Në Kosovë policia ndalon përparimin e aktivistëve të Vetëvendosjes
14 Janar 2012Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u bëri thirrje aktivistëve të tij, që të protestojnë të qetë kundër, siç tha "moszbatimit të mocionit të reciprocitetit të Kuvendit të Kosovës me Serbinë".
"Me bllokimin e rrugës nga Policia e Kosovës, Qeveria e Kosovës po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në territorin e Kosovës, ndërsa po lejon qarkullimin e veturave dhe mallrave serbe për në Kosovë”, tha Albin Kurti.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosja, thonë se policia e Kosovës ka ndaluar në kufirin me Shqipërinë në Morinë, dy autobusë nga Shqipëria me përkrahës të Vetëvendosjes që duan t'i bashkohen protestës.
“Mbështesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ardhur nga Shqipëria, janë ndaluar në kufirin e Morinës nga Dogana e Kosovës, me pretekst se është prishur sistemi. Poashtu, mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosja, duke ardhur nga Tetova janë ndaluar në kufi, tek pika e Glloboqicës nga autoritet e Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ndërkohë, policia e Kosovës, sipas zëdhënësit të saj, Baki Kelani, thotë se në dy pikat kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dheu i Bardhë, situata është e qetë.
“Vërehen turma njerëzish që kanë ardhur nga rajone të ndryshme të Kosovës për të përkrahur protestën e lëvizjes Vetëvendosje, por, ata tash për tash janë të qetë”, thotë për programin tonë, Baki Kelani.
Dy pikat kufitare, në Merdare dhe Dheu i Bardhë sipas policisë janë të hapura, por qarkullimi është shumë i vogël.
Policia e Kosovës, qysh në mëngjes ka ndërmarë të gjitha masat duke vendosur pika kontrolli përgjatë dy rrugëve që çojnë në pikat kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Sipas një njoftimi të policisë, ata i kanë parlajmëruar aktivistet e Vetëvendosjes, se nuk do të lejojnë që tu afrohen dy pikave kufitare Kosovë-Serbi.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: E.Xhani