Nuk arrihet në marrëveshje mbi KSE-në - Përfundon konferenca në Vjenë
15 Qershor 2007Askush nuk priste që në Vjenë do të arrihej në marrëveshje. "Qëllimi ynë duhet të jetë, krijimi i një atmosfere miqësore dhe vazhdimi i bisedimeve", kështu qe shprehur një diplomat perëndimor përpara konferencës së jashtëzakonshme mbi Marrëveshjen për Armët Konvencionale në Evropë, shkurt KSE.Në rast të kundër ekziston reziku, që "të humbasin shtyllat kryesore të stabilitetit evropian".
Thuajse ishte marrë me mend, që nga Hofburgu nuk do të dilte tymi i bardhë. Mbledhja e jashtëzakonshme e KSE-së e thirrur prej Moskës për të ardhmen e marrëveshjes mbi forcat e armatosura konvencionale në Evropë përfundoi pa rezultat, ndërkohë që të dyja palët ngarkojnë reciprokisht njëra-tjetrën si përgjegjëse. Drejtuesi i delegacionit të Rusisë, Anatoli Antonov akuzoi shtetet e NATO-s, se nuk i morrën parasysh propozimet ruse. Pas bisedimeve të ditëve të shkuara qëndrimi i Moskës nuk ka ndryshuar: "Nuk ka kërcënim dhe as prej nesh nuk vjen ndonjë kërcënim. Por Moska tani nuk është e kënaqur me situatën dhe ne nuk mund të vazhdojmë ta injorojmë këtë problem. Ndaj ne do të mendojmë tani, nëse do të ishte e arësyeshme, që të shpallnim një moratorium."
Në parim Antonov përsëriti edhe një herë, atë që patën thënë edhe presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm Sergej Lavrov. Këto ishin fjalë të fuqishme, që Perëndimi në kontekstin e grindjes për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat i perceptoi si kërcënim. Në konferencë të dyja palët deshën ta mënjanojnë grindjen për sistemin e mbrojtjes ndaj raketave duke dashur të përqëndrohen vetëm tek marrëveshja mbi armët konvencionale, një ndër më të rëndësishmet kjo për çarmatimin.
Se ç´ka sjellë kjo marrëveshje qysh nga viti 1990 mund të përshkruhet thjeshtë me shifra: rreth 50.000 armë konvencionale janë asgjësuar ndërkohë, shumë tanke dhe ushtarë janë tërhequr. Pala amerikane pikërisht për këtë arësye tërhoqi vazhdimisht vëmendjen për sukseset e marrëveshjes, e cila rregullon kapacitetin e armëve konvencionale në të gjithë Evropën dhe synon të shmangë luftrat. Daniel Fried, drejtues i delegacionit të ShBA, duke u nisur nga konteksti i vështirë i mbledhjes së jashtëzakonshme dhe kërcënimet verbale në fillim të takimit, tërhoqi vëmendjen: "Një armatim retorik nuk ka kuptim! Në vend të kësaj të dyja palët duhet të përpiqemi, që ta vazhdojmë modelin e sukseshëm të kontrollit të armatimeve. Kjo për vite të tëra i ka sjellë Evropës shumë të mira."
Për palën ruse marrëveshja është e vjetëruar, sepse ajo nuk u përgjigjet zhvillimeve të reja politike në Evropën Lindore, siç
është zgjerimi i NATO-s. Edhe marrëveshja suplementare e vitit 1999, që u referohet rrethana të reja, u quajt prej shefit te delegacionit rus, Antonov, si "absolutisht anakronike". Vendet antare të NATO-s marrëveshjen e përshtatur nuk e kanë ratifikuar ende, sepse Rusia, ndryshe nga sa është rënë dakord në marrëveshjen suplementare, nuk i ka tërhequr të gjitha trupat nga Gjeorgjia dhe Moldavia. Por ka sinjale pozitive në këtë drejtim, u shpreh amerikani Fried: "Duhet të theksojmë, se rusët kanë bërë përparime të kosniderueshme në reduktimin e trupave të tyre në Gjeorgji edhe në Transnistrien, por këtu ata e kanë ndërprerë këtë proces. Megjithatë ShBA dhe të gjitha vendet e NATO-s presin, që marrëveshja e modifikuar për armët konvencionale, që merr parasysh shumë preokupime të palës ruse, së shpejti do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi."
Pa ratifikimin vendet e NATO-s nuk duan të pranojnë propozimet ruse për ndryshime. Ndërsa Moska nga ana e saj e ka nënshkruar marrëveshjen e përshtatur të armëve konvencionale dhe pretendon, se i ka përmbushur të gjitha kushtet. Ndër temat e tjera të takimit në Vjenë ishin edhe e ardhmja e Kosovës, oferta për një kompleks të përbashkët radarësh dhe tema të tjera.