi treni nga Berlini ndahet në Manheim dhe një pjesë udhëton për në Bruksel duke kaluar nëpër Këln, Aachen dhe Liège. Në Belgjikë, trenat e natës përjashtohen për dy vjet nga shpenzimet për trasenë dhe energjinë.
Përfitojnë ata që rezervojnë herët
Subvencionet shtetërore synojnë të ndihmojnë kompanitë hekurudhore të ofrojnë çmime konkurruese. Ai që rezervon mjaft herët, aktualisht mund të sigurojë një biletë ulur nga Parisi në Berlin për 29,90 € ose një krevat për 93 €.
Udhëtarët nuk e kanë humbur dëshirën për të kaluar natën në tren gjatë ndërprerjes së qarkullimit të trenave të natës. Në Francë, këtë verë rezervuan një tren nate 215.000 vetë, 15% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, në Gjermani, Ministri i Transportit Wissing po autorizon tre projekte kërkimore për të studiuar çështjen e vagonave moderne të trenave të natës dhe pengesat ndaj konkurrencës. Vitet e ardhshme do të tregojnë nëse kjo do të hapë rrugën drejt përfitimit.