EU-Gipfel Euro
27 Tetor 2011Ky duhet të kthehej në "samit të gjithë samiteve", në zgjidhje përfundimtare të krizës së euros. Përgjatë një viti e gjysmë ne kemi përjetuar një takim krize pas tjetrit, së fundi në distanca të shkurtra kohore. Çdo herë thuhej se rezultati duhet të bindë tregjet. Por çdo herë, pas pak përmendeshin shuma edhe më të mëdha parash, duke diskutuar masa edhe më të forta, sepse tregjet nuk tundeshin nga istikami.
Baza e paketës
Po kësaj here? Rrallë ka ndodhur që shpresat në një takim të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive evropiane të ishin kaq të mëdha. Nata ishte e gjatë. Pa humbur kohë, u muar vendimi për rekapitalizimin e bankave. Vështirësitë erdhën, kur u diskutua për të ashtuquajturin levë të fondit të shpëtimit të euros, e cila ka qenë temë e diskutimeve ditët e fundit në Gjermani. Por kur erdhi puna për faljen e borxheve Greqisë dhe pjesëmarrjen e bankave, atëherë bisedimet ngecën për orë të tëra. Sa kohë që kjo pikë mbeti e pazgjidhur, marrëveshjet për çështjet e tjera nuk kishin kuptim. Sepse, gjithshka është e ndërthurur dhe vetëm një paketë e përgjithshme mund të zgjidhë problemet. Vetëm në orën tre e gjysmë u dha sinjali, se bankat hoqën dorë vullnetarisht nga gjysma e borxheve të Greqisë.
Fitim kohe
Kjo është minimumi i asaj, që duhet bërë, që Greqia të mund të marrë sërish frymë lirisht, por maksimumi i asaj, që janë gati të bëjnë bankat. Ende nuk dihet, nëse paketa do të arrijë të kthehet në çlirimin e madh dhe do të mund të bindë tregjet. Edhe kësaj herë e para, që arrihet, është të fitohet kohë. Por kjo kohë është e vlefshme. Ajo duhet të shfrytëzohet për punën e nevojshme konsoliduese në çdo vend anëtar. Por pikërisht në këtë pikë, në takimin e nivelit të lartë u arrit një çudi. Ditën e dielë Merkel dhe Sarkozy dhe të tjerët i kërkuan Berluskonit t`i sjellë Evropës reforma të menjëhershme. Dhe tre ditë më vonë Berlusconi vjen me reformën e pensioneve. Por edhe më shumë se kaq, Italia ka premtuar ulje konkrete të borxheve, Spanja program kursimesh.
Shfrytëzim i momentit
Kjo shton shpresat. Sigurisht, pa presionin e politikës dhe tregjeve financiare nuk do të kishte ndodhur asgjë. Dhe kur gjendja të stabilizohet sërish, vullneti për reforma mund të venitet.
Prandaj, tani është e rëndësishme puna konsoliduese dhe kontrolli reciprok i vendeve të BE-së. Ndryshime të paktit do të ishin zgjidhja më e pastër. Por kjo kërkon shumë kohë.
Autor: Christoph Hasselbach
Redaktoi: Angjelina Verbica