Në 2007-ën Merkeli shkëlqeu si grua shteti
1 Janar 2008Në ndërrimin e viteve bilance për punën e qeverisë dhe për gjendjen e Gjermanisë edhe në komentet e gazetave:
"Oldenburgische Volkszeitung" vëren:
"Gjysmën e dytë të kohës së saj në detyrë kancelarja duhet t'ia kushtojë më shumë programit të detyrueshëm sesa ushtrimeve artistike. Detyrat në vend nuk mund të mos i dallosh: Vëmendja kryesore u duhet kushtuar fëmijëve dhe familjeve. Tani Merkeli duhet të tregojë se është mu në mesin tonë - dhe nuk zë vetëm në mënyrë të dukshme mesin e spektrit të partive. Me që ra fjala: Mesi nuk është vetëm vendi midis majtas dhe djathtas, kancelarja duhet ta mbajë sa më të shkurtër edhe distancën midis lart dhe poshtë."
Ndërsa "Badische Neueste Nachrichten" komenton:
"Në 2007-ën Merkeli shkëlqeu si grua shteti. Dhe më e rëndësishmja: koalicioni i madh jeton ende. Me gjithë grevat për pagë dysheme, debatin për mbështetjen për të papunët dhe grindjen në lidhje me sigurinë e brendshme. Ndoshta edhe sepse mbahet i bashkuar prej imazhit të kancelares së vet si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Një kancelare, e cila duket sikur i largon me buzëqeshje vështirësitë në vend. Vetëm kjo nuk do të mjaftojë për të mbajtur bashkë ata që duan të ndahen."
"Rhein-Neckar-Zeitung" që botohet në Heidelberg shkruan:
"Vështrimi në vitin tjetër premton pak përmirësim. Shenjat në koalicionin e madh flasin për përplasje. Me largimin e ish-zëvendëskancelarit Franz Müntefering Merkeli ka humbur një bashkëbisedues të rëndësishëm. Ndërkaq kryetari i Partisë Socialdemokrate Kurt Beck, i cili rendite në sondazhe shumë prapa kancelares, duhet ta kërkojë shpëtimin në një kufizim të qartë kundrejt bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial, si për shembull në temën e pagës dysheme."