Nismë kundër propagandës së IS-it
21 Gusht 2014Videoja me titullin "Një mesazh për Amerikën" tregon për gati pesë minuta gazetarin James Foley të ulur në gjunjë në rërën e shkretëtirës. Pas tij qëndron xhelati, i mbuluar me një maskë të zezë, një luftëtar i IS-it. Grupi terrorist "Shteti Islamik" (IS, më parë ISIS) thotë se i preu kokën fotografit nga SHBA si hakmarrje për sulmet ajrore amerikane. Autoritet amerikane thanë se videoja është autentike.
Kundërnisma ndaj strategjisë propagandistike të IS-it
Menjëherë pas publikimit të videos filloi një kundërnismë: Në hashtag-un "#ISISmediaBlackout" bëhet thirrje për të mos e parë as këtë video dhe video të tjera të grupit terrorist dhe për të mos i përhapur ato. Kjo thirrje është përhapur me mijëra herë herë nëpërmjet Twitterit.
Grupi terrorist IS përdor sidomos mediat sociale si platformë për propagandën e vet. Përmes rrjeteve sociale shpërndahen rregullisht video, fotografi dhe mesazhe që tregojnë për veprimet e tyre brutale. Qëllimi i ofensivës mediale është që të motivojnë ithtarë për aksionet e tyre dhe që të frikësojnë kundërshtarët.
Videon me prerjen e kokës terroristët e vunë në YouTube dhe e lidhën prej atje me Twitter. YouTube e ka hequr ndërkohë videon nga rrjeti. Por deri sa platforma të tilla si YouTube të reagojnë duke i fshirë nga rrjeti, zakonisht kalon një farë kohe. Deri atëherë mesazhet terroriste shpesh janë përhapur disa mijëra herë.