Nis në Tiranë "Tetori Gjerman"
2 Tetor 2009Për të kujtuar 9 nëntorin e vitit 1989, mbrëmë (1.10.) në Tiranë u zhvillua dhe një aktivitet me temë “Epoka e ndryshimeve – Në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit”. Të ftuar ishin analistë, studiues, bashkëkohës të asaj periudhe, studentë, pedagogë etj. Gjatë aktivitetit u shfaq dhe një dokumentar i përgatitur nga televizioni Deutsche Welle, me titullin “Të murosurit“. Organizatorë ishin fondacioni gjerman “ Hanns Seidel” dhe CEAPAL.
Moderatori i aktivitetit, Pandeli Pani, nga redaksia shqipe e Deutsche Welle-s në Bonn, ia dha fjalën Fabian Schmidt-it, si dëshmitar nga pjesa përendimore e Berlinit. Ndërkohë që pranë tij ishte Evelyn Viertel, ish qytetare atë kohë në anën tjetër të murit, në pjesën lindore. I ftuar ishte dhe publicist i njohur shqiptar Fatos Lubonja, i cili 20 vjet më parë ishte vuante ende dënimin në burgjet komuniste në Shqipëri. Organizatorët nuk kishin lënë mënjanë dhe rolin e medias ndërkombëtare dhe asaj në Shqipëri, të cilat i komentuan analisti Patrick Moore dhe pedagogu Kleart Duraj.
Por si “aperitiv” për këtë mbrëmje kujtesë, ishte një dokumentar i televizionit Deutsche Welle me titullin domethënës “Të murosurit“. Histori e dhimbshme e një muri që ndau dy botë të ndryshme. Si funksionoi ky objekt që ndali shpresa, ndau njerëz, që vrau ata që guxuan të kalonin në anën tjetër, që gjakosi dhe përndoqi shumë të tjerë që planifikuan të bënin një gjë të tillë?
Rënia e atij që konsiderohet si “kufiri gjermano- gjerman”, ishte një ngjarje që kaloi përmasat e dy pjesëve të një shteti. Ishte rënia e perdes së hekurt që nxiti dhe përshpejtoi shumë zhvillime demokratike në ish-bllokun komunist.
Evelyn Viertel e ka të pashlyeshme në mendjen e saj, ngritjen e murit brenda një nate në vitin 1961dhe ndarjen e familjes: një pjesë në Berlinin Përendimor dhe një pjesë, ku ishte dhe vetë ajo, në Berlinin Lindor. Një kohë absurde që pati një çmim të jashtëzakonshëm për shoqërinë.
Duke iu kthyer ditës së rënies së murit, ajo shprehet se ishte “një periudhë shumë emocionale, e cila na krijonte përshtypjen, se ne ishim vërtet pjesë e historisë. Që atëhere e dinim se ajo që po ndodhte do të shkruhej në librat e historisë”, - kujtoi Viertel.
Një nga banorët e pjesës përendimore të Berlinit, Fabian Schmidt, ngriti gjatë rrëfimit të tij pyetjen, se si kishte mundësi që bashkëqytetarët e tij kishin njohuri deri në detaje se çfarë ndodhte në Nikaragua, p.sh, dhe nuk kishin asnjë dijeni se çfarë ndodhte pak qindra metra më tutje, pas atij muri, në Lindje, ku gjithçka ishte konceptuar si një izolim real.
“Unë mendoj se duhet të kuptohet, që në të vërtetë lindorët dhe përendimorët ,kanë patur një kulturë krejt të ndarë dhe të ndryshme, me zhvillime të ndryshme. Ishin njerëz që flisnin të njëtën gjuhë, por që kishin akuj në komunikimin mes tyre”.
Publicisti Fatos Lubonja u fokusua tek veçoritë dhe të përbashkëtat që kishte Shqipëria në krahasim me shtetet e tjera të ish-Lindjes komuniste. Nëse këto vende kishin murin e Berlinit, Shqipëria, tha Lubonja në mënyrë figurative, kishte "dhe murin e Berlinit dhe atë të Tiranës".
“Kur u ngrit muri i Berlinit, në Shqipëri u ngrit një mur tjetër. Ai i ndarjes së saj nga bota lindore. Ndërkohë që muri i Berlinit ndante botën lindore nga bota përendimore, kemi prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, që krijon izolimin e vendit nga e gjithë kjo botë lindore. Ndarja Lindje - Perëndim shtoi dhe një ndarje tjetër për Shqipërinë”- tha Lubonja. Sipas publicistit, ky izolim i dyfishtë ishte një peshë më shumë për shqiptarët, për kalvarin e tyre të vuatjeve e mundimeve, në kohën e rregjimit komunist.
Patrick Moore, ish analisti për shumë vite pranë radios Evropa e Lirë, evidentoi rolin e jashtëzakonshëm të medias për të hedhur dritë në kohën e territ informativ, që ishte krijuar në të gjithë Lindjen komuniste. Ai foli për rolin e medias para nëntorit të vitit 1989, si dhe më pas; për këmbënguljen dhe profesionalizimin e lartë të redaktorëve e reporterëve të asaj periudhe. Ndërsa pedagogu Kleart Duraj, iu referua qëndrimeve që mbante media shqiptare tërësisht e politizuar dhe e varur nga rregjimi i kohës. Kujdesi i makinës propagandistike të PPSH-së për ta fshehur, ose instrumentalizuar atë që ndodhi para, gjatë dhe pas rënies së murit të Berlinit.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Eliana Xhani