1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vit i zi për tregun e punës në Evropë

Bernd Riegert 31 Dhjetor 2013

Shumë samite, pak fonde dhe fjalë të mençura. Në vitin 2013 BE pati të vështirë për të luftuar papunësinë, sidomos tek të rinjtë nën moshën 25 vjeç. Ç' mund të bëjë Evropa?

https://p.dw.com/p/1AiVe
Symbolbild Europa Arbeitslosigkeit Jugendliche
Fotografi: picture-alliance/dpa

Viti 2013 ka qenë një „annus horribilis" për tregun e punës në Evropë. Në këtë vit të tmerrshëm kuota e papunësisë në shtetet e eurozonës ka qenë më shumë se 12 përqind, më e larta e matur ndonjëherë. Kriza financiare dhe ajo e borxhit goditi rëndë tregjet e punës. Veçanërisht rëndë nga kriza janë prekur vendet e jugut Portugalia, Spanja, Italia, apo Greqia, thotë deputeti i parlamentit grek, Konstantinos Karagkounis. Situata në vendin e tij, që ndodhet në recesion të thellë, është katastrofale, thotë politikani konservator. "Në Greqi kemi të bëjmë me të vërtetë me një katastrofë humanitare. Papunësia është e madhe, rreth 27 për qind. Papunësia e të rinjve është në nivelin 60 për qind. Kjo është diçka krejtësisht e re. Unë di që Spanja ka probleme të ngjashme."

Pa perspektivë për një përmirësim të dukshëm

Në vitin e ardhshëm, thotë Komisioneri i BE-së Olli Rehn, në parashikimin e tij ekonomik, eurozona do të dalë nga recesioni dhe do të ketë rritje të ngadalshme. Por kjo nuk do të ketë ndikim të qëndrueshëm në tregun e punës, thotë komisioneri për Çështjet Ekonomike Rehn në raportin e tij të muajit nëntor. Numri i të papunëve në vitin 2014 do të mbetet kryesisht konstant. Samitet e shumta, që kanë organizuar krerët e shteteve dhe qeverive për të luftuar papunësinë dhe sidomos tek të rinjve deri në moshën 25-vjeçare, nuk kanë sjellë ende rezultat. Francois Hollande, presidenti socialist i Francës, ftoi që samiti i fundit në nëntor të zhvillohet në Paris. "Janë tri fjalë kyçe që përcaktojnë samitin tonë: Shpejtësia, sepse është urgjente. Solidariteti, sepse ne nuk duam të humbasim një brez të tërë. Dhe në fund cilësia, sepse ne duam të propozojmë kurse trajnimi, që t'u hapin të rinjve me të vërtetë një perspektivë", tha Hollande.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz (PSD), i paralajmëroi politikanët në Evropë nga pasojat sociale të papunësisë së lartë të vazhdueshme: "Ky problem nuk prek vetëm të rinjtë, por edhe familjet e tyre dhe prindërit e tyre. Një shoqëri, që ka mjetet për të ruajtur monedhën dhe sistemin e vet financiar, duhet të jetë gjithashtu në gjendje t'u japë të rinjve një shans të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Martin Schulz i dha të drejtë një studimi të zyrës evropiane të statistikave "Eurostat". Sipas të dhënave nga Luksemburgu rreziku i varfërisë në Europë është rritur në mënyrë dramatike. Një e katërta e evropianëve, ose 125 milionë njerëz, janë të rrezikuar nga varfëria. Objektivat afatgjata ekonomike të BE-së, të quajtura axhenda 2020, janë në rrezik, thotë Eurostat.

Garancia për vend pune duhet të japë shpresë

Kryetarët e shteteve dhe qeverive vendosën që të japin gjashtë miliardë euro shtesë për punësim dhe kualifikim si masë ndaj papunësisë së të rinjve. Por paratë shkojnë vetëm në ato rajone, ku papunësia e të rinjve është mbi 25 për qind. Këto projekte do të zbatohen vitin e ardhshëm buxhetor. Përveç kësaj, Hollande, Merkel dhe të tjerët kanë vendosur një "garanci për punë". Çdo të riu duhet t'i garantohet katër muaj pas largimit nga shkolla, një praktikë, një kualifikim, ose stazh.

Shumë ekspertë të tregut të punës e konsiderojnë këtë koncept një ide të mirë, por që do të jetë e vështirë për t'u zbatuar në praktikë. I këtij mendimi është studiuesi italian i tregut të punës, Massimiliano Mascherini, cili punon për një institut kërkimor në Dublin. Një garanci pune presupozon një ndërmjetësim efikas të punës nga agjencitë shtetërore, thotë Mascherini për DW. "Shumë shtete anëtare nuk kanë administratë punësimi, që të jetë në gjendje ta përballojë këtë shërbim. Ata nuk kanë as cilësinë, as sasinë e as mundësitë për ta ofruar këtë shërbim. Pikërisht këto shtete kanë një shkallë të lartë papunësie dhe për shkak të krizës ekonomike nuk kanë më fonde.”

Samitet e BE-së për papunësinë pasurohen me një raund konsultimi të 28 zyrave të punësimit të shteteve anëtare të BE-së, njoftoi kancelarja gjermane Angela Merkel: "Këto agjenci punësimi në Evropë janë mbledhur dhe kanë rënë dakord për një plan për të përshtatur sistemet më të mira të ndërmjetësimit, në mënyrë që të gjitha vendet të marrin përvoja dhe të shkëmbejnë idetë e tyre.” Se kur, ky plan do të krijojë më shumë vende pune, është e paqartë.

Infografik Jugendarbeitslosigkeit in der EU
Grafiku i papunësisë së të rinjve në BE

Tregjet e punës duhen reformuar

Shumë shtete anëtare kanë nevojë për reforma në tregun e punës, në mënyrë që t'i zgjidhin problemet. Tregjet e punës janë aq të mbyllura, saqë të rinjtë nuk kanë asnjë shans për të hyrë brenda. Në këto shtete anëtare, mund të themi se e ardhmja e të rinjve është sakrifikuar në altarin e brezave të kaluar, që kanë jetuar përtej mundësive të tyre", thotë Mascherini. Mbrojtja kundër pushimit nga puna ështe shumë e ngurtë, kontratat fleksibël të punës janë shpesh të pamundura. Megjithatë, ka projekte individuale, që janë iniciuar nga sektori privat. Në Spanjë dhe Greqi janë krijuar, edhe me ndihmën e firmave gjermane, qendra të reja trajnimi për praktikantët. Firmat gjermane kërkojnë me qëllim praktikantë nga vendet e BE-së. Megjithatë kjo nuk solli në vitin 2013 ndonjë ndryshim të madh. Sepse vetëm 2-3 për qind e të gjithë evropianëve punojnë jashtë vendit, pavarësisht nga kufijtë e hapur në Evropë. Komisioneri Evropian, Laszlo Andor, njoftoi se vitin e ardhshëm do të reduktojë barrierat burokratike për të fillimin e punës jashtë vendit. Samiti i ardhshëm mbi papunësinë është planifikuar tanimë për në fund të marsit 2014, atëherë Greqia do të ketë kryesinë. "Atëherë duhet të kemi rezultate më konkrete", thotë parlamentari grek Konstantinos Karagkounis nga partia në pushtet Demokracia e Re.