1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në buzë të greminës - Kriza e socialdemokratëve

17 Tetor 2018

As 10% e votuesve gjermanë nuk ia japin më votën Partisë Socialdemokrate, SPD. Goditje rrënuese për partinë më të vjetër gjermane në Bavari. Kryetarja e saj, Andrea Nahles duket e zhgënjyer dhe e lodhur.

https://p.dw.com/p/36dtL
Deutschland Nach der Landtagswahl in Bayern | SPD-Vorsitzende Andrea Nahles
Andrea Nahles, kryetarja e SPD-sëFotografi: picture-alliance/dpa/C. Koall

Pas zgjedhjeve në landin e Bavarisë, atmosfera në selinë qendrore të partisë është shumë e rënduar. Një rezultat jo të mirë, socialdemokratët e kishin pritur, por jo një rezultat kaq rrënues, vetëm 9,7% të votave?! Vetëm kaq arriti të marrë kandidatja kryesore e socialdemokratëve në Bavari, Natascha Kohnen. "Duhet të flasim për gjithçka, dhe gjithçka nënkupton vërtet gjithçka", tha Kohnen të hënën pas zgjedhjeve. Në krah të saj, kryetarja e partisë, Andrea Nahles, e zbehtë, e zhgënjyer, e lodhur. E pasigurtë dhe si pa orientim. Në muajt e fundit SPD-ja po njeh vetëm humbje. Në sondazhet në nivel federal kjo parti kap vetëm 15% të votave. Me këto shifra ajo nuk mund të quhet më parti popullore.

Kush e ka fajin?

Andrea Nahles kërkonte fjalët e duhura në konferencën e shtypit për të shpjeguar rezultatin, por nuk ia dilte dot. Imazhi i përgjithshëm i koalicionit është bashkëpërgjegjës, tha 48 vjeçarja. "Imazhi i keq i qeverisë gjermane ka kontribuar që me temat tona nuk i arritëm njerëzit." Por edhe në Hesen pas më pak se dy javësh do të ketë zgjedhje. Kandidati kryesor i Partisë Socialdemokrate atje, Thorsten Schäfer-Gümbel kërkoi unitet brenda partisë. "Pres që të gjithë tani në SPD të më dalin krah të luftojmë për ndryshimin politik dhe të tregojmë që SPD di edhe ndryshe."

Wiesbaden Thorsten Schäfer-Gümbel SPD
Thorsten Schäfer-GümbelFotografi: picture-alliance/dpa/A. Dedert

Krahu i majtë brenda partisë bashkohet

Kryesia e partisë diskutoi me dyer të mbyllura, por debati i hapur duket se  është shtyrë për më vonë. Në pjesën më të madhe të tij. Sepse në sfond po grumbullohen prej javësh forcat kundër kursit aktual të krerëve të partisë, dhe sidomos kundër qëndrimit të mëtejshëm në koalicionin me konservatorët. "Ne duam marrëdhënie të stabilizuara, por filli i durimit është aq i tendosur, sa po këputet", kështu shkruhet në një letër të nënshkruar nga kreu i të rinjve socialdemokratë, Kevin Kühnert, kryetari i degës së landit, Shlesvig-Holshtajn, Ralf Stegner, kryebashkiaku i Berlinit, Michael Müller dhe deputetë të tjerë. "Me valutën e stabilitetit u kërkua besimi i bazës, por nuk ka pasur kurrë më pak stabilitet, se me këtë qeveri federale."

Krahu i majtë i partisë ndjehet i konfirmuar në refuzimin e tij për koalicionin me bazë të gjerë. A nuk kishin paralajmëruar ata, se partia do të shkonte në buzë të greminës me një koalicion të ri me CDU? Pas dështimit në zgjedhjet federale në shtator 2017, socialdemokratët vendosën të kalonin në opozitë, por dështimi i bisedimeve të koalicionit me Të Gjelbrit dhe Liberalët e risolli nevojën për SPD-në në qeveri. Pas disa votimesh në bazë, në fund u vendos që të krijohej rishtazi një koalicion me CDU. Me moton "qeverisje e mirë", socialdemokratët menduan se kishin çelësin për riforcimin e SPD-së.

Kur do të shpërthejë revolta?

Ndërkohë kundërshtarët e këtij koalicioni dhe krahu i majtë i partisë nuk kanë më durim. Sipas tyre SPD-ja nuk ia ka dalë të distancohet qartë nga unioni me profilin e saj në këtë fazë të bashkëqeverisjes. Edhe përkrahësit e kësaj partie mendojnë, se partisë i mungon një temë e qartë që e dallon nga të tjerët dhe që i entuziazmon njerëzit. Këtë e thonë votuesit e pyetur në një sondazh të Institutit Ifratest dimap. Madje edhe për temën më tradicionale të kësaj partie, tek drejtësia sociale, vetëm një e treta e të anketuarve besojnë se SPD-ja ka kompetencën e duhur.

Deutschland Ergebnis des SPD-Mitgliedervotums | Kevin Kühnert
Një nga kundërshtarët e koalicionit me CDU, Kevin KühnertFotografi: Reuters/H. Hanschke

A ka të ardhme socialdemokracia?

SPD-ja ka humbur në Bavari shumë vota tek Të Gjelbrit, rreth 200.000 vota, por po kaq shumë edhe tek partitë djathtas saj. Vëzhguesit zgjedhorë analizojnë se SPD-ja ka humbur votues në zgjedhjet e Bavarisë në të gjitha grupmoshat e profesionet, edhe tek votuesit me arsimim të lartë. Tendenca e largimit të votuesve vihet re në të gjithë Gjermaninë. A mund të ndalet ky zhvillim? A nuk i zunë Të Gjelbrit, E Majta dhe AfD-ja temat që prej kohësh ishin tërësisht në duart e socialdemokratëve?

Ka pasur një kohë, kur socialdemokratët kujdeseshin për klasën punëtore, proletariatin, siç thuhej dikur por ai nuk ekziston më në atë formë. Cilën pjesë të popullsisë kërkon të arrijë kjo parti tani? Nëse do të dëgjoje të majtët brenda kësaj partie, të cilën duan të jenë edhe motori i rigjenerimit, SPD-ja duhet të zhvendoset majtas në të ardhmen. Axhenda 2010 - që solli një reformë të fortë të tregut të punës dhe mbështetjes sociale - duhet të shfuqizohet. Në kongresin "e bazës së partisë" në fundjavë ky grupim brenda partisë kërkoi që "ne socialdemokratët dhe socialdemokratët të jemi ata që jemi besueshëm në krah të punëtoreve dhe punëtorëve kundër interesave të kapitalit, të ideologjisë së tyre neoliberale dhe egoizmit të koncerneve multinacionale." Kërkesa që gjenden edhe në programin e partisë së Majtë.

Nëse edhe zgjedhjet në Hesen nuk do të sjellin një rezultat të mirë për SPd-në, atëherë kundërshtarët e koalicionit të madh në parti nuk do të përmbahen dot më. Mund të ndodhë që jo vetëm qeveria në Berlin, por edhe vetë kryetarja e partisë, Andrea Nahles të kalojnë në librat e historisë. Por as ky hap nuk është çlirimi përfundimtar. Sepse mund të ndodhë që në zgjedhjet e reja parlamentare, SPD-ja të bëjë edhe hapin e fundit drejt greminës.